Pasi KQZ ia refuzoi memorandumin, Gërvalla bën një përpjekje tjetër për të devijuar votimin jashtë vendit: Kërkon hapësirat shtesë
Përpjekjet e Ministres së Punëve të Jashtme, Dinika Gërvalla, për të devijuar procesin e votimit jashtë Kosovës nuk kanë të ndalur. Pasi KQZ-ja ia ka refuzuar memorandumin, me të cilin kërkonte kompetenca në organizimin e zgjedhjeve në diasporë, ajo ka bërë hapin e radhës në këtë drejtim.
Ndonëse procesi regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës është duke ecur me hapa të kënaqshëm, kryediplomatja Gërvalla i ka shkruar një letër kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqit.
Në letrën që e ka siguruar gazeta Nacionale, Gërvalla i kërkon kryetarit të KQZ-së miratimin e hapësirave të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore për organizimin e votimit jashtë Kosovë.
"Në ato vende ku hapësirat e misionve tona janë të vogla për të ofruar mundësinë e votimit për të gjithë qytetarët e asaj zone me të drejtë vote, është e nevojshme që urgjentisht të shqyrtojmë hapësirat shtesë për votim jashtë vendit, pra përfshirjen në qendrat e votimit të hapësirave të shfrytëzuara nga përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore, në përputhje me standardet më të mira ", thuhet në letrën që Gërvalla ia ka nisur Radoniqit më 27 nëntor.
Më tej, në shkresë Gërvalla sulmon ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për “disa hapa” që kanë shkelur “detyrimet ligjore në raport me konsultimin e obligueshëm dhe bashkërendimin e aktiviteteve përgatitore dhe vendimarrëse me MPJD-në.
Kjo letër e ministres Gërvalla është në shkelje të plotë të Kushtetutës së Kosovës (nenit 139) dhe e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.
Letra është në kundërshtim edhe të vendimeve të institucioneve të drejtësisë, pasi që çështja të cilën kjo ministri e ka çuar në KQZ është shqyrtuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Gjykata Supreme, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit.
Të gjitha këto institucione i kanë dhënë të drejtë KQZ-së për vendimin e 29 gushtit 2024.
Me memorandumin, të cilin e kishte publikuar Gazeta Nacionale, MPJD-ja kërkonte që të bëhej palë në organizimin dhe administrimin e votimit jashtë vendit. Madje, MPJD ia caktonte vetes edhe kompetencat që nuk i takojnë, siç ishte “sigurimi i hapësirave të përshtatshme në zhvillimin e procesit zgjedhor, në përputhje me të drejtën e aplikueshme ndërkombëtare dhe legjislacionin vendor”.
“Ky memorandum i bashkëpunimit synon: të sigurojë një strukturë të qartë bashkëpunimi ndërmjet palëve në organizimin dhe administrimin e të gjitha formave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit në Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2025 në përfaqësitë diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Kosovës”, thuhej në memorandum.
Më 29 gusht 2024, KQZ ka caktuar numrin e vendvotimeve (47) dhe numrin maksimal të votuesve në secilën përfaqësi diplomatike. Sipas këtij kufizimi, në një vendvotim mund të regjistrohen për të votuar 1,000 votues. Gjithnjë sipas KQZ-së, votimi do të organizohet në 19 ambasada dhe 16 konsullata që janë të vendosura në 22 shtete të ndryshme.
Sipas KQZ-së, ky vendim ishte marrë në konsultim me MPJD-në e cila i kishte ofruar KQZ-së një listë me të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe kapacitetet e tyre fizike. Ndryshe nga përfaqësitë diplomatike, KQZ nuk ka kufizuar numrin e votuesve që mund të regjistrohen për të votuar përmes postës, duke mundësuar lejimin e regjistrimit për votim nga jashtë Kosovës të çdo shtetasi të interesuar për të votuar.