Partia Komuniste e Zvicrës me komunikatë për veriun e Kosovës: Të tërhiqen ushtarët zviceranë të KFOR-it
Ngjarjet në veri të Kosovës tashmë janë ngjarje ndërkombëtare. Përveç ShBA-së e BE-së, edhe një parti me pak fuqi parlamentare në Zvicër, ka zgjedhur të komentojë zhvillimet e fundit në veri. Partia Komuniste e Zvicrës (PKZ) ka bërë një deklaratë të gjatë aspak miqësore kundrejt Republikës së Kosovës.
Në një komunikatë të lëshuar, PKZ-ja ka komentuar situatën në veri të Kosovës, sipas së cilës “po përshkallëzohet”, duke shkruar se dërgimi i Policisë së Kosovës atje është provokim për minoritetin serb. Madje, gjuha e Partisë Komuniste të Zvicërane është radikale, ashtu siç është qëndrimet e tyre të njëanshme, por edhe krahasimet që i bënë mes veriut të Kosovës dhe regjionit të Donbassit në Ukrainë.
Njëra nga kërkesat e PKZ-së është largimi i kontigjentit ushtarak zvicëran që është pjesë e KFOR-it në Kosovë. Natyrisht, PKZ, që është parti parlamentare në Zvicër, ka kritika të ashpra edhe për KFOR-in, të cilën e akuzon se po i fryn zjarrit në Kosovë.
Çka tha Partia Komuniste e Zvicrës?
Që në hyrje, ajo vlerëson se situata në Kosovë po përshkallëzohet, duke theksuar se Serbia e ka vendosur ushtrinë në gatishmëri pas dërgimit të policisë kosovare në veri, të cilën PZK e cilëson provokim ndaj serbëve.
“Pas një periudhe dukshme të qetë, situata në Kosova sërish po përshkallëzohet. Forcat kosovare të rendit dhe sigurisë janë vënë në gjendje alarmi dhe një mori e tyre po zhvendosën në Mitrovicë. Kjo nënkupton provokim për minoritetin serb, ku presidenca e Republikës së Kosovës ka hedhur akuza për “nxitje” të tensionimit. Situata ka ardhur deri në një pikë që të krahasohet gjendja tanishme me atë që në vitin 2014 është përjetuar në Donbass të Ukrainës. Një krahasim shqetësues, pasi faktikisht presupozon përgatitjen për një luftë. Mu për këtë Serbia e ka vendosur ushtrinë në gatishmëri të lartë.” - vlerësoi PKZ, transmeton Nacionale.
Gjatë deklaratës, ata vlerësojnë se Zvicra duhet t’i tërheq ushtarët e saj që janë pjesë e kontigjentit të KFOR-it në Kosovë.
“Zvicra për momentin zotëron qindra ushtarë aktivë në Kosovë, pikërisht si pjesë e kontingjentit të KFOR-it. Kjo e fundit hapur ka kërcënuar për një ndërhyrje kurdo që Serbia, një komb i pavarur që zotëron raporte diplomatike krejtësisht paqësore me Zvicrën, do të ishte në mbrojtje të popullit të saj viktimë e shtypjes nga regjimi i Prishtinës. Ndërhyrja e NATO-s është në kundërshtim me interesat kombëtare të zviceranëve dhe të interesave të klasës shoqërore të punëtorëve në vendin tonë. Kështu që, Partia Komuniste konsideron urgjente, duke parë edhe kontekstin e ri gjeopolitik, që të tërhiqen menjëherë ushtarët tonë që janë të vendosur në Kosovë, sepse faktikisht janë pjesë integrale e një kontingjenti ndërkombëtar që do të mund të hynte drejtpërdrejt në konflikt të armatosur. Shkelja e neutralitetit do të ishte tërësisht evidente.” – shtoi Partia Komuniste.
“Në këtë kontekst të tensionit, kontingjenti i NATO-s në Kosovë, respektivisht KFOR-i, po fryn mbi zjarr. Që në verën e kaluar kishte paralajmëruar se në rast të çdo përkeqësimi të situatës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, trupat ushtarake të saj do të ishin në gjendje që të ndërhynin. Natyrisht, kundër Serbisë.” - theksoi Partia Komuniste.
PKZ-ja e quan Serbinë vend ushtarakisht neutral, duke shtuar se amerikanët po dëshirojnë një luftë të re në qendër të Evropës.
“Mos ta vendosim në rrezik jetën e të rinjve tonë për ta gëzuar Joe Bidenin. Përkundrazi, Zvicra do të duhej që ta mbështetë Qeverinë e Beogradit, e cila i kërkon Prishtinës zyrtare që ta formojë Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, për ta shmangur kështu përshkallëzimin që është verifikuar në Ukrainë.”, thekson ajo.


