Kryeministri s’i “duron” emisarët: Kritika e parë e Kurtit për Escobarin ngjason shumë me atë për Grenellin
Në maj të vitit 2020, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të kritikonte Administratën Trump, duke e akuzuar se ka bërë trysni ndaj parnerit të atëhershëm qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, për rrëzimin e Qeverisë. Problemin më të madh, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e kishte me emisarin Richard Grenell, madje shumëkush, është i njohur me deklaratat kundër këtij të fundit. I gjendur para një jave me shumë zhvillime, Kurti s’i kurseu kritikat as për emisarin e Administratës Biden, Gabriel Escobar. Çka tha para tri viteve, e çka tash?
Siç kishte raportuar Nacionale edhe më herët, emisari Escobar si diplomat, është tepër i drejtpërdrejtë në qëndrimet e tij.
Madje në një raportim të para disa javëve, konsideronim se deklaratat e dhëna nga ai, e bëjnë të duket i butë ish-emisarin Richard Grenell.
I ndodhur para kërkesave amerikane, aleateatit më të madh që ka pasur ndonjëherë Kosova, Kurti lë të kuptojë se nuk po e duron qëndrimin e Escobarit, të cilin të premten e fajësoi për punën, me shumë intensitet, që ka nisur për themelimin e Asociacionit.
Maj 2020
Në maj të vitit 2020, Kurti do të bënte një prej deklaratave të para që konsiderohej si kritikë ndaj emisarit të atëhershëm, Richard Grenell.
I pyetur në një intervistë në emisionin “Opinion”, se a ka pasur ndikim i dërguari i presidentit Donald Trump në rrëzimin e Qeverisë Kurti I, lideri i LVV-së nuk kishte mohuar një gjë të tillë.
“Ambasadori Grenell ka patur qëndrimin që Kosova ta heqë taksën 100% dhe Serbia duhet ta pushojë fushatën e çnjohjes së Pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më pas ai e braktisi këtë të dytën pas një udhëtimi në Boegrad, por së fundi u deklarua edhe kundër reciprocitetit ndaj Serbisë. Ky për mua ishte kulmi…” – kishte thënë fillimisht Kurti.
Më pas, ai do të deklaronte haptas se partneri qeverisës i asaj kohe, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka pasur “një lloj trysnie e që fatkeqësisht, e braktisi marrëveshjen e aleancës”.
Në fund, kritika e Kurtit për Grenellin, ngjason me atë që e bëri sot, 27 janar 2023, për emisarin e tanishëm, Gabriel Escobar.
“…në anën tjetër më duhet të them, që Ambasadori Grenell kishte një qëndrim 100% me Beogradin përsa i përket taksës 100% dhe ne nuk mund të bëjmë tjetër veçse ta prezantojmë dhe mbrojmë qëndrimin tonë se Serbisë mund t’i hiqet taksa, por ne nuk mund ta braktisim reciprocitetin.” – kishte thënë ai.
Janar 2023
Deklarata që e dha Kurti të premtën në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, që siç u pa e kishte me emisarin Gabriel Escobar, të krijon një “déjà vu”.
Nuk dihet nëse kryeministri ndihet nën presion, para takimit të 31 janarit në Ambasadën Amerikane ku do të flitet për Asociacionin, e ku konfirmoi se nuk është i ftuar, por ai lë të kuptohet se e fajëson emisarin Escobar për situatën e krijuar.
“…unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.” – citohet të ketë thënë tutje ai.
Madje, Kurti e ka bërë të qartë se pritshmëritë e tij për Escobarin, kanë qenë krejtësisht tjera.
“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.” – tha ai.
Kryeministrit iu bë edhe një pyetje tjetër për Escobarin, duke rikujtuar deklaratën e këtij të fundit se nëse nuk përfshihet Qeveria e Kosovës, mund të bëhen diskutime me partnerë alternativë.
“Kush mund të jenë partnerët alternativë, sipas jush, dhe a është ky një mesazh për ju?” – u pyet Kurti.
“Unë mendoj që duhet ta pyesni atë. Duhet ta pyesni z.Escobar se çfarë ka menduar. Unë i di shumë gjëra, por nuk është në rregull të flas se çfarë kanë menduar të tjerët kur kanë folur diçka. Besoj që më mirë është t’i pyesim ata.” – u përgjigj ai.
Ndryshe nga Kurti, në takim janë ftuar zëvendëskryeministrja Emilija Redzepi dhe ministri Nenad Rashiq, derisa të dy e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Në takim, janë ftuar edhe partitë parlamentare, por nuk dihet ende nëse do të marrë pjesë ndonjë përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje.