Intervistë| Ish Komandanti i KFOR-it thotë se ka shumë rreziqe në rajon, samiti i BE i la “zhgënjim të thellë” - NACIONALE

Intervistë| Ish Komandanti i KFOR-it thotë se ka shumë rreziqe në rajon, samiti i BE i la “zhgënjim të thellë”

1 muaj më parë

nga Trina Zuka

Komandantët e KFOR-it ishin gjithnjë mes njerëzve kryesorë përkujdeseshin për sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, prania e tyre në medie ka shkuar duke u zbehur. Sidoqoftë, Erhard Buhler, ish komandant gjerman i KFOR-it ka folur në një intervistë për Nacionalen në lidhje me shumë tema të ndjeshme.

Anëtarësimi eventual i Kosovës në NATO, siguria brenda vendit, armët ruse në Serbi, dialogu me Serbinë dhe Gjykata Speciale ishin mes temave të diskutuara në këtë intervistë.

66 vjeçari ka përmendur dy dialogjet që po zhvillohen nga Brukseli e që e prekin mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, samitin e fundit të BE-së që e la atë me një “zhgënjim të madh” por edhe pretendimet që po bëhen në Gjykatën Speciale ndaj disa prej ish krerëve të UÇK-së.

Ai thotë se Serbia duhet më në fund të pranojë vuajtjet e pamatshme që regjimi i Millosheviqit u ka sjellë popujve të ish-Jugosllavisë, por konsideron që përgjegjësia për përparimin në dialog u takon të dyja vendeve.

Ndërsa që FSK të zhvillohet në një ushtri të përshtatshme për Kosovën, ka ende shumë punë për të bërë.

NACIONALE:

Z.Buhler ju keni shërbyer për vite me radhë në Kosovë si komandant i KFOR-it, si fillim, si e shihni situatën e sigurisë në Kosovë?

Buhler:

Gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë në Kosovë. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen për këtë. Siguria e jashtme garantohet nga prania e KFOR-it. Nga ana tjetër, jam i shqetësuar për ndikimin në rritje të shteteve si Rusia, Kina dhe të tjera në Ballkanin Perëndimor. Aq më tepër, sepse ka shumë çështje të pazgjidhura dhe konflikte të mundshme të ngrira në rajon. Prandaj është më e rëndësishme që procesi i integrimit evropian të përparojë përfundimisht. Në këtë drejtim, Samiti i fundit Evropian ishte një zhgënjim për mua. Për mua nuk ishte një "ditë e mirë për Evropën", siç është shprehur presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Kisha pritur vendime konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor.

NACIONALE:

Sa mendoni që janë në nivel institucionet e sigurisë së Kosovës për t’u përkujdesur rreth sigurisë në vend?

Buhler:

Është bërë shumë në Kosovë gjatë viteve të fundit. Unë i konsideroj policinë dhe FSK-në institucione shumë efikase. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë me FSK-në në mënyrë që të zhvillohet në një ushtri të përshtatshme për Republikën e Kosovës, siç kërkohet me ligj. Unë jam shumë mbështetës i këtij procesi dhe shpresoj për përparim të shpejtë në të ardhmen e afërt.

NACIONALE:

Në Kosovë ka shqetësime rreth armatosjes së Serbisë nga Rusia e Kina. Sa mendoni që janë reale këto shqetësime?

Buhler:

Është e drejtë legjitime e Serbisë që të pajisë në mënyrë adekuate forcat e saj të armatosura. Kjo ndodh edhe me ushtritë perëndimore. Për shembull, mendoni për helikopterët që Serbia bleu për ushtrinë e saj. Më i rëndësishëm është vullneti politik se si ato përdoren. Unë i kuptoj shqetësimet e fqinjëve të Serbisë, veçanërisht të Republikës së Kosovës, në lidhje me retorikën nganjëherë agresive të disa politikanëve serbë, të cilët kërcënojnë haptazi me dislokimin e forcave të armatosura. Një fakt që vështirë se dihet në publik në Evropën Qendrore.

NACIONALE:

Pas agresionit rus në Ukrainë, sa është prekur brishtësia e sigurisë në rajon?

Buhler:

E gjithë Evropa dhe bota është e prekur nga pasojat e luftës kriminale të regjimit të Putinit kundër Ukrainës, duke përfshirë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është më e rëndësishme që Perëndimi urgjentisht të marrë vendime strategjike në lidhje me perspektivën evropiane.

NACIONALE:

Autoritetet më të larta të Kosovës dhe partitë politike po kërkojnë nga faktorët ndërkombëtarë që të mbështesin Kosovën në përshpejtimin e anëtarësimit të saj në NATO. A është afër Kosova për anëtarësim në NATO? Sa po punohet në këtë drejtim?

Buhler:

Mendoj se qëllimi është i drejtë dhe e mbështes. Megjithatë, këtu kërkohet ende një punë e madhe politike dhe ushtarake. Politikisht në dialogun multilateral dhe bilateral evropian me katër shtetet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por edhe në procesin e pajtimit ndërmjet Serbisë dhe Republikës së Kosovës dhe shteteve të tjera të ish-Jugosllavisë. Kjo i drejtohet në radhë të parë qeverisë serbe, e cila më në fund duhet të pranojë vuajtjet e pamatshme që regjimi i Millosheviqit u ka sjellë popujve të ish-Jugosllavisë. Edhe ushtarakisht, ka ende shumë për të bërë për të transformuar FSK-në në një ushtri që synohet të jetë e ndërveprueshme me ushtritë e anëtarëve të NATO-s.

NACIONALE:

Qeveria e Kosovës para disa muajve ka themeluar Fondin e Sigurisë, mjete këto të cilat do të shfrytëzohen për ministrinë e Mbrojtjes. Sa është e vlefshme një gjë e tillë për Kosovën?

Buhler:

Nëse është e mundur sipas ligjit kosovar dhe është e nevojshme të krijohet dhe të përdoret një fond i tillë, atëherë nuk ka asgjë për ta penguar atë.

NACIONALE:

Si e shihni procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se është afër marrëveshja mes të dyja vendeve?

Buhler:

Në këtë aspekt, i lejoj vetes ta vlerësoj moderimin nga përfaqësuesit e BE-së për disa arsye si jo shumë të suksesshme. Gjithmonë shprehja e optimizmit dhe ngritja e pritshmërive në nivelin më të lartë, pastaj formulimi i kushteve të mëtejshme përmes zëdhënësve dhe kritikimi publik i palëve negociuese nuk është i mjaftueshëm dhe joefektiv. Sigurisht, përgjegjësit kryesorë janë negociatorët e dy vendeve. Së bashku duhet të përpiqeni të formuloni një interes dhe qëllim strategjik mbizotërues që ndiqet nga të dyja palët.

NACIONALE:

Krerët e UÇK-së po mbahen ende në paraburgim në Hagë, përderisa për dy nga ta është caktuar masa e burgimit. Si e vlerësoni këtë gjykatë Speciale?

Buhler:

Nuk dua të komentoj hetimet që po ndodhin. Kjo vlen edhe për themelimin e gjykatës Speciale, e cila është bazuar edhe në një vendim politik të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, jam i befasuar për kohëzgjatjen e procesit. Pretendimet dhe provat ishin padyshim aq të pasakta dhe të paqarta saqë ushtarët gjermanë po merreshin edhe nga policia në mbështetje të Gjykatës 20 vjet pas vendosjes së tyre në Kosovë në vitin 1999. Përderisa nuk është shqiptuar asnjë vendim, unë i konsideroj të gjithë personat të pafajshëm.

Lajme të ngjashme