“Po i jepni municion Serbisë”: Zyrtari amerikan në bisedë me ambasadorin shprehu frustrim të madh me Qeverinë - NACIONALE

“Po i jepni municion Serbisë”: Zyrtari amerikan në bisedë me ambasadorin shprehu frustrim të madh me Qeverinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Raportet mes Kosovës dhe Amerikës kanë qenë nën fokusin e përcjellësve të politikës në vend për shkak të rëndësisë që ato kanë për ekzistencën dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës. Por, me ardhjen e Kurtit në pushtet, përplasjet janë bërë të vazhdueshme. Nacionale sjell një tjetër dokument që zbulon një komunikim me një zyrtar të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli, kishte pasur një bisedë të vështirë telefonike me Drejtorin e Zyres për Çështje të Evropës Juglindore në DASh, z. Martin McDowell.

Ai ndante ato që i quan “thekse të bisedës” që kishte pasur, dhe të cilat janë jashtëzakonisht shqetësuese.

Kjo bisedë besohet të kishte ndodhur pikërisht në kohën e tensioneve në veri të Kosovës, e për të cilat kryeministri Kurti shprehej se po ndodhnin për shkak se Serbia po kërkonte të maskonte refuzimin e saj për propozimin franko-gjerman. Por, ShBA-ja nuk i ka besuar Kurtit dhe kjo na zbulohet edhe nga kjo bisedë.

Po i jepni municion Serbisë

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, por edhe opinionistë të tjerë shprehnin bindjen në atë kohë se kryeministri Kurti kishte rënë në grackën e Serbisë.

Por, këtë bindje duket se ndante edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në bazë të fjalëve të Drejtorit të Zyrës për Çështje të Evropës Juglindore.

“Nuk ka dyshim që Serbia do të shfrytëzoj çdo mundësi për ta paraqitur Kosovën në dritë të keqe dhe për fat të keq tani ka mjaft municion për një gjë të tillë.” – thotë ambasadori Dugolli t’i ketë thënë McDowell në bisedën telefonike.

Një gjë të tillë, ai po e thoshte pikërisht pasi po numëronte çështjet të cilat i kishte bërë gabim Kosova.

Gabimet e Kosovës

Me shumë gjasë, ambasadori Dugolli është ankuar në lidhje me ndonjë deklaratë publike ku qortohej Kosova nga Amerika. E për një gjë të tillë, McDowell e kishte dhënë një shpjegim të thjeshtë.

“Për ne është gjithmonë e pakëndshme kur detyrohemi të bëjmë prononcime publike, por pas përsëritjes së qëndrimeve në raste të shumta gjatë takimeve dypalëshe dhe përshtypjes që këshilltar tona nuk po merren parasysh, jemi të detyruar që të njëjtën ta themi edhe publikisht. Pas komunikimeve që kemi pasur në vazhdimësi konsiderojmë që reagimet tona nuk janë befasi për askënd. Kur mesazhet private nuk kryejnë punë, atëherë po detyrohemi që gjërat t’i themi publikisht.”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur për tensionet në raportet me ShBA-të kishte deklaruar se e takonte shumë shpesh ambasadorin amerikan në Prishtinë. Por, si duket mesazhet private mes tyre nuk kanë kryer punë.

Ushtarët amerikanë

Në njërën prej pjesëve më interesante të bisedës, z. McDowell flet edhe për ushtarët amerikanë që ndodhen në Kosovë si pjesë e forcave paqeruajtëse të KFOR-it.

Pasi akuzon Kosovën për ngritje tensionesh, ai thotë se këto tensione po rrezikojnë edhe jetën e ushtarëve amerikanë. E përveç kësaj, ndan përshtypjen për një përshtypje që nënkuptueshëm mund të merret si e gabuar: se ushtarët amerikanë do të jenë gjithnjë këtu.

“Për fat të keq me ngritjen e tensioneve po vihet në rrezik edhe jeta e ushtarëve tanë. Sikur ka një përshtypje në Prishtinë që për çdo telashe ushtarët tanë do jenë aty për t’ju nxjerrë nga gjendja e krijuar. Zhvillimet e fundit po vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe kjo për ne është shqetësuese.” – ka thënë ai në bisedën telefonike.

