Rastet kur njerëzit me pushtet grushtonin Policinë e Kosovës - NACIONALE

Rastet kur njerëzit me pushtet grushtonin Policinë e Kosovës

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Policia e Kosovës mbetet ndër institucionet më të besueshme të rendit dhe ligjit.

Por, ekziston disi edhe një përshtypje e gjerë se uniforma e këtij institucioni megjithatë është e pafuqishme përballë njerëzve të pushtetshëm, dhe si zakonisht në Kosovë, kriminaliteti matet edhe në baza të perceptimit.

Rastet kur Policia e Kosovës është përballur me mosbindje nga njerëzit apo familjarët e pushtetarëve nuk kanë qenë të rralla, madje, këto mosbindje kanë degraduar shpesh edhe në dhunë fizike.

Cak sulmi, zyrtarët policorë ishin edhe mbrëmjen e kaluar në qytetin e Skënderajt, kësaj radhe me armë zjarri e ku mbetën të plagosur dy policë.

Pak minuta para mesnatës, dy auto-ambulanca do të niseshin me nguti drejt një pike kontrolli në Skënderaj, ku dy zyrtarë policorë kishin mbetur të plagosur.

Emri i njërit prej personave që dyshohet të ketë shtënë në drejtim të policëve, ai i Nuredin Lushtakut, ish-nënkryetar i Komunës së Skënderajt e ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

E gjitha kishte ndodhur për shkak të një gjobe trafiku të dhënë ndaj ngasësit të veturës.

Siç u raportua në media sot, ngjarja kishte ndodhur në rrugën “Fadil Rrustemi” dhe ngasësi ishte Arbër Lushtaku. Por, siç raportonte gazeta Sinjali, duke u thirrur në burime, vetëm pasi është gjobitur ngasësi kanë ardhur Nuredin Lushtaku me vëllezërit e tij "për t'u hakmarrë".

I dyshuar për plagosjen e tyre nuk është vetëm nënkryetari i kësaj komune, Nuredin Lushtaku, por edhe dhe disa familjarë të tij.

Të paktën njëri prej vëllezërve, Arbër Lushtaku, raportohet të jetë në kërkim nga Policia e Kosovës.

Gazeta Nacionale ka provuar të kontaktojë me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por ata kanë qenë të paqasshëm derisa kujdestari i mbrëmshëm ka thënë se i ishte dhënë urdhër të mos fliste jashtë orarit të punës.

Por, Nacionale ka marrë vesh emrat e dy policëve të plagosur. I pari është Mërgim Geci derisa i dyti është Enver Smakiqi. Ky i dyti besohet të ketë qenë pjesë e Njësisë Speciale në të kaluarën, por që është ulur në pozitë për arsye të panjohura.

Djemtë e Grabovcit

Njëri nga sulmet më të famshme ndaj zyrtarëve policorë është padyshim ai djemve të ish-shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Garabovci.

Në natën e 14 shkurtit të vitit 2013 raportohej se Ngadhnjim dhe Guxim Grabovci e kishin rrahur deri në alivanosje një polic të Kosovës, pasi i kishte ndalur ata për tejkalimin e shpejtësisë në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë.

Në vitin 2015, dy vëllezërit ishin dënuar fillimisht me nga 6 muaj burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi u gjetën fajtorë për rrahjen e një polici në shkurt të vitit 2013.

Bijtë e Adem Grabovcit ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës me nga 6 muaj burgim, por dënimi ishte konvertuar në dënim me para.

Vëllau i Rexhës

Imun ndaj sulmeve, policia nuk ishte as nga familjarët e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt që aktualisht qeverisë me vendin.

Në marsin e 2018-ës, ishte raportuar se vëllai i ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit, Ramadan Selimi, kishte sulmuar një pjesëtar të Policisë së Kosovës.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur gjersa policia e kishin ndalur një makinë për kundërvajtje në trafik, e cila kishte rastisur të jetë e vëllait të ish-deputetit Selimi.

Ramadan Selimi nuk i kishte përfillur urdhrat e policit dhe e kishte sulmuar fizikisht zyrtarin policor me inicialet A.I., duke e goditur me këmbë në të dy këmbët.

Madje, siç shkruanin mediat në atë kohë, vëllai, Selimi, duke mos u mjaftuar me kaq, me të arritur në stacionin e Jugut, e kishte goditur me grushtë në fytyrë zyrtarin policor.

Megjithatë, ish-deputeti Rexhep Selimi si opozitar në ata përiudhë, e kishte mohuar se vëllai i tij e kishte sulmuar policinë, duke thënë se kjo është një orkestrim për ta sulmuar atë dhe Vetëvëndosjen.

Zafa i Nismës

Qershorin e këtij viti, ish-deputeti i Nismës Socialdemokrate, e ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zafir Berisha, ishte arrestuar nga policia, pasi dyshohej se sulmoi disa zyrtarë policorë.

Policia në Prizren patën deklaruar se ai i ka sulmuar zyrtarët policorë pasi këta të fundit e kanë dënuar për kundërvajtje. Sipas tyre, në shenjë pakënaqësie i njëjti i ka fyer, ofenduar, kërcënuar dhe në fund i ka sulmuar fizikisht policët.

Ai ishte liruar pasi ishte intervistuar nga ana e zyrtarëve policorë dhe ngarkohet për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Berisha e kishte mohuar një gjë të tillë, duke thënë se ka qenë një provokim i orkestruar dhe disa herë është duke u përballur me situata të tilla.

“Dyshoj se ky është një provokim i radhës që disa ditë rresht. Veç vetura ime dënim. Pse e gjuaja dënimin përfundi veturës. Unë kam menduar që është e rastit, por kur e pashë i njëjti person, atëherë u binda se s’ka qenë e rastit”, kishte theksuar Berisha. Tutje, ai ka thënë se këtë rast duhet ta sqarojnë organet e drejtësisë, pasi nuk ua ka pasur borxh një sjellje të tillë.

Por, një video e siguruar nga Kosovanews, dëshmon qartë se ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, i kishte sulmuar fizikisht policët e Kosovës derisa ishin në krye të detyrës.

Zafir Berisha siç edhe tregojnë pamjet shihet duke iu vërsulur policëve, ndërsa policia duket qartë se nuk po e provokonin, madje, ata shihen duke u tërhequr përderisa ish-deputeti i ndiqte.

Lajme të ngjashme