Kosova ta shfrytëzojë luftën në Ukrainë për forcim të raporteve me aleatët - NACIONALE

Kosova ta shfrytëzojë luftën në Ukrainë për forcim të raporteve me aleatët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim [LB], Valon Murati, është prej politikanëve të vetëm shqiptarë të Kosovës që avokon në mënyrë eksplicite idenë e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Ai ka thënë se dridhjet e sistemit ndërkombëtar për vendet e vogla sjellin rrezik por edhe mundësi të mëdha.

Por, çfarë mendon Valon Murati dhe a është optimist se zhvillimet e fundit në Ukrainë do të përafrojnë Kosovën me Shqipërinë?

Muhamet Koci nga gazeta Nacionale ka intervistuar z. Murati në lidhje me zhvillimet e fundit, dhe ai nuk ka përtuar që të ofrojë përgjigje të drejtpërdrejta duke u kërkuar institucioneve të Kosovës që të tregohen vigjilente ndaj situatës së krijuar.

Nacionale:

Z. Murati, ashtu siç kishte paralajmëruar SHBA-ja, Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës. E keni pritur një gjë të tillë?

Murati:

E kam përcjellë për një kohë të gjatë dinamikën e zhvillimeve në mes të Rusisë dhe Ukrainës. Deri 4-5 ditë para sulmit, kur veç filloi të bëhej e qartë se sulmi është i pashmangshëm, nuk e kam pritë se Rusia do të sulmojë, sepse mu krijua përshtypja se ajo i arriti qëllimet e veta gjeopolitike: pengimin e anëtarësimit, apo edhe afrimit të Ukrainës me NATO-n. Por si duket, qëllimet e shtetit rus shkojnë përtej këtij synimi.

Nacionale:

Cili është mendimi juaj për këtë agresion, i cili po konsiderohet si më i rëndi pas Luftës së Dytë Botërore?


Murati:

Kur njeriu jeton një kohë në paqe, të krijohet përshtypja se lufta është e pamundshme. Ne e kemi përjetuar luftën jo shumë moti, por nuk duhet të harrojmë se po rriten gjenerata të tëra, për të cilët lufta dhe Serbia janë kujtime nga bisedat familjare dhe mësime historie. Vetë Evropa, jashtë rajonit tonë, paqen e ka shumë më të gjatë, diku rreth 77 vite. Në këto rrethana të kësaj paqeje të gjatë në truallin evropian, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vjen si një shok i papritur. Nuk ka dyshim, ky agresion jo veç që ka qenë i pamenduar (përkundër disa paralajmërimeve ruse me luftën e vitit 2008 në Gjeorgji e po ashtu me Ukrainën në vitin 2014 në Krime), por i këtyre përmasave edhe i pashembullt në dekadat e fundit. Sulmi ndaj një shteti të pavarur, i paprovokuar dhe me akuza false se ai shtet po udhëhiqet nga neo-nazistët dhe po bën gjenocid, ka tronditur të gjithë dhe ka goditur edhe rendin aktual ndërkombëtar. Në thelb Rusia dhe regjimi i presidentit Putin, si duket kanë vendosur që përmes kësaj lufte, të bëjnë përpjekje t’i japin fund këtij rendi botëror të vendosur prej rënies së murit të Berlinit dhe shpërbërjes së BRSS-së, apo së paku ta tronditin atë, për ta vendosur Rusinë në një pozitë tjetër në hierarkinë e atij rendi botëror.

Nacionale:

Pse mendoni se e ndërmori këtë veprim Vladimir Putini?


