“Përgjegjësia dhe urdhërdhënia shkojnë përtej Radojiçiqit, rrebelimi i armatosur është çmenduri”: Intervistë me Zdravko Ponos - NACIONALE

“Përgjegjësia dhe urdhërdhënia shkojnë përtej Radojiçiqit, rrebelimi i armatosur është çmenduri”: Intervistë me Zdravko Ponos

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Grupi paramilitar i udhëhequr nga Milan Radojçiq që sulmoi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator “kishte për qëllim aneksimin e plotë të veriut të Kosovës”, tha Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë për shtyp, ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë në “Sky News” dha interpretimin e tij se grupi ushtarak kishte zgjedhur Manastirin e Banjskës për të kryer sulmet me shpresën se do të pasonte një reagim i rëndë i Policisë së Kosovës ku “pelegrinë dhe peshkopë do të mund të lëndoheshin” në mënyrë që sulmuesit të arrinin t’ia jepnin konfliktit “një shije fetare”. Kurti e jep për fakt të kryer se kjo është bërë “me dijeninë dhe pjesëmarrjen” e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Sveçla shtonte se përveç Vuçiqit “të angazhuar drejtpërsëdrejti” ishin edhe Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq.

Një nga kundërshtarët dhe kritikët më të mëdhenj të Aleksandar Vuçiqit, ish-kandidati i Opozitës së Bashkuar serbe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, Zdravko Ponos, në një intervistë me Nacionalen, fillimisht na thotë se “unë nuk jam fans i emrit e as veprave të Presidentit Vuçiq, por jam i sigurt që ai s’ka planifikuar budallallëk të tillë”; ndërsa thotë se nga ato që ka dëgjuar prej Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla pati edhe “interpretime kreative...dhe kualifikime që mund të arrihen nga autoritetet gjyqësore pas një hetimi gjithpërfshirës që ende ka kohë të bëhet”.

Qartazi kjo është njëfarë lufte informacioni, që Prishtina e kreu me më shumë sukses se Beogradi në ato ditë. Por ishte e tepërt”, thotë ai.

Për Ponos, i cili edhe ka shërbyer vetë si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë gjatë viteve 2006-2008, ajo çfarë ndodhi në Banjskë “u udhëhoq nga dikush që s’është fare kompetent” teksa shton edhe pyetjen se “ato video nga Banjska a i tregojnë ndokujt se ai grup paramilitar që pamë ishin të organizuar dhe të gatshëm për operacion?”.

Vuçiq u befasua nga ajo çfarë ndodhi në Banjskë. Ideja e tij për të krijuar përshtypjen në mesin e serbëve në veri se ata janë duke u vetëorganizuar me sukses dështoi dhimbshëm. Njerëzve që vdiqën ju dhanë uniforma dhe ju vunë armë në duar, por kjo nuk i bën ata ushtarë. Është e qartë se ata u udhëhoqën nga dikush që nuk është fare kompetent. Përtej faktit që është e papërgjegjshme dhe çmenduri që pakënaqësia, frika dhe frustrimi i arsyeshëm i serbëve në Kosovë të kanalizohet asisoji që njerëzit të nisen në rrebelim të armatosur. Një polic u vra, një njeri në detyrë, një shqiptar, dhe do të mund të kishte qenë edhe serb, nëse Vuçiqi s’do ta kishte urdhëruar dorëheqjen e serbëve nga forca policore”, tha Ponos për Nacionalen.

Politikani serb thotë se e tërë ajo çfarë bën Vuçiq është “bartja e përgjegjësi te serbëve në veri të Kosovës” dhe se tashmë kjo gjë është e dëshmuar me atë se e ka bërë kaherë “shpërlarjen e përgjegjësisë për rezultatet katastrofike në fushën politike”.

Ponos, megjithatë, kërkon “të vërtetën” për ngjarjet në Banjskë derisa shton se “është naive” të paramendohet se “përgjegjësia dhe urdhërënia” përfundon me Milan Radojiçiqin. Për atë që ky i fundit ka marrë përgjegjësi të plotë personale, Zdravko Ponos thotë se ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të Serbisë. “Veprimi për të cilin Radojiçiqi morri pëgjegjësi u shkaktoi dëme tejet të mëdha interesave të Serbisë dhe dëmtoi reputacionin ndërkombëtar dhe kërcënoi edhe më tej mbijetesën e serbëve të Kosovës”, tha ai.

