Përfundon takimi për Asociacionin në Ambasadën e ShBA-ve, ambasadori e quan "sesion dëgjimor" - NACIONALE

Përfundon takimi për Asociacionin në Ambasadën e ShBA-ve, ambasadori e quan "sesion dëgjimor"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar tashmë takimi për modalitetet e themelimit të Asociacionit i organizuar në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier – që kishte detyrë edhe të moderonte diskutimin në fjalë – u shpreh me anë të një postimi në Twitter njoftoi për një gjë të tillë.

“Sot ne mbajtëm një sesion dëgjimor në Ambasdën e ShBA-ve në Prishtinë mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mirënjohës për palët e interesit që ishin të pranishme e që ndanë pikëpamjet dhe ekspertizën e tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve në Dialog,”u shpreh ai.

Deri tash nuk ka pasur të pranishëm tjerë që kanë folur mbi diskutimet që ishin bërë në këtë takim.

Takimi në fjalë ishte parë gjerësisht si një tjetër presion nga ShBA-ja ndaj Qeverisë Kurti për themelimin e Asociacionit, veçanërisht pasi Serbia dha sinjale se do ta pranonte planin franko-gjerman.

Vetëvendosje tash e disa ditë po bën një fushatë kundër Asociacionit, por të pranishëm në takimin në fjalë ishin përfaqësues nga Kryeministria që drejtohet nga Albin Kurti e nga Kuvendi që drejtohet nga Glauk Konjufca.

Po ashtu, në takim kishte përfaqësues edhe nga Presidenca e vendit, dhe institucione tjera relevante, përfshirë disa ministri të Qeverisë Kurti.

Përveç tyre, vend të rëndësishëm zinin edhe aktivistë të shoqërisë civile, për të cilët ka raportuar më parë gazeta Nacionale.

Kurti ditë më parë kishte deklaruar se nuk kishte marrë ftesë për diskutimin, megjithatë dërgimi i shefit të stafit të tij në të mund të shihet si një sinjal i mirë i përafrimit të qëndrimeve me ShBA-të.

Më herët, ambasadori Jeff Hovenier e kishte quajtur kërkesën për Asociacionin si "urgjente" dhe "specifike".

Ndërkohë, disa kilometra larg Ambasadës së ShBA-ve që ndodhet në Lagjen Arbëria (ish Dragodan), disa simpatizantë të kryeministrit Kurti përfshirë aktivistët Sadri Ramabaja, Sami Kurteshi e Avni Dehari kishin protestuar kundër Asociacionit.

Gjatë ditës së djeshme ndërkohë, dy institute ndërkombëtare - Friedrich Ebert Stiftung dhe Instituti Evropian për Paqe - kishin prezantuar draftin e tyre të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lajme të ngjashme