Edhe në muajin janar, Kurti ishte goditur nga Amerika përmes një editoriali nga Bloomberg (medium i afërt me partinë Demokrate) pikërisht përmes përmendjes së KFOR-it.

“Nga ana e saj, ShBA-ja duhet t’u bëjë të qartë liderëve të Kosovës se gatishmëria e NATO-s për të mbajtur forcat e saj në terren nuk është e përjetshme,”shkruhej në atë editorial, që më vonë ishte shpërndarë edhe nga The Washington Post.

Frustrim

Sipas asaj që shkruante Dugolli në atë letër, McDowell kishte treguar edhe se për Amerikën vendimi për targat ishte frustrues.

“Fakti që tani po kemi zhvillime të tilla dhe tensionim jo vetëm që po merr kohë nga përpjekjet qenësore, por po është edhe frustrues.” – shprehej ai.

Frustrimi është ndjesia e tretë që e shprehte Departamenti i Shtetit pasi më herët kishte folur edhe për “zhgënjim e shqetësim”.

Përveç vendimit për targa, në këtë bisedë flitet edhe për vendimet e Qeverisë për Asociacionin dhe për Manastirin e Deçanit.

Biseda sipas raportimit të bërë nga ambasadori Dugolli:

“Më poshtë gjeni thekset e bisedës, gjegjësisht të pikave që ka komunikuar z. McDowell gjatë bisedës së sotme.

Për ne është gjithmonë e pakëndshme kur detyrohemi të bëjmë prononcime publike, por pas përsëritjes së qëndrimeve në raste të shumta gjatë takimeve dypalëshe dhe përshtypjes që këshilltar tona nuk po merren parasysh, jemi të detyruar që të njëjtën ta themi edhe publikisht. Pas komunikimeve që kemi pasur në vazhdimësi konsiderojmë që reagimet tona nuk janë befasi për askënd. Kur mesazhet private nuk kryejnë punë, atëherë po detyrohemi që gjërat t’i themi publikisht.

Qëndrimi ynë është që vendimet e fundit të Qeverisë së kosovës vetëm sa ngrisin tensionet. Kemi konsideruar që është e rëndësishme të ofrohet më shumë kohë për zbatimin e vendimeve si ai për targat dhe në këtë mënyrë t’u jepet më shumë hapësirë përpjekjeve të Lajçakut në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Fakti që tani po kemi zhvillime të tilla dhe tensionim jo vetëm që po merr kohë nga përpjekjet qenësore, por po është edhe frustrues.

Sipas nesh zbatimi i vendimit për targat nuk është çështje urgjente, por diç që ka mundur të priste. Besojmë që ka pasur hapësirë për të shtyrë implementimin siç edhe është kërkuar. Veçanërisht në dritën e propozimit franko-gjerman, por edhe angazhimeve për zbatimin e marrëveshjes për energji, nuk është momenti i duhur për çështje të targave. Besojmë që në vend të konsumimit të vazhdueshëm në rolin e zjarrfikësit, kemi nevojë për të krijuar parakushte mbi të cilat do adresoheshin çështjet më të rëndësishme.

Për fat të keq me ngritjen e tensioneve po vihet në rrezik edhe jeta e ushtarëve tanë. Sikur ka një përshtypje në Prishtinë që për çdo telashe ushtarët tanë do jenë aty për t’ju nxjerrë nga gjendja e krijuar. Zhvillimet e fundit po vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe kjo për ne është shqetësuese.

Ne kemi sugjeruar vazhdimisht që t’i prezantoni propozimet tuaja rreth Asociacionit të Komunave. Këshilla jonë ka qenë që të përgatitni dhe prezantoni idetë se si ju e shihni Asociacionin. Përveç kësaj kemi po ashtu vendimin për manastirin e Dçeanit që është në pritje të implementimit.

Nuk ka dyshim që Serbia do të shfrytëzoj çdo mundësi për ta paraqitur Kosovën në dritë të keqe dhe për fat të keq tani ka mjaft municion për një gjë të tillë.

Kemi frikë që vendimi do të ketë pasoja negative edhe për gjasat për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare shkaku i disponimit që zhvillimet e fundit ngjallin tek partnerët në Evropë. Fund!”

Lajme të ngjashme