Pas 6 kushteve të Kurtit, Hovenier thërret takim për Asociacionin në rezidencën e tij
Rruga drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se tashmë ka hyrë në një dinamikë të re. Pas takimit të 31 janarit në Ambasadën e Amerikës në Prishtinë, u pa një reflektim nga ana e kryeministrit Albin Kurti, i cili e pranoi Asociacionin, ndonëse i vendosi disa kushte. Pas 6 kushteve, Ambasada e ShBA-së do të organizojë përsëri një takim në selinë e saj.
Por kësaj radhe takimi do të jetë joformal. Megjithatë tema është e njëjtë, aty sërish do të diskutohet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në një përgjigje për Express, një zëdhënës i Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, deklaroi se të mërkurën, pra nesër, pritet të mbahet një mledhje e re për Asociacionin, duke insistuar se është takim jozyrtar.
“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë aktorësh në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do ta thërrasë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij për ta lehtësuar bisedën e mëtejshme.” – deklaroi ky zëdhënës, transmeton Nacionale.
Ende nuk dihet saktë se kush do të jetë pjesë e takimit të 9 shkurtit, ndonëse jozyrtarisht, Nacionale mëson se në mbledhjen jozyrtare do të shkon përfaqësuesi i LDK-së, Lutfi Haziri.
31 janari...
Muajin që shkoi, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte organizuar një takim në objektin e saj, në të cilën morën pjesë shumë personalitete, përfshirë dy anëtarë të Qeverisë Kurti nga radhët e komuniteteve pakicë. Por në takimin e ftuar nga Hovenier shkoi edhe Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë dhe Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, të cilët janë po ashtu pjesë e partisë së kryeministrit Albin Kurti.
Por Kurti në një intervistë për Radio Evropën e Lirë e kishte shpallur publikisht se ai nuk ishte ftuar në takimin e 31 janarit, duke kritikuar Gabriel Escobarin si zyrtarin që e shtyu organizimin e takimit në Ambasadën Amerikane.
“Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.” – citohet të ketë thënë tutje ai.
Ndërsa, ambasadori amerikan Jeff Hovenier, që e moderoi diskutimin në fjalë, u shpreh me anë të një postimi në Twitter njoftoi për një gjë të tillë.
“Sot ne mbajtëm një sesion dëgjimor në Ambasdën e ShBA-ve në Prishtinë mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mirënjohës për palët e interesit që ishin të pranishme e që ndanë pikëpamjet dhe ekspertizën e tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve në Dialog,” – u shpreh ai.
Ndërsa, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, pas takimit për Asociacionin më 31 janar, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, vlerësoi se Kosova është zotuar për themelimin e Asociacionit.
“Ne inkurajojmë qeverinë të bëjë përparim në të dyja. Një organ i tillë nuk është vetëm një angazhim ndërkombëtar, por gjithashtu ofron një mundësi për serbët e Kosovës që të jenë pjesë integrale e Kosovës.” – ka shkruar ai.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe partitë opozitare si PDK, LDK e AAK.