Ponos shprehet se sa i përket komunikimit të shëndetshëm shqiptaro-serb, ishte Oliver Ivanoviq, ekzistenca e të cilit e pengonte dikë; teksa shprehet edhe se “një Oliver i ri nuk është shfaqur ende as nga pala serbe as nga ajo shqiptare”.

Vërejtje: Intervista me Zdravko Ponos është realizuar në formë të shkruar ndaj edhe nuk kemi pasur mundësi për nën-pyetje.

Intervista e plotë me Zdravko Ponos:

Nacionale: Ministri kosovar i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë shtypi tha se janë në posedim të disa dokumentacioneve që kanë konfiskuar nga sulmuesit në Banjskë (dokumente të cilat, siç tha ai, nuk mund t’i ndajë ende me publikun) që dëshmojnë që qëllimi ishte “Aneksimi total i veriut të Kosovës” dhe se sulmet do të kryheshin nga “37 lojacione”. Gjithashtu tha se drejtpërsëdrejti të angazhuar në këtë “aneksim” të përfshirë ishin Presidenti i Serbisë, Ministri serb i Mbrojtjes, dhe Shefi i Ushtrisë së Serbisë. Si i keni lexuar ju këto deklarime të autoriteteve të Kosovës?

Zdravko Ponos: Deklarimet e zyrtarëve të Prishtinës më 24 shtator të gjithë po i shihnin me kujdes sepse po trajtonin informacione që të tjerët nuk i kishin. Pak më vonë, ditët në vijim, përveç informacioneve, u komunikuan edhe interpretime kreative, për ta thënë butë, jo vetëm të asaj çfarë ndodhi, por edhe asaj që planifikohej. Qartazi kjo është njëfarë lufte informacioni, që Prishtina e kreu me më shumë sukses se Beogradi në ato ditë. Por ishte e tepërt. Ministër Sveçla shpesh doli jo vetëm me informacione por edhe me kualifike që mund të arrihen nga autoritetet gjyqësore pas një hetimi gjithpërfshirës që ende ka kohë të bëhet. Një perlë (gem) e veçantë është kjo deklarata që the se zyrtarët serbë ishin të përfshirë në këtë aneksim të veriut të Kosovës. Unë nuk jam fans i emrit e as veprave të Presidentit Vuçiq, por jam i sigurt që ai s’ka planifikuar budallallëk të tillë. Në fund të fundit, ato video nga Banjska a i tregojnë ndokujt se ai grup paramilitar që pamë ishin të organizuar dhe të gatshëm për operacion? Sjellja e disa njësive të Ushtrisë së Serbisë dhe vendosja e tyre në barrakat e Rashkës dhe Kurshumlisë gjithashtu nuk e mbështetë atë pretendim.

Jam i bindur se nëse Beogradi ka ndofarë agjende, ajo përfundon me bartjen e përgjegjësisë te serbët në veri për t’u vetëorganizuar dhe të kujdesen për veten. Krejt kjo me justifikimin se Beogradi nuk mund të ndihmojë më shumë se kaq tash, dhe duke u dhënë premtime se do të jenë aty afër për të ndërmarrë hapa nëse siguria e tyre kërcënohet drastikisht. Ne tashmë e kemi e parë shpërlarjen e përgjegjësisë për rezultatet katastrofike në fushën politike.

Nacionale: “The Guardian” raportoi se pas luftimeve në Banjskë zyrtarë të ShBA-së “privatisht...i shohin bindëse dëshmitë” se autoritetet shtetërore serbe janë të përfshirë në armatimin dhe trajnimin e grupit paramilitar të udhëhequr nga Radojiçiq. Nëse kjo vendoset pas nje hetimi, që përnjëmend Serbia ka bërë atë çfarë Kosova thotë se kanë bërë, çka i bie kjo për Serbinë?.

