Takimi i 31 janarit për Asociacionin në Dragodan: Krejt çka dihet deri tash - NACIONALE

Takimi i 31 janarit për Asociacionin në Dragodan: Krejt çka dihet deri tash

1 vit më parë

nga NACIONALE

ShBA-ja duket se po kalon nga fjalët në vepra, dhe kjo i ka dramatizuar zhvillimet mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Më 31 janar do të mbahet një takim pikërisht për këtë temë, dhe ku do të ketë pjesëmarrës nga... gati e gjithë sfera publike e Kosovës. Çka dihet deri tash?

Pranë varrezave të Dragodanit do të diskutohet për një çështje që mendohej se i ishte bërë varri nga kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti. Asociacioni (i quajtur edhe Zajednica) do të bëjë bashkë njerëz të ndryshëm që po shihen edhe si “partnerë alternativë” nga miku më i madh i Kosovës, ShBA-ja.

Kurti vazhdon të ngulmojë se nuk do të themelojë kurrfarë Asociacioni në baza etnike, për shkak se kjo do të minonte karakterin multietnik të Kosovës dhe do të rrezikonte bosnjëzimin e Kosovës. E megjithatë, ai del të mos jetë... i vetmi që pyetet nga Amerika.

Ambasadori, vet i 40-i

Nacionale ka mësuar që rreth 40 personalitete të larta të jetës publike në Kosovë janë ftuar në këtë takim.

Gjatë ditës së djeshme, Nacionale ka konfirmuar disa prej personalteteve që ishin ftuar nga shoqëria civile derisa nuk kishte një konfirmim zyrtar nga partitë opozitare.

Por, edhe Qeveria Kurti do të ketë përfaqësuesit e saj. Do të jetë ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe po ashtu zëvendëskryeministrja Emilija Redzepi. Të dy, nga pakicat etnike në Kosovë.

Nacionale mëson që përveç tij, në këtë takim do të jenë përfaqësues edhe nga Presidenca. Por, po ashtu mëson që do të jenë edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe nga jugu i Kosovës të cilët nuk kanë dhënë dorëheqje në fund të vitit të kaluar sikurse kolegët e tyre në veri.

E përveç tyre, ftesë kanë marrë edhe në Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe partitë politike të pakicave etnike.

Moderatori

Nacionale ka mësuar që i gjithë ky takim do të moderohet nga vet ambasadori i ShBA-ve në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Por, meqë në këtë takim do të diskutoheshin modalitetet e formimit të Asociacionit, nuk mund të mungonin edhe emrat nga shoqëria civile që kishin pasur përvojë të caktuar në debatin publik mbi këtë proces.

Nacionale ka konfirmuar se do të jenë të pranishëm Naim Rashiti e Ismet Kryeziu ndërkohë që ka mësuar se pjesëmarrës do të jenë edhe Agon Maliqi e Blerim Shala.

Përveç tyre, pjesëmarrës do të ketë edhe nga ambasadat e mbetura të QUINT-it (Francë, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar dhe Itali)

Një ditë para

Një ditë para se të ndodh ky tubim, Fondacioni Friedrich-Ebert (FES) ka organizuar një tjetër dhe për të njëjtën temë. Ata do të prezantojnë draft-statutin e tyre të Asociacionit, të cilit marrë parasysh ftesën që i kishin dërguar Nacionales, edhe e kishin riemërtuar.

Nuk dihet deri më tash nëse draft-statuti i FES-it që do të prezantohet më 30 janar do të jetë pjesë e diskutimeve të tubimit të 31 janarit, e as nuk dihet nëse këto dy tubime janë në sinkron me njëra-tjetrën.

Lajme të ngjashme