Luftëtarët dhe pacifistët e Kosovës - NACIONALE

Luftëtarët dhe pacifistët e Kosovës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Ermal Mulosmani

Në Kosovë ka shpërthyer një debat i madh. Dikush ka zbuluar një status të Ministrit të Financave, Hekuran Murati, të vitit 2016 (6 vite të shkuara), në të cilin ai ka shkruar se Kosovës do t’i binte më mirë nëse do merrte mercenarë me pagesë sesa të paguajë gjithë jetën ish luftëtarët e UÇK-së. Ka bërë edhe llogaritë përkatëse. Sipas tij, UÇK ka bërë tre muaj luftë guerile, dhe, kërkesa për të paguar 100 milionë Euro në vit është jashtëzakonisht e ekzagjeruar. Madje, Murati, bën edhe një krahasim me fondin e Ushtrisë së Kosovës që është rreth 45 milionë Euro në vit, pra më pak sesa gjysma e pensioneve të veteranëve të UÇK-së. Në fund të llogarive matematike, Murati shton fjalinë-helm: “Edhe as faleminderit nuk kishim pasë nevojë me u thënë”.

Përveç këtij statusi Murati kishte një tjetër. Ky ishte pak më i ashpër. Sipas tij, nga luftimet mes UÇK-së dhe serbëve janë vrarë vetëm 300 serbë. Edhe këtu, përpos konstatimit të statistikës shton fjalinë e dytë helm: “Atëherë, a bën me e ditë me kënd kanë luftuar këta 46 mijë veteranë”?

Këto deklarata Hekuran Murati i ka shkruar në vitin 2016. Atë kohë ishte 28 vjeç dhe i papërfshirë në poste të larta politike.

Ky debat, sipas meje, është një reflektim i një konflikti "de profundis" (nga thellësitë) që ekziston mes luftëtarëve të UÇK-së dhe një pjese të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës që zgjodhi të mos luftonte për lirinë e Kosovës. Fjalia e parë e Hekuranit : “As faleminderit nuk kemi pasë nevojë me u thanë” (mercenarëve të huaj) reflekton ndjesinë e keqe që të jep mirënjohja e kërkuar. Ose le të themi, kapardisja e të fortit në kurriz të të dobëtit. Po a ka shumë si Hekurani në Kosovë?

Ky është problem më i madh. Droja se konflikti i heshtur, në thellësi të shpirtit, është shumë i përhapur mes luftëtarëve dhe pacifistëve ka qenë gjithmonë e fortë. Ngjarja e Ministrit të Financave veç ma përforcoi.

E kam këtë bindje edhe nga një ngjarje e treguar, e ndodhur në vitet e para pas çlirimit të Kosovës. Një miku im, që kishte kaluar periudhën e luftës në Shqipëri dhe që gëzonte një funksion të lartë në institucionet arsimore të Kosovës, ishte i ftuar në një ceremoni përkujtimore për një ngjarjeje të Luftës. Diku nga mesi i ceremonisë, zotërinë në fjalë e zë gjumi. Ai ishte edhe funksionar i LDK-së prej vitesh. Dikush e prek nga mbrapa dhe miku zgjohet trembshëm. Njëri nga “luftëtarët” e tribunës e sheh me urrejtje. Kishte njëfarë rëndësie në hierarkinë e sapodalë të luftëtarëve. Për tri ditë me radhë miku im, funksionar shtetëror, ishte në krizë paniku të thellë. Nuk kishte burrë t’i mbushte mendjen se kjo ishte një ngjarje pa rëndësi dhe se nuk ishte i rrezikuar. Në atë kohë kapardisja e luftëtarëve shoqërohej me përçmimin për frikacakët, le të themi me një fjalë më të butë, “paqësorët”. Këta të fundit ishin të trembur, ndjeheshin fajtorë brenda vetes. Për të kompensuar frustrimin, vazhdimisht flisnin mirë për UÇK-në. Kryesisht për luftëtarët e vdekur. E sidomos për NATO-n dhe Amerikën. Ata fokusoheshin në meritat e padiskutueshme të NATO-s për të relativizuar meritën e UÇK-së në nivele ordinere. Një i tillë dallohej menjëherë se nuk i duronte luftëtarët. Ai përmendte Adem Jasharin apo Zahir Pajazitin si heronjtë e vërtetë dhe goditjen vendimtare të NATO-s si pasojë të masakrave serbe të bëra publike. Një mënyrë efikase për të nervozuar pafund uçk-istat.

Retorika e këtyre të fundit ishte përbuzëse për paqësorët, mburravece për veten dhe kalonte në patetizëm bezdisës e glorifikim për udhëheqësit.

Shumica e popullsisë së Kosovës ishte e trembur asaj kohe dhe gjente te Ibrahim Rugova përfaqësuesin më adekuat të tyre, me gjithë kompleksitetin dhe rënien drastike të reputacionit pas takimit me Millosheviçin. Ata shihnin te Rugova liderin që i përfaqësonte më së miri. Kjo edhe përligj më së miri rezultatin e zgjedhjeve të 2004-ës.

