Pushteti korr pëlqime nga të korrurat në ara - NACIONALE

Pushteti korr pëlqime nga të korrurat në ara

4 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Afërsia e një politikani me bujqit, punëtorët fizikë e punëtorë të tjerë të përafërt me profesionet e lartëcekura, gjithmonë është vlerësuar nga elektorati, sidomos nga një mbështetës i zjarrtë i partisë. Kujtojmë, i tillë ka qenë edhe ish-presidenti Thaçi. Të shumta janë postimet me të cilat ish-kryeministri pat bërë bujë. Kujtojmë, në vitin 2014 ishte nga politikanët më të njohur në përdorimin e “selfies”. E duket se, të njëjtën rrugë po e ndjek edhe kryeministri aktual, Albin Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar, sot, bashkë me ministrin e bujqësisë, Faton Peci, qëndruan për vizitë në fshatin Sopijë të Therandës.

Këtë e konfirmoi vet Kurti përmes një postimi në rrjetin social "Facebook".

"15 hektarë grurë i kanë korrur vëllezërit Beqiraj në Sopijë të Therandës këto ditët e fundit. Edhe 50 hektarë të tjerë do t’i korrin gjatë javës së ardhshme. Me ministrin e bujqësisë Faton Peci vizituam anën tjetër të bukës sonë, atë të punës dhe djersës së bujqve tanë", shkroi mes tjerash, teksa ia bashkangjiti edhe një fotografi të realizuar me njërin nga vëllezërit Beqiraj.

Por, ajo që ra në sy ishte numri i madh i pëlqimeve që siguroi Kurti në rrjetin social gjegjës.

Për gjashtë orë ai arriti në shifra goxha të mira. 33 pëlqime, 2000 komente e mbi 350 shpërndarje.

Në fakt, rrjetet sociale kanë qenë gjithmonë arma më e fortë e partisë në veçanti, e të të parit të saj në veçanti.

Gjithsesi, aktualisht ai është politikani më i ndjekur në Facebook.

Momentalisht, Kurti gëzon 510 mijë ndjekës, gati 250 mijë më shumë sesa Ramush Haradinaj që pozicionohet i dyti në këtë ranglistë.

Lumir Abdixhiku ka 70 mijë, kurse 20 mijë sosh më pak ka Memli Krasniqi.

Rrjetet sociale në dekadën e fundit kanë zënë vend të rëndësishëm në politikë dhe jo vetëm te ne.

Kujtojmë shpenzimet marramendëse të politikanëve në mbarë botën, me theks të veçantë në ShBA, aty ku investohet më së shumti në rrjetet sociale, përgjatë periudhës “pre-elections”.

Në zgjedhjet e fundit kombëtare në vendin tonë, pra ato të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 51% të votave të përgjithshme, opozita fajin më të madh ua la rrjeteve sociale.

Pra, sipas tyre, abuzime me sondazhe në mediat vizuele e ato televizive kanë ndikuar te qytetarët kosovarë që të ndryshojnë perceptimin. Deri këtu është gjithçka në rregull, por ata akuzojnë se këto sondazhe kanë qenë të manipuluara.

Por, te Kurti është edhe një problem tjetër. Postimet për ndonjë ligj apo diçka të përafërt ku mund të humb vota, e ndryshon rrjetin. Kalon në Twitter. Thënë shkurt, ato postime, apriori vendime politike që nuk janë populiste, i plason në rrjetin social më pak të ndjekur nga kosovarët.

Gjë që mund të apostrofohet si lojë e kryeministrit. E gabuar gjithsesi. Një politikan duhet t’I bëjë publike të gjitha vendimet, çfarëdo qofshin ato.

Bazuar në statistikat e publikuara nga Agjencia për Statistika (ASK), një përqindje prej 93 përqindje të familjeve kosovare kanë pasur qasje në Internet gjatë vitit 2018, pra qysh para katër vitesh. Kështu kosovarët renditen në mesin e përdoruesve më të mëdhenj të internetit në Evropë, duke lënë prapa edhe vendet e zhvilluara si Gjermania e Franca.

Në Kosovë, bazuar në të dhënat nga ‘Kerolli’, gjatë vitit të kaluar kanë qenë 935 mijë persona në Facebook, derisa në Shqipëri 1 milion e 300 mijë.Rrjeti social i dytë më i përdorur është Instagrami me 632 mijë përdorues aktivë, kurse në Shqipëri janë regjistruar 1 milion e 200 mijë të tillë.Në vendin e tretë u pozicionua Snapchat-i me 540 mijë përdorues gjatë 2021-ës.

Lajme të ngjashme