Për shylybylat e AKI-së
Shkrimtari dijedashës italian, Umberto Eco e pati thënë një gjë fort të bukur për punën e shërbimeve informative në ditët tona. Në vitet ’70 shtypi e gazetarët bënin çmos për të siguruar një copë raporti çfaredo të shërbimeve sekrete. Kjo për javë të tëra zgjonte interesimin e publikut lexues. Por afera e WikiLeaksit më 2010 e përmbysi kryekreje këtë marrëdhënie. Përmbajtja e shumicës së raporteve konfidenciale, të nënshkruara nga agjenci informative, doli se nuk ishin gjë tjetër pos copy-paste nga ato gjëra që shkruheshin në shtyp e gjendeshin në Google. Agjencia e Inteligjencës së Kosovës sotpërsot është bërë një servis oborrtar për dy njerëz: për Albin Kurtin që s’është as kryeministër e as deputet dhe për Vjosa Osmanin që po perëndon si presidente dhe si njeri. E mbushur rras-e-plas me militantë budallenj të partisë në pushtet, resurset e infinitshme të AKI-së janë vënë në dispozicion të betejave personale të këtyre dy desperadove. Profesionistët që do të duhej të ishin vija e parë frontale që i zbyth rreziqet ekzistenciale të Kosovës, gjithë ditën e kalojnë duke u marrë me gazetarët. Por, tekembramja, le të mësojnë duke lexuar nga gazetarët.
Col MEHMETI
12 shtator 2025 — Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj spiunit serb, Hysri Selimi, është e denjë për t’u përfshirë edhe në libra historie.
Personi në fjalë është islamik i deklaruar, i tarafit vahabi, nga Bresalci i Gjilanit.
Deri më tani rasti i tij është kronikuar
bukur nga kolegët gazetarë të KOHA-s.
Siç edhe pritet për këso punë, historia e tij del të jetë e ndërlikuar, por shkurtimisht do të përmblidhej kështu.
Një vit pas pavarësisë së Kosovës dhe një vit para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, shërbimet serbe të sigurisë iu vunë punës për të rekrutuar me të madhe ekstremistë islamikë.
Prej 1999-s e këndej, stacionet e inteligjencës serbe jo rastësisht u strehëzuan bri kufirit me Kosovën, si në Bujanoc e Vranjë, çka shpjegon për bukuri aktivitetin e tyre të ngjeshur ditor.
Oficerët serbë të sigurisë kanë pajtuar argatë turlifare që sjellin me okë informacione taze për çdo gjë.
Interesimi i tyre është për të tubuar gjithçka që do të armëzohej kundër UÇK-së. Edhe më e pëlqyer për ta mbetet veglizimi i elementëve islamikë ashtu që të përhapen gacat e ekstremizimit fetar dhe kulturës intolerante.
Dosja e zezë e Abuseadit
Së paku nga 2009-a, personazhi fatzi nga Bresalci i Gjilanit, Hysri Selimi, del se i ka shërbyer me zell e disiplinë Agjencisë Informative të Serbisë (BIA).
Për epror të vetin e kishte pasur njëfarë Igor Babiqi.
Është pa hesap interesante edhe kjo dëshmi e tij e dhënë para Prokurorisë: “Igori nga unë kërkonte gjithmonë emrat e hoxhallarëve të sektit vehabist, aktivitetin e tyre, rastin e djalit tim se me kë po shoqërohet, nga po financohen, duke pyetur se a po shoqërohen me grupe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Igori më shumë interesohej për vehabista, për hoxhallarët si Zeqirja Qazimi, Nagip Latifi, Llukmani nga Gjilani, Rexhep Memishi, etj”
Kjo është e kushedisata provë kryeneçe sesi shërbimet informative të vendeve të huaja janë ato që i fryjnë me kacek ekstremizmit të çmendur islamik.
Gjithsesi, aktakuzat, si puna e kësaj të fundit për spiunin serb Hysri Selimi, e kanë hak një lexim me thjerrëz sociologjike.
