Janari i ftohtë për Kurtin: I paftuar nga Ambasada Amerikane, e nis betejën kundër Escobarit - NACIONALE

Janari i ftohtë për Kurtin: I paftuar nga Ambasada Amerikane, e nis betejën kundër Escobarit

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, është i vetëm, i vetmuar. Së paku në çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Madje është edhe i paftuar. Ai s’do të merr pjesë në mbledhjen në Dragodan, që do të mbahet më 31 janar, e që është ftuar nga Ambasada Amerikane, ku do të diskutohet për Asociacionin.

Për themelimin e tij, të kërkuar me aq ngulm e aq gjatë nga bashkësia ndërkombëtare, tashmë është bërë gati edhe një draft-statut. Duket se kjo temë, e kundërshtuar po aq me ngulm nga Kurti, po e sjell kryeministrin e Kosovës karshi-karshi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Skenari i njëjtë…

Çarja e parë veçse ka ndodhur. Kurti dhe Escobar janë vetëvendosur në pozicione disi antagoniste. Në disa raste, Gabriel Escobar, i dërguar i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, vlerësoi se Asociacioni do të themelohej, qoftë edhe me partnerë alternativë. Madje, sipas tij, Asociacionin s’mund ta refuzojë një palë apo një njeri (një aludim ndaj Kurtit, që është kundërshtar i Asociacionin).

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL). Shefi i ekzekutivit kosovar vlerësoi se pritshmëritë e tij ishin se Escobar do të insistonte më shumë në njohjen e Kosovës nga Serbia, se sa në Asociacionin.

“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.” – tha ai.

Madje, ai e “fajësoi” Escobarin për takimin e 31 janarit për Asociacionin në Dragodan, duke thënë se mbledhja në objektin e Ambasadës Amerikanë në Prishtinë po mbahet për shkak të insistimit të tij.

“Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.” – citohet të ketë thënë tutje ai.

Në fakt, këto kritika të Kurtit ndaj Escobarit, siç shkroi dje Nacionale, ngjasojnë shumë me ato që Kurti i kishte bërë ndaj Richard Grenellit, ish-përfaqësuesit të ish-presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Duket se historia, pikërisht ashtu siç ka profetizuar Marksi, po përsëritet dy herë, vetëm se kësaj radhe si farsë.

Të ftuarit…

Janë shumë të ftuar në takimin e 31 janarit. Në mesin e tyre, do të jenë edhe dy anëtarë të Qeverisë Kurti, por jo Albin Kurti e Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri. Aty do të jenë dy anëtarë të minoriteteve. Nenad Rashiq dhe zëvendëskryeministrien, Emilija Redzepi, tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Të enjten për Nacionalen pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar edhe Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Foundation”, (FES), organizatë e cila do të prezantojë me 30 janar një draft-statut për Asociacionin.

“Po, do të marrë pjesë në takim.” – deklaroi drejtori Rene Schlee.

Ndërsa në takim do të marrë pjesë edhe një përfaqësues i Presidencës së Kosovës, që udhëhiqet nga Vjosa Osmanit. Në takimin e Ambasadës Amerikane për Asociacionin do të jetë edhe një përfaqësues i AAK-së. Ndonëse nuk e kanë konfirmuar ende, është raportuar se në takimin e 31 janarit do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e PDK-së e LDK-së.

Lajme të ngjashme