Zdravko Ponos: Për çdo ngjarje që dëmton interesat e shtetit, duhet të vendoset edhe përgjegjësia politike. Përgjegjësia politike dhe urdhërdhënëse nuk mund të merr fund me Radojiçiqin. Kjo përpjekje është naive. Është e rëndësishme të dihet e vërteta. Qytetarët e Serbisë kanë të drejtë ta dinë. Kjo është e rëndësishme për Serbinë, jo vetëm për shkak të çështjes së Kosovës, por edhe për shkak të gjithçkaje tjetër që shënon vitet e sundimit të Partisë Përparimtare të Serbisë së Aleksandar Vuçiqit.

Mendoj se për popullin që jeton në Kosovë, shqiptarët dhe serbët, e vërteta është gjë që u duhet. Disa nga udhëheqësit e Listës Serbe kanë pasur marrëdhënie të privilegjuara personale, dhe dukshëm edhe biznesore me shqiptarë me ndikim, dhe jo vetëm nga bota e politikës. Ua rikutjoj se Lista Serbe dhe liderët e saj ishin partnerë me qeveritë në Prishtinë. Serbët nuk kanë prosperuar nga ai partneritet, dhe do të thoja që as shqiptarët në Kosovë. E kam fjalën, sigurisht, për njerëzit e zakonshëm.

Njeriu i cili po kërkonte mënyra të shëndetshme komunikimi dhe bashkëjetese mes serbëve dhe shqiptarëve ishte Oliver Ivanoviqi. Dikujt po i pengonte ai. Duke qenë se hetimet as në Prishtinë as në Beograd s’kanë dhënë përgjigje në pyetjen se kush qëndron prapa vrasjes së tij nënkupton vetëm një gjë – kushdo që është përgjegjës është ende i fuqishëm. Një Oliver i ri nuk është shfaqur ende as nga pala serbe as nga ajo shqiptare.

Nacionale: Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Shtetit ditë më parë alarmuan për një grumbullim “të paprecedentë” të trupave ushtarake dhe artilerisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën. Ju keni lëshuar një tweet se kjo ishte “kalkulim diletant” i Vuçiqit. Çfarë po provn të arrijë Vuçiqi duke grumbulluar numër kaq të madh forcash në kufi, duke e ditur që NATO-ja është përbrenda Kosovës dhe që Serbia s’arrin dot gjë ushtarakisht?

Zdravko Ponos: Vuçiq u befasua nga ajo çfarë ndodhi në Banjskë. Ideja e tij për të krijuar përshtypjen në mesin e serbëve në veri se ata janë duke u vetëorganizuar me sukses dështoi dhimbshëm. Njerëzve që vdiqën ju dhanë uniforma dhe ju vunë armë në duar, por kjo nuk i bën ata ushtarë. Është e qartë se ata u udhëhoqën nga dikush që nuk është fare kompetent. Përtej faktit që është e papërgjegjshme dhe çmenduri që pakënaqësia, frika dhe frustrimi i arsyeshëm i serbëve në Kosovë të kanalizohet asisoji që njerëzit të nisen në rrebelim të armatosur. Një polic u vra, një njeri në detyrë, një shqiptar, dhe do të mund të kishte qenë edhe serb, nëse Vuçiqi s’do ta kishte urdhëruar dorëheqjen e serbëve nga forca policore.

Vuçiq së pari ua barti përgjegjësinë sebrëve lokalë, duke pretenduar se ato u vetëorganizuaan dhe u vetëarmatosën në treg të dorës së dytë ose në treg të gjelbërt. Pastaj deshi të mbulonte dështimin duke i inkurajuar duke grumbulluar trupa në kazerma përgjatë vijës administrative. Duke sjellur disa njësite, ai më pastaj deshi t’i ngriste bastet, duke menduar se do të ishte ngjarje për njerëz të rëndësishëm të cilët kishin reagim tejet negativ ndaj Banjskës që ta kontaktojnë. Ai bëri përllogaritje të mirë që ata do të ktheheshin tek ai. Ai përllogariti keq se si do të ishin bisedat. Rezultati ishte kthimi mbrapsht i menjëhershëm i atyre njësive në kazermat e tyre të kohërave të qeta. Është e qartë se ai s’pati qëllim që të kalonte linjën administrative me forca ushtarake. Ai thjesht edhe njëherë i shkaktoi dëm Serbisë dhe ngreu vëmendje negative. As nuk i inkurajoi e as nuk i mbrojti serbët në veri. Lëvizje të tilla të ushtrisë ne kemi vështruar shumë herë më parë. Shërbeu si mundësi për të bërë fotografi dhe të shpërqendrojë vëmendjen nga problemet që ky regjim po krijonte.

