"Paramilitarë": VV-ja 'amniston' Surroin për krahasimin e grupit të Kumanovës me terroristët e Banjskës
Kanë kaluar gati 24 orë që kur Veton Surroi, këshilltar i jashtëm i kryeministrit Albin Kuti, ka krahasuar grupin e Kumanovës me grupin terrorist të Radojçiqit terrosit dhe ende askush prej VV-së nuk ka reaguar.
Më herët, kushdo që jepte cilësime të tilla për këtë grup, zyrtarët e VV-së nisnin linçimin publik.
Kjo sepse njëri nga pjesëtarët e dënuar të këtij grupi është Muhamet Krasniqi, kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kjo e fundit edhe në Kuvendin e Kosovës i kishte reaguar deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila grupin e kishte cilësuar si terrorist.
Për këtë deklarim deputetja e PDK-së ishte sulmuar ashpër nga mbështetësit e VV-së. Më pas, Deliu-Kodra kishte kërkuar falje për fjalën e saj.
Për heshtjen e VV-së ndaj cilësimeve të Surroit ka një shpjegim analisti Afrim Kasolli.
Ai ka thënë se kjo po ndodh për shkak të afërsisë së Sorroit me Kurtin.
“Për ta kuptuar mentalitetin politik të grigjës mjafton të përmenden dy reagime diametralisht të kundërta të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket interpretimit të grupit të Kumanovës. Kur para një kohe, deputetja Blerta Deliu, e cila mbase as nuk i ka kushtuar rëndësi asaj që po thoshte nga tensioni, raste këto që mund të na ndodhin të gjithëve kur nxehen gjakrat, e akuzoi ministren e Drejtësisë se ka familjarë të saj të akuzuar për terrorizëm si pjesë e grupit të Kumanovës, e cila pas pak kohe kerkoi falje publike, megjithate e gjithë lukunia propagandistike e këtij subjekti u ndërsyen kundër saj”, ka shkruar Kasolli në profilin e saj në “Facebiik”.
Ai ka thënë se ata që janë në shërbim të Kurtit u lejohet të bëjnë gjithçka.
“Kurse dje, që Veton Surroi, i cili është pjese e sistemit nepotist të punësimeve familjare në pushtetin e Albin Kurtit, në qetësi të plotë dhe kalkulim të ftohtë e krahasoi këtë grup me terroristin famëkeq Milan Radojicic, dhe me këtë edhe shtetin e Kosovës , heshtje varri nga ky subjetk politik. Asnjë reagim. Asnjë qëndrim kritik. Thuajse nuk kishte ndodhur asgjë. Pse? Sepse Vetoni tashmë është i yni. Atij i lejohet gjithçka, mjafton t'i shërbejë Albin Kurtit”, ka shkruar Kasolli.
Dje, Veton Surroi, opinionist i njohur, ka publikuar një shkrim në X, ku ka komentuar situatën në veri të Kosovës.
Më saktë, Surroi e ka krahasuar rastin e grupit të Kumanovës me sulmin terrorist të serbëve, të cilët vranë një polic në Banjskë të Zveçanit.
Surroi i ka cilësuar të dy grupet si grupe paramilitare. Sipas Surroit, të dy grupet çmohen si heronj.
“Organet e njësisë paraushtarake shqiptare etnike që sulmuan N.Maqedoninë (2015) u çmuan si heronj në Kosovë. Pjesëtarët e njësisë paraushtarake etnike serbe që sulmuan Kosovën (2023) u çmuan si heronj në Serbi. Të dyja gabim! Dy gabime nuk bëjnë një të drejtë!”, ka shkruar Surroi.
Përplasja e ministres me deputeten
Në nëntor të vitit të 2021, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte përfshirë në një polemikë me deputeten e PDK-së. Në debat e sipër, kjo e fundit kishte thënë se kunati i ministres Haxhiu është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.
“Një ministre që vjen këtu e flet për akuza e kunati i saj është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoni, nuk mund të na japë leksione. Si takoheni ju me një homolog nga Gjermania kur në CV ju shkruan se kunatin e keni të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni”, kishte thënë Deliu.
Kurse, ministrja Haxhiu i kishte kërkua zyrtares së PDK-së se nëse ka informacione për këtë rast le t`i dërgon të organet e drejtësisë.
“Zonja Deliu kur bën akuza të tilla duhet të rrijë në Kuvend dhe jo të ikë nga Kuvendi. Për ata që se dinë është fjala për rastin e Kumanovës, le ta vlerësojnë institucionet e drejtësisë se si ka ndodhur ai rast. Ndoshta zonja Deliu e di si ka ndodhur ai rast e le t’i tregojë institucioneve të drejtësisë”, kishte thënë Haxhiu.
Pretendimet e deputetes se PDK-së kishin nxitur reagime të ashpra te mbështetësit e VV-së. Ajo ishte kritikuar ashpër në rrjete sociale për fjalinë e saj në Kuvendit.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kishte kërkuar falje lidhur me deklaratën për Kumanovën.
Ajo kishte thënë se i ishte keqkuptuar deklarata e saj.
“Në asnjë moment nuk i kam cilësuar si terroristë. Më është keqinterpretuar deklarata për të nxitur militantët tuaj. Keni dështuar të qeverisni. Po ju them se keni gabuar tërësisht, e dini mirë se unë i përkas dy familjeve që kanë flijuar shumë. Familjes Kodra dhe Deliu. Kemi plagë që nuk janë mbyllur kurrë. Si është e mundur që unë të kem një mëndim të tillë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, siç kanë tentuar të aludojnë disa nga ju”, ka thënë Deliu.