Murati:

Sipas të gjitha gjasave nuk është vetëm një, por janë disa arsye për këtë sulm. Rusia viteve të fundit është ndjerë mjaftueshëm e fuqishme që të fillojë përpjekjet për të kthyer statusin e vet si një fuqi botërore, duke u ndjerë ngushtë në rrobat e fuqive rajonale, ashtu siç filloi të trajtohej pas Luftës së Ftohtë. Në këtë funksion ajo ka bërë përpjekje serioze për të bërë rikthimin e hegjemonisë ruse në hapësirat të cilat kanë qenë pjesë e BRSS-së, si dhe të vendoste një tampon zone me NATO-n, e ku një rol në këtë plan të saj e luan territori i Ukrainës. Definitivisht qëllimi akut është ndalimi i çfarëdo mundësie që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s, dhe këtij qëllimi, çfarëdo që do të jetë përfundimi i luftës, veç ia ka arritur. Por përtej këtij qëllimi, si duket Rusia synon edhe një ndikim më të thellë në rregullimin e brendshëm të Ukrainës, qoftë përmes aneksimit të një pjese të territorit të saj, qoftë përmes vendosjes së një regjimi kukull, qoftë të dyja këto të kombinuara. E kam përshtypjen që në këto qëllimet e brendshme, rezistenca ukrainase dhe përkrahja e Perëndimit, do t’ia prishin planet Putinit dhe Rusisë. Me këtë agresion në planin e politikës së jashtme, Rusia në thelb po bën përpjekje për të rishkruar jo vetëm vijat gjeopolitike dhe vendosjen e një baraspeshe të re të forcave, por duke sfiduar arkitekturën e tanishme të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të institucioneve ndërkombëtare multilaterale në të cilat ato bazohen, të ndikojë në ndryshimin e kësaj arkitekture duke fuqizuar pozitën e Rusisë. A do t’ia arrijë kësaj të fundit mbetet të shihet, por një gjë është e sigurt, kjo arkitekturë e marrëdhënieve ndërkombëtare ka pësuar tronditje e çarje dhe për ndryshimin e saj, ndonëse heshturazi për momentin, por zëshëm në raste të tjera, është duke u angazhuar edhe Kina.

Nacionale:

Perëndimi e ka dënuar veprimin e Putinit, duke vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë. Ka mundur të reagojë më fuqishëm bota perëndimore?


Murati:

Ka kohë që Perëndimi ka qenë i përçarë në nivelin politik dhe ekonomik dhe kjo ka reflektuar në politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes. Jo vetëm raportet transantlantike (raporti BE-SHBA-të dhe rrjedhimisht roli i NATO-s në këto marrëdhënie) kanë qenë të tensionuara tash e një kohë, por edhe vetë Evropa, përkatësisht BE-ja, ka hasur në vështirësi për të ndërtuar Politikën e saj të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Si duket agresioni rus, ka përshpejtuar rikthimin e një uniteti të Perëndimit, dhe ka bërë që ai të jetë më i larti në këto dekadat e fundit, së paku që prej kohës së luftës së Irakut e deri më sot. Sigurisht, edhe Ukraina dhe tërë bota po e paguan edhe çmimin e këtyre kundërthënieve të gjata, sepse Rusia ka punuar me durim dhe këmbëngulësi tash e një kohë dhe me konsistencë që të shfrytëzojë këtë çarje për të çuar përpara interesat e saj politikë dhe ekonomikë. Mos të harrojmë, sot Evropa është e varur nga gazi dhe nafta ruse, por jo vetëm. Tregu i patundshmërive në Londër, një treg multimilidardësh, apo tregu italian i veshmbathjeve luksoze varet nga paratë e oligarkëve rus. Krejt kjo situatë nuk e ka bërë të lehtë reagimin e SHBA-ve, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, por në anën tjetër edhe reagimi ushtarak, siç pretendohet ndonjëherë do të thoshte rrezik për një luftë bërthamore me përmasa katastrofale për botën. Andaj sanksionet që çdo ditë e më shumë po ashpërsohen për nga natyra e tyre e që po i marrin aleatët perëndimor ndaj Moskës zyrtare dhe Putinit e oligarkëve të tij, përcjell me ndihmën me armë dhe pajisje të tjera ushtarake por edhe inteligjencë ushtarake për Ukrainën, është rruga e duhur për momentin. Nuk ka dyshim se këto sanksione do ta godasin edhe ekonominë evropiane e amerikane, si dhe atë globale, por një çmim për këtë agresion të Rusisë do ta paguajmë të gjithë, e mbi të gjitha ekonomitë e fuqishme të vendeve anëtare të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve. Sigurisht forcimi i vazhdueshëm i aleatëve të NATO-s dhe BE-së (dhe jo vetëm atyre që janë afër zonës së luftës dhe në kufi apo afër me Rusinë) qoftë në planin ushtarak e qoftë në atë politik, duhet të jetë hapi i ardhshëm për të ndalur ndonjë mundësi të zgjerimit të agresionit rus, apo destabilizimit të atyre vendeve përmes luftës speciale.