Nacionale: Çfarë prisni të ndodhë me Radojiçiqin dhe a ka llogari Serbia të mos ia dorëzojë atë autoriteteve kosovare për ta vendosur para gjyqi?

Zdravko Ponos: Nuk e kam të qartë se mbi çka bazohet pritshmëria se Sebria do ta jep Radojiçiqin te autoritetet në Prishtinë. Radojiçiqi është qytetar i Serbisë dhe është nën juridiksionin e autoriteteve gjyqësore tona.

Veprimi për të cilin Radojiçiqi morri pëgjegjësi u shkaktoi dëme tejet të mëdha interesave të Serbisë dhe dëmtoi reputacionin ndërkombëtar dhe kërcënoi edhe më tej mbijetesën e serbëve të Kosovës. Besoj se marrja e përgjegjësisë së plotë nga ai për ngjarjet në Banjskë, ndalimi policor i tij, si dhe rezultati i lirimit janë pasojë e një marrëveshje që ai arriti me dikë lart në qeverinë serbe.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që përgjegjësia e përnjëmendtë e tij do të vendoset përmes procedimeve në ardhje të tij, që do të jetë nën një dritëvështrim të fuqishëm ndërkombëtar. Sinqerisht shpresoj që përmes kësaj procedure, përgjegjësia e të gjithë të tjerëve do të vendoset. Shpresoj që shëndeti t’i shërbejë mirë Radojiçiqit, që e vërteta të vijë e të dihet. Për Serbinë, vetëm e vërteta është shëruese.

Nacionale: Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, njihet për mënyrat e tij të vrazhda në veri të Kosovës dhe ka kontribuar goxho shumë në antagonizimin e serbëve në ato zona. Si i shihni ju mënyrat e tij në zonat e populluara me shumicë serbe?

Zdravko Ponos: Tingëllon mirë kur Kurti u adresohet serbëve në serbisht. Por, përvojat e së shkuarës me të i kanë bindur serbët se çfarëdo që u thotë ai, edhe nëse është në serbishte, është thjesht një “dhuratë Danaans” (shënim redaktorial: frazë latine prej Aeneid: Timeō Danaōs et dōna ferentēs / I frikësohem grekëve, edhe atyre që vinë me dhurata)

Sundimi i tij u shënjua me një periudhë presioni brutal mbi serbët në veri, që rezultoi me emigrimin e tyre të nxituar. Kjo u servua me organizimin e zgjedhjeve farsë, mëpastaj nga mënyra se si kryetarët e zgjedhur hynë në ndërtesat komunale, dhe mëpastaj me demonstrimin e forcës së tepërme me polici kundër popullatës. Lufta kundër krimin është e domosdoshme dhe duhet të mirëpritet, por jo në aso mënyrash që ndjellë frikë në mesin e qytetarëve. Dhe, dukshëm në pjesën më të madhe ky ishte qëllimi.

Serbët janë të shqetësuar se ngjarjet në Banjskë do të përdoren nga Kurti për të shtuar presionin mbi ta. Mënyra se si policia i kryen aktivitet e saj në veri është tregues i fortë i drejtimit në të cilin do të zhvillohen ngjarjet.

Mënyra se si Kurti i trajton serbët mbështet pretendimin që ai implementn politikën e “pa serbë, pa probleme” në praktikë. Bota e sheh këtë, dhe jo veç serbët. Edhe shqiptarët e shohin. Zëri politik i shqiptarëve që do ta kundërshtonin këtë do të vlente shumë për bashkëjetesën e dy popujve. Mbase është aty, por thuajse s’dëgjohet.