Ky vahabist me emrin e koduar Abusead Kosova — të paktën me këtë llagap e thërriste Agjencia Informative e Serbisë — sipas dëshmisë së vet në Prokurori paska kërkuar nga BIA “një shtëpi në Ulqin, me vlerë prej 500 mijë eurosh, një veturë të mirë dhe pagesë mujore prej 1000 eurosh”.
Le ta procedojmë më ngadalë: një shtëpi në Ulqin, një veturë të mirë dhe një rrogë prej 1 mijë eurosh!
Po pra, shtëpia në Ulqin, vetura që shndrit fringo e re dhe rroga e majme, këto janë ëndrrat e secilit fshatar cipëplasur që është i gatshëm për ta paguar me gjithçka, qoftë edhe duke përcjellur në Serbi informacione për UÇK-në.
Kjo është anatomia, e përbrendshmja, e një vahabisti që në jetën e përditshme viktimizohet për ‘islamofobi’, që përhap intolerancë të frikshme dhe nuk huq rast pa e shkërmoqur çdo tullë të investimit tonë madhor që e ka emrin sekularizëm e shqiptarizëm.
Strategjia serbe e inteligjencës
Prejse agoi shekulli i njëzetë, shërbimet informative serbe kanë manipuluar rregullisht tri soje shoqërore: (1) fanatikët islamikë; (2) bajraktarët e krerët fisnorë; dhe (3) varfanjakët.
Krejt raportet e konsujve serbë në Kosovë në fillimshekullin e 20-të ishin spic me përshkrime e udhëzime të tilla.
Dinarët që i akordonte Ministria e Jashtme në Beograd, agjentët konsullorë i konvertonin në lira turke që përfundonin gjithmonë në përfaqësues të këtyre shtresave.
Pjesa fanatike fetare ishte ajo që më së lehti shpërpushej dhe instrumentalizohej për t’u përdorur kundër gjithçkaje shqiptare.
Duke qenë një shoqëri e fishkur nga primitivizmi fisnor, Serbia tepër lehtë i korruptonte edhe krerët e bajraktarët analfabetë të cilët bëheshin dorëzanë paqeje në emër të familjeve, fiseve e krahinave të tyre.
Në vitet ’20 e ’30 kur filloi e ashtuquajtura Reformë Agrare, Serbia çuditërisht i përkrahte fakir fukarenjtë në Kosovë, ata që nuk kishin të vetën asnjë ngastër tokë, që t’iu kundërviheshin bejlerëve e kujtdo që kishte pasuri e prokopi.
Serbia as nuk mbërrinte të përvidhej në zemrën e një të pasuri, por ajo saora e bënte për vete varfanjakun e këputur. Madje, ky bëhej trim me fletë kur agjentët serbë ia mbushnin kokën sa të pangopur janë agallarë e bejlerë, anipse ata me djersë e punë krijuan pasuri.
UDB-a e Maqedonisë, bie llafi, nuk i manipulonte familjet e shkolluara e sojlike në Shkup, por familjen pa asnjë kacidhe të Sulejman Rexhepit në Sullarë (kryetarit të ardhshëm të Zajednicës islamike).
Dhe ja pra, këto do të ishin disa lexime përtejprokuroriale të një aktakuze.
Ç’është e vërteta, këto do të duhej t’i dinte e t’i bënte edhe vetë AKI-ja, e cila tani përdoret si rrakaçë fëmijësh nga Albin Kurti e hanëm presidentja për t’i ruajtur familjet e tyre.
Një tekst i harruar, një tekst aktual
Se inteligjenca serbe prore është përvjedhur mes shqiptarësh me këso marifete, kjo shembullzohet me pafund raste. Le ta shpluhurosim atëherë një copë dokumenti të harruar.
Pak ditë se të fillonte pushtimi i Shqipnísë në tetor të 1912-s, ushtria e kral Petrit nga Kurshumlia e lëshoi një proklamatë drejtuar popullit këndejpari.
