Kryeministrat kosovarë si drejtues kombajnash në prag të fushatave korrje-shirje - NACIONALE

Kryeministrat kosovarë si drejtues kombajnash në prag të fushatave korrje-shirje

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Thuajse secili kryeministër i Kosovës, të paktën duke llogaritur epokën e paspavarësisë, ka hipur njëherë në kombajë.

Dhe kjo, për t’u afruar më shumë me bujkun, që dorën në zemër ka telashe gjatë gjithë vitit, por që i duhet të buzëqesh para aparatit. Kuptohet, kjo e fundit është diçka që do ta bënin të gjithë.

I fundit kryetar qeverie që bëri një ngritje në këmbajë është ai aktuali. Albin Kurti.

Gjatë një vizite në fshatin Sopijë të Therandës, Kurti shfrytëzoi rastin të jetë pasagjer i njërit prej vëllezërve Beqiraj, në hapje të fushatës së korrje-shirjeve.

Madje, publikimi në rrjetin social “Facebook” i kësaj fotografie nga ana e kryeministrit i rezultoi me afro 40 mijë pëlqime, shifër kjo jo edhe e vogël.

Megjithatë të kthehemi pak në retrospektivë dhe të shohim se edhe kryeministrat e tjerë e kanë bërë këtë.

Hashim Thaçi

Padyshim se e praktikonte më së shpeshti. Dhe nuk pritonte. Madje, e përsëriste shpesh faktin që ishte në rritur në fshat (Burojë) dhe se gjithmonë e praktikonte faktin e të punuarit me makineri bujqësore.

Në fakt Thaçi, nëse llogarisim faktin e pjesëmarrjes së përvitshme, është kryeministri që e ka shijuar më së shumti ndjenjën e të qenurit në timonin e këmbajës.

Isa Mustafa

Ishte viti 2015 kur drejtonte qeverinë, atëbotë në koalicionin PDK-LDK. Koalicion ky që më vonë e solli në kolltukun e presidentit, Hashim Thaçin.Si çdo kryeministër, edhe Mustafa e mori me vete ministrin e bujqësisë, Memli Krasniqi. Fiziku e mosha nuk ishin në anën e tij, por dorëzimi asnjëherë. Vendosmëria gjithsesi.

Ramush Haradinaj

Në vitin 2017 u rizgjodh kryeministër i vendit. Bashkë me PDK-në e Nismën, gëzonte numrat e mjaftueshëm për ta drejtuar qeverinë. Dhe nëse nga dikush më shumë sesa të tjerët pritet që të hipë në kombajnë, ai është Haradinaj.

Kreu i AAK-së që shquhet për ecje malore e zhytje në liqene, nuk pritonte të bënte edhe më të afërtin e votuesve. Madje, shpesh thuhet se numrin e votuesve që e posedon, e ka për shkak të afërsisë me ta. Gjithsesi, nëse gjatë tërë vitit ishte fytyrë-ngrysur, në korrik buzëqeshte. Koha për kombajnë.

Avdullah Hoti

Nëse ka kryeministër që do të lëvizte më ngadalë sesa shpejtësia normale e kombajnës ai është Avdullah Hoti. Njeriu që hyri brenda Shtëpisë së Bardhë për një periudhë relativisht të shkurtër udhëheqjeje, e kishte edhe karizmën e nevojshme për ta drejtuar këtë makinë.

Kujtojmë, ai është i lindur në Ratkoc të Rahovecit, vend ky i etiketuar si kryeqytet i bujqësisë.

Gjithsesi, të gjithë këta mbase nuk kanë bërë sa duhet për bujqit, përfshirë edhe Kurtin. Hiç më larg se afro tri javë më parë, një bujk nga Krusha e Madhe konfirmoi se nuk po gjen punëtorë, ani pse po paguan deri në 420 euro ditën.

Këto deklarime ai i bëri për Radion Evropa e Lirë, duke vënë në pah kështu problemet me të cilat përballet ky sektor.

Lajme të ngjashme