Rusët përparojnë në Donbas, pas Sievierodonetsk-ut shpallin marrjen e qytetit të madh Lysychansk - NACIONALE

Rusët përparojnë në Donbas, pas Sievierodonetsk-ut shpallin marrjen e qytetit të madh Lysychansk

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Ministri rus i Mbrojtjes ka thënë të dielën se forcat ruse kanë marrë nën kontroll qytetin e fundit të madh ukrainas, duke e sjellë Moskën edhe më afër qëllimit të saj për pushtimin e gjithë rajonit të Donbasit.

Në një deklaratë të lëshuar nga ministria, thuhet se Sergei Shoigu i ka thënë presidentit Vladimir Putn se trupat ruse së bashku me anëtarët e një milicie separatiste lokale "kanë vendosur kontroll të plotë mbi qytetin e Lysychansk".

Ndër të tjera, sipas Associated Press në deklaratën e ministrisë thuhet se “marrja e Lysychansk përbën "çlirimin e Republikës Popullore të Luhanskut", një nga dy rajonet separatiste në Ukrainë që Rusia njeh si sovrane.

E ndërsa, ushtarët ukrainas kanë kaluar javë të tëra në përpjekje për ta mbrojtur qytetin nga duart e forcave ruse, lidhur me deklaratën ruse për marrjen e tij nuk ka pasur ende ndonjë reagim nga zyrtarët ukrainas.

Por, më herët gjatë ditës, guvernatori i Luhansk tha se forcat ruse po forconin pozicionet e tyre në një luftë rraskapitëse për të kapur bastionin e fundit të rezistencës në provincë.

"Okupatorët hodhën të gjitha forcat e tyre në Lysychansk. Ata sulmuan qytetin me taktika mizore të pakuptueshme”, ka shkruar guvernatori i Luhansk, Serhiy Haidai në Telegram, duke shtuar se rusë “po pësojnë humbje të konsiderueshme, por po përparojnë me kokëfortësi dhe po fitojnë terren në qytet.”

Lajme të ngjashme