I shkruajtur me alfabet cirilik, teksti më shumë gjasë ishte bërë prej ndonjë serbi vendës që e fliste shqipen mjaft mirë.
Nëse e vëmë thjerrëzen epistemike mbi këtë tekst, do të mësonim shumë gjëra prej tij.
Ushtria serbe, fjala vjen, diti ku t’i prekte shqiptarët duke i namatisur pas fjalësh si ‘allahu’, ‘kuveti’, ‘selameti’, ‘ispat’, ‘ihtibari’, e të tjera si këto.
Jo çuditërisht, ushtria pushtuese serbe iu premtonte njerëzve plisëbardhë se do t’ua ruante “fenë si fe”.
Kuptohet që proklamata në fjalë ishte një rreng psikologjik (barazvlera e atyre që sot njihen si ‘PSYOP’ a ‘Maskirovka’) ashtu që popullata vendëse të mos rezistonte.
Po të flasim me një shqipe më të sinqertë, Serbia e gjunjëzoi këtë pjesë të Shqipnísë me anë të dy kartave: fanatizmit islamik dhe strukturave primitive fisnore e shoqërisë. Teksti i transliteruar i saj është ky:
T’TON FISEVE N SHQIPNI
OR VLLAZNI
Gjith kush din, qi, pa emer mallnis t’zotit, kurgjo n ftyr toks nuk muj boet.
Na me emr, e me ndihm allahit jemi nisun, e po vim me kuvet ton te ju. Po vim n lle tjuj, e tonin qi nak an zaptue osmanllit, qe, pesqin e permbi vjet, ama spo vim zullum me ju bo, por po vim zullumin me ju ijek.
Ju vet po shifni, or vllazni, çka po u boin osmanllit (ausus zhon turkt). Gjo po ju bo slan. Me ushtri, e me topa, u rzuun shpijat, u çartn katunet, u shkeln’ robt, mbushi apsanet me djelm t’juve, elle kurkund, as n prag t’shpis nuk u lan raat. N prag t shpis, e para robve, osmanllit shqiptart e reh. Zullumi, qi shqiptari shqiptarit sun e duron, elle mbi tona qato po u marin djelmt, e po i çoin n Anadoll, e n Arabistan, me derli gjak pr ta.
Pr qato, e pr fort shum qaso nevoja, jeni kon çue në kom, e keni liftue trimnisht me ta, ani ça u bo? Mbasi me top, e me pushk smujtn me ju ndalj, ju ndali me mashtrim, tu ju thon me fjal të mira gjith çka po lypni, por për njime jo.
U kan ndal prej lufte or vllazni, por me emr, e me kuvet t’zotit, na po ja nisim luftës prej qatuit, ku e keni lon ju, elle me emër t’zotit tona nevojat që keni liftue qaq trimnisht për ta, së jesen mbas dite, kur vim na tu ju.
Na po vim te ju, or vllazni, tu ju pru selametin, e dret’n, e tuj bo: me kon trimnija moçme, njersija moçme, t’zi moçem e ihtibari moçem në vend vet, si u kon ndër dit t moçme elle për kto mukades sende tjuj, kemi gjak me derll, si kur për tonat.
Mo su boni shybe, or vllazni, se qe besa e zotit, spo vim me sher, por po vim me bes malnis, e me ajer. Mos boni shybe qi boet ndryshe, por keni me pas fen e vet, adetet e veta e sundin ndermijeveti, si t’doni, e si e ka pas Shqipnija prej Leke e te kendej.
Besn’e zotit po u lom peng, qi kemi me lon n ares tona të kqija, çka jon konderi tash, elle skemi me lon me u bo ndryshe, por gjit kujna dot i boet: feja fe, t’zi t’az, e malli mall, elle kurkush kujna zullum mos me bo.