Nacionale:

Ekziston frika se Rusia do të vazhdojë të nxisë luftëra në rajone të tjera të Evropës, ku nuk ka stabilitet politik. A është i rrezikuar Ballkani Perëndimor prej këtyre ndikimeve?


Murati:

Ballkani Perëndimor ka kohë që është në ndikimin e një politike destabilizuese të Rusisë. Dhe ajo do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që aty ku mundet të shfrytëzojë situatat konfliktuoze në Ballkan për të shkaktuar tensione dhe trazira. Bosnja dhe Hercegovina mbetet një pikë nevralgjike me mundësi të vazhdueshme të destabilizimit. Mali i Zi po ashtu është një vatër tensioni, por ai ka përparësinë e të qenit vend i NATO-s. Në anën tjetër, veriu i Kosovës mund të jetë cak i destabilizimit nga ana e Rusisë, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes Serbisë. Sidoqoftë prania e KFOR-it në Kosovë, përkatësisht NATO-s dhe e vetë trupave amerikane, e po ashtu pozita e brishtë e Serbisë në këtë konflikt të ri gjeopolitik, nuk lë shumë hapësira që aktualisht Serbia hapur dhe drejtpërdrejtë të luajë rolin e destabilizuesit të Kosovës, e aq më pak të një agresioni të mundshëm, të stilit të Rusisë ndaj Ukrainës. Sa i përket Rusisë, ajo nuk do të lë gur pa lëvizur për të shfrytëzuar ndonjë destabilizim të Kosovës, andaj duhet të jemi ne dhe aleatët tanë syçelë për të parandaluar çfarëdo incidenti në veri të Kosovës.

Nacionale:

Me invazionin rus në Ukrainë duket se rendi botëror që e ka çliruar dhe pavarësuar Kosovën ka filluar të shembet. Sa shqetësuese mund të kjo për Republikën e Kosovës, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e shtetësisë?

Murati:

Situata të tilla të dridhjeve të mëdha në rendin ndërkombëtar për shtetet e vogla si Kosova dhe për popujt e vegjël si shqiptarët, mund t’i kenë dy anë të medaljes. Përveç rrezikut që mund të paraqesë për ne, sidomos për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura me Serbinë, një situatë e tillë mund të jetë edhe një mundësi e madhe. Shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë këtë situatë që të fuqizojnë edhe më tej aleancën me Perëndimin në funksion të forcimit të pozitës së tyre në Ballkan dhe paqes në të. Në këtë situatë kur marrëdhëniet në mes të Perëndimit dhe Rusisë janë në pikën më të ulët që prej Luftës së Ftohtë, dhe mbi të gjitha duke e pasur parasysh se Serbia po përpiqet ta luajë lojën e vjetër, dhe të ulet në dy karrige, e që në këto rrethana po ia vështirëson pozicionin jashtëzakonisht shumë, ka gjasa reale të hapet rruga për anëtarësimin e Kosovës në NATO, njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së, e pse jo në rrethanat e reja që mund të krijohen, e në bashkëpunim me aleatët tanë, të ndodh edhe bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sot, kur Rusia qoftë vetëm, qoftë përmes Serbisë, mund të përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe rajonin, është mundësia jonë që në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në të forcojmë sigurinë tonë, të kërkojmë fuqizimin tonë ushtarak, anëtarësimin në NATO, e të njëjtën kohë është një moment i duhur që aleancën çdoherë e më të madhe të shtetit shqiptar me SHBA-të dhe rolin e saj aktiv në NATO e në OKB ta përkthejë edhe në fuqizimin e ushtrisë shqiptare me pajisje ushtarake e armë moderne.