Kushdo që adminstron me Kosovën në të ardhmen dhe pavarësisht se sa serbë do të jetojnë atje, Kosova gjithmonë do të jetë përbëjë pjesë të identitetin të serbëve. Jo më pak se të shqiptarëve. Kjo s’mund të ndryshohet nga asnjë qeveri, as në Prishtinë ose në Beograd.

Nacionale: Kurti dhe Vuçiqi arritën një ujdi në Bruksel dhe Ohër, një “de fakto” njohje në këmbim të një autonomie më të zgjeruar politike për komunitetin serb. Kurti kërkon formalizimin e përbërësve që ndërtojnë këtë “de fakto” njohje para se të lëvizë para drejt autonomisë. A e shihni ju që kjo marrëveshje, që edhe ashtu s’e ka parë asnjëherë dritën e diellit, tashmë edhe ka vdekur?

Zdravko Ponos: Ato marrëveshje ishin si fëmijët prindërit e të cilëve i kanë martuar pa dashuri, por që i kanë hyrë martesës së aranzhuar nga kumbarët që mbajnë dhurata në njërëmn dorë e në tjetrën shkop. Prindërit nuk kanë një qëndrim krejtësisht identik ndaj këtyre fëmijëve të padëshiruar. Vuçiq nuk i njeh por është i gatshëm t'i mbështesë. Kurti i pranon por nuk do të kujdeset për ta.

Kumbarët thonë se kishin shpresuar që kur të lindnin fëmijët, do të dashuroheshin edhe prindërit. Gabim, thjesht nuk ndodhë kështu. Prindër të tillë nuk janë në gjendje të kujdesen për veten e tyre dhe dikush tjetër duhet të kujdeset për fëmijët e tyre gjatë gjithë kohës. Kështu qëndrojnë gjërat me marrëveshjet, Vuçiqin, Kurtin dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.

Vuçiq dhe Kurti në mënyrë të pandershme u futën në atë marrëveshje. Duke gjykuar nga komentet e ndërmjetësve apo kumbarëve, duket se Vuçiq ka qenë më bashkëpunues. Në fund të fundit, ai ka qenë bashkëpunues gjatë gjithë kohës që kur ka ardhur në pushtet. Nga këndvështrimi serb - ai dha gjithçka dhe nuk mori asgjë as për serbët në Kosovë e as për Republikën e Serbisë. Ai e di që marrëveshjet për të cilat ka rënë dakord janë të këqija, ndaj nuk pranon t'i nënshkruajë, që kur të kthehet në Beograd të pretendojë se nuk ka pranuar asgjë. Pas raundit të fundit të bisedimeve në Bruksel, ai nuk pranoi se dështuan sepse nuk u pajtuan për rendin e zbatimit. Për rendin e zbatimit të asaj që pretendon se nuk e ka pranuar!

Kurti zvarriti këmbët dhe fitoi reputacionin e një negociatori të paarsyeshëm, madje duke marrë edhe sanksione. Pas ngjarjeve në Banjskë, Vuçiq humbi avantazhin e tij diplomatik. Ka të gjitha mundësitë që Kurti ta shfrytëzojë si mundësi për ta shtrënguar edhe më shumë dhe për të justifikuar më tej epitetin e negociatorit të paarsyeshëm.

Është e pasigurt se çfarë do të bëhet me këtë marrëveshje. Marrëveshja mori emrin e njerëzve të rëndësishëm dhe vendeve të fuqishme. Kjo nuk e ka ndihmuar atë deri më tani.

Do të ishte mirë që serbët dhe shqiptarët të kenë parasysh se janë marrëdhëniet tona ato që na shqetësojnë mbi të gjitha. Çfarëdo që të ndodhë, ne do të vazhdojmë të jetojmë, nëse jo me njëri-tjetrin, atëherë pranë njëri-tjetrit. Ata që vijnë nga larg qëndrojnë këtu me vite apo shekuj dhe më pas ikin. Ne jemi ata që qëndrojmë këtu. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë. Për të gjithë që nga jashtë vijnë të na qetësojnë, është një punë 9-5 në javë, kur nuk ka pushime. Për ne, serbët dhe shqiptarët, është tërë jetën. Kush është më shumë në numra ka më shumë fuqi, ka më shumë përgjegjësi. Tash, në Kosovë, shqiptarët.

Lajme të ngjashme