PUSHK’N KEMI ME QIT M QATO, QI QT ME NEE, ELLE NA LASHT ZOTI, SHKRUM KEMI ME E BO QAT SHPI, E KATUNIN, QI NA KTEN PUSHK’N E QATO QI NA PRET VLLAZNISHT, KEMI ME E PRQAF VLLAZNISHT, SI KUR VLLAU VLLAUN, SE PO BIM M NJI DOR: BES’N E ZOTIT, DRETN E NJERZIN, E ME QETRN PO BAJIM ARM E ZJARM.
Qeso bese po u apim, elle qekshtu meshindet po çojim se zemoni osht arllun, or vllazni, me u coptua ylqeja osmanllive, e na me ju, si kur ju me nee, me jetue vllaznisht m saje Krajlit Petrit qi nak abo emr, qet meshindet, e qet bes, me u çue.
Or vllazni, na emrin e krajlit qe e bom, e kt meshindet, bashk me bes’t zotit, po u çojim. Borçin t vet para perendis, elle para gjindve e lam. Per besen ton, mallnin e t’zotit e kem ispat, e kush boet sebep me u derll gjaku, zoti me mallnin të vet ja sundoft.
U pjekshim për ajet or vllazni!
Teshernievel 1328
N Podujev
Komandari ushtris të srpit
BOZHIDAR JANKO
Eksperimenti i VV-së me sigurinë kombëtare
Krimi i Vetëvendosjes mbi komunitetin e inteligjencës në Kosovë nuk është vetëm penetrimi i AKI-së me aktivistë e militantë, madje as emërimi i njerëzve të zgjedhur partiakisht në krye të saj.
Me prirjet e një antiperëndimorizmi psikopat, regjimi albinkurtist qëllimisht e shkëputi AKI-në nga orbita e inteligjencave simotra perëndimore.
Deri në vitin 2019, ajo lavdërueshëm ishte etabluar si partnere e besueshme e Perëndimit duke i bërë zap e neutralizuar kërcënimet e ekstremizmit islamik.
Të arriturat e prekshme të AKI-së në realitetet tona ishin abortimi i përpjekjeve prozelitiste për ta shndërruar Kosovën në inkubator radikalizmi fetar.
Vizionet e zeza ishin që vendi të bëhej atdhe pirat i grupeve ekstremiste të gatshme për t’u hedhur në aventura xhihadiste.
Edhe kur ishte opozitar, madje opozitar i pashpresë për të qenë ndonjëherë në pushtet, Albin Kurti nuk e kishte fshehur hakërrimin e tij për këtë përcaktim properëndimor të vendit.
Manifest i kësaj ishin deklarimet e tij të përsëritura prej 2014-s se “ekstremizmi islamik nuk është rreziku kryesor për Kosovën”.
Lufta kundër gazetarëve, prioriteti i spiunëve të VV-së
Por 2021-a ia bëri të mundura krejt fanatazitë e vjetra që dikur i thoshte pa teklif duke llogaritur se nuk do të viheshin në jetë asnjëherë.
Nga ajo kohë e deri më sot, AKI-së iu sugjeruan ‘prioritete’ të reja.
Ekstremizmi islamik nuk u pa më me tejqyrën e dikurshme si projekt fesati nxitur prej Serbisë.
Prioritet mbi prioritete tani ishin ato që vetë Kurti i konsideronte si rreziqe.
Kësodore, komuniteti inteligjent e mori përsipër luftën shpifarake kundër gazetarëve dhe kundër cilitdo zë defiant ndaj regjimit.
Pasojat e kësaj politike shpirtngushtë do të peshojnë rëndë si plumbi në dekadat e ardhshme.
Edhe nëse VV-ja do të pushojë së qeni forcë me peshë e do të mrizojë në opozitë, eksperimenti i saj me inteligjencën tashmë e ka vraguar keq themelin e sigurisë.
Sepse njerëzit e saj do të vazhdojnë zanatin e tyre për të përdorur levat e fshehta kundër armiqve të partisë. /Nacionale/