Në luftën e UÇK-së morën pjesë aktive rreth 1% e popullsisë së Kosovës. Nëse e marrim të ekzagjeruar shifrën shkon deri në 2-3%. Çka do të thotë se 97% e kosovarëve nuk ishin aktivë në luftime. Ata zgjodhën me çdo mënyrë ti shmangen asaj, kush duke u arratisur në Shqipëri a vendet fqinje e kush në kontinentet më të largëta për ta harruar përgjithmonë zezonën.

Nga këta 97%, një pjesë e madhe e tyre, e admironin UÇK-në për guximin për t’iu kundërvënë regjimit represiv serb. Ata e donin me loçkë të shpirtit suksesin e saj edhe pse nuk ishin pjesë e gueriles. Kjo popullsi jetonte kryesisht në fshat (por kishte edhe në qytet) dhe përbënte bazën elektorale të Partisë së Hashim Thaçit apo Ramush Haradinajt. Le të themi se kjo pjesë shkon te 20-30% e popullsisë. Këta janë edhe frymëzuesit e lavdisë së luftëtarëve.

Pjesa që mbetej ndahej mes frikacakëve dhe konformistëve apo jugo-nostalgjikëve. Frikacakët e donin lirinë. Ama jo me çdo kusht. Në renditjen e nevojave të tyre, liria renditej shumë më poshtë sesa jeta. Liria ishte e mirëseardhur nëse vinte vetë. Ama nëse për lirinë duhej derdhur gjaku i tyre apo rrezikuar jeta, përgjigja ishte “Jo faleminderit”! Robëria ishte më e mirë sesa rreziku. Kudo në botë ka të tillë por në Kosovë kishte shumë. Pas lufte, kjo kategori po përballej me përçmimin e ri. I tillë ishte miku im. Ai i urrente ata sepse ata e urrenin atë. Përzihej në atë urrejtje edhe zilia për trimërinë e tyre me kompleksin e vet të inferioritetit. Mes këtyre intelektualëve zuri vend legjenda qesharake se Ibrahim Rugova ishte çlirimtari i vërtetë i Kosovës me vizionin dhe politikat e tij stabile. Shumë nga retorikat e asaj kohe për Rugovën janë edhe sot. Rezultati i 2004-ës ishte kryengritja e parë e tyre qysh pas lufte, një lloj hakmarrje. Sikur po thonin se ju vërtetë shisni pordhë por ne jemi më shumë dhe do të sundojmë pa ju.

Por vdekja e Rugovës e prishi ekuilibrat dhe “paqësorët” ndryshuan strehë.

Ndryshuan strehë por bezdinë për UÇK-në nuk e harruan. Ajo edhe u përcoll nga një brez në tjetrin. Fjala vjen, Hekurani (MInistri i Financave) ka qenë 12 vjeç kur u çlirua Kosova. E megjithatë ka trashëguar një urrejtje të tillë për UÇK-në. Sepse prindërit e tij, rrethi familjar apo ambienti rrethues e kanë ushqyer këtë sjellje.

A kanë bazë komentet e Ministrit përtej mllefit të lexueshëm? Mua më duket se po. Veteranët e UÇK-së duhet të ishin më të përulur. Nëse udhëheqësit e UÇK-së do të kuptonin se politika është tjetër gjë nga lufta, menjëherë pas saj, duhej të fitonin zemrat e kundërshtarëve të tyre. Nëse Hashim Thaçi dhe të tjerët do të lëshonin deklarata publike pajtimi, do t'i jepnte dorën e të përqafonte Ibrahim Rugovën, të shtrinte dorën e pajtimit ndaj të gjithë kosovarëve e të dënonin vrasjet politike të pasluftës, do të ishte politikani më i dashur i historisë së Kosovës. Nuk ka gjest më të madh pajtues sesa toleranca dhe përulja e fituesit. Me përulje do të merrte edhe zemrat e kundërshtarëve politikë dhe mbarë Kosovën. Por ai tren u humb në atë kohë.

Veteranët e UÇK-së nuk duhen shpërblyer. Përveç të plagosurve të mbetur gjallë por me pasoja dhe fëmijët që kanë humbur prindin. Të tjerët nuk kanë pse. E kanë bërë sepse ashtu e kanë ndjerë. Në këtë kuptim shifra prej 100 milionë Euro në vit është e tmerrrshme, e ekzagjeruar, fyese. Reagimi i Hekuran Muratit në vitin 2016 ka qenë absolutisht i arsyetuar. Si Hekurani i 2016-ës, jam i sigurtë, mendojnë edhe të gjithë ata që sot dëgjojnë se duhen paguar 60 mijë veteran… Si Hekurani i 2016-ës mendon edhe Hekurani i 2022-shit paçka se detyra ia kërkon të kërkojë ndjesë. Përtej ndjesës së tij, veteranët duhet të kuptojnë se kërkesat financiare për merita lufte nuk do jenë kurrë të mirëpritura nga shumica e atyre që nuk luftuan. Edhe nëse nuk e thonë atë punën e mercenarëve do ta mendojnë. Dhe nëse e mendojnë është njësoj.

Për mua më e rëndësishme sesa të masakrohet Hekurani për ato që thotë është të pyesim veten “A ka shumë si Hekurani”? Dhe nëse ka shumë të tillë, zgjidhja nuk është lincimi publik. Ajo rrugë nuk con kurrkund.

Lajme të ngjashme