Nacionale:

Në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova është duke diskutuar për fazën finale. Mund të pritet që kjo luftë të ndikojë në këtë proces?


Murati:

Sigurisht që do të ketë ndikimin e saj. Dinamika e dialogut nuk mund të pritet të rritet në këto rrethana. Po ashtu janë zgjedhjet në Serbi në muajin prill të cilat do të prekin këtë dinamikë. Sidoqoftë, ne nuk duhet ta injorojmë dialogun. Përkundër qasjes së politikës serbe, dhe përtej ndasive tona dhe indiferencës që kemi treguar ndaj dialogut, ne duhet të shfrytëzojmë mekanizmin e dialogut për të dëshmuar konstruktivitetin tonë në rajon dhe partneritetin me SHBA-të dhe BE-në. Për më tepër, përmes dialogut është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet e mbetura me Serbinë, përfshirë këtu pozitën e shqiptarëve në Kosovën Lindore. Andaj edhe në këto rrethana dialogu mbetet interes yni vital, përmes së cilit mund ta rrumbullakojmë procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës.

Nacionale:

Cilat duhet të jenë veprimet e institucioneve të Kosovës pas kësaj situate?


Murati:

Në këtë situatë Kosova duhet të koordinojë politikat e saj me SHBA-të dhe BE-në, duhet të kërkojë rritjen e bashkëpunimit me NATO-n dhe qeveria jonë duhet të vendosë një bashkëpunim të ngushtë me qeverinë në Tiranë. Çdo situatë tensioni duhet të na gjejë bashkë dhe me nivel të lartë bashkëpunimi.

Nacionale:

Qeveria e Kosovës u ka thënë "jo" disa kërkesave amerikane. Sa i rrezikshme mund të jetë për Kosovën mos-koordinimi i plotë me SHBA-në dhe aleatët në këtë situatë?


Murati:

Ne nuk e kemi komoditetin që me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, të biem në kundërthënie. Tani më pak se asnjëherë deri më tani. Andaj Qeveria e Kosovës do të duhej që kujdesshëm t’i trajtojë të gjitha çështjet me qeverinë amerikane. Në rast të situatave si me asociacionin, që e godasin rëndë funksionalitetin e shtetit tonë, një jo është e pamjaftueshme dhe acaron marrëdhëniet. Në situata të tilla, partnerëve tanë u duhet ofruar alternativa jonë. Edhe në këtë situatë, reciprociteti, përkatësisht çdo gjë që kërkohet për serbët në veri, t’u ofrohet shqiptarëve në Kosovën Lindore, është parimi më i drejtë të cilin do të duhej ta shtynim ne përpara. Sot në rrethanat e reja, është më lehtë të flitet edhe me aleatët, e posaçërisht me ShBA-në, se duke u shtyrë përpara projekti i asociacionit vetëm në Kosovë, kjo zgjidhje do të ishte burim i ri i destabilitetit të shtetit të Kosovës, përkatësisht i destabilitet edhe për interesat e Perëndimit në rajon. Sa i përket projektit të gazit, as atëherë e as tani nuk shoh asnjë arsye për të mos u bërë pjesë e tij. Qeveria jonë, duhet urgjentisht ta rishikojë pozicionin e saj sa i përket gazit amerikan, sidomos tani në kontekstin e një rrethane gjeopolitike, kur përpjekjet për të zvogëluar varësinë evropiane nga gazi rus do të shkojnë duke u rritur. Të gjitha përparësitë që mund të na i sjell gjeopolitika e re, ne duhet t’i shfrytëzojmë maksimalisht.

Lajme të ngjashme