Përkulja e Surroit ndaj Erdoganit për t'u bërë 'kali' i Kurtit kundër Edi Ramës
Veton Surroi mund të ketë pasur fatin elektoral të Fatmir Limajt, duke dështuar ta kalonte pragun. Por, ai ka një fat më të mirë post-elektoral: ka raport të mirë me Kurtin. Dhe, edhe pse e sulmonte ashpër njëanshëm Erdoganin, së fundi i shkoi në takim një vartësi të tij. Por, a e bëri këtë gjë për interes të ngushtë personal apo për t’u bërë ‘kali’ i Kurtit në luftën e tij kundër Edi Ramës?
Në Kosovë frynte erë lirie më 6 tetor 2019, sipas Veton Surroit, kur Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet për herë të parë. Ai do të ndihej “i çliruar” më në fund nga ish-liderët e UÇK-së që kishin çliruar Kosovën nga okupimi serb, por që sipas tij edhe e kishin okupuar më pas.

Surroi s’do t’i merrte erë pushtetit politik e institucional në vend, duke i lënë të papërmbushura ambiciet e tij përgjatë këtyre njëzet e tri viteve. Sidoqoftë, më 6 tetor 2019 e 14 shkurt 2021 nuk frynte veç erë lirie, Surroi po i merrte erë edhe pushtetit.
Surroi së pari ishte emëruar anëtar i një ekipi ekspertësh që do të mbështesnin Qeverinë Kurti në dialogun me Serbinë.
Por tashmë, ambiciet janë rritur pasi Albin Kurti ka hyrë në vitin e dytë të mandatit të tij qeverisës.
Surroi ka arritur që të marrë kandidimin nga Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti që të bëhet Sekretar Gjeneral i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, i themeluar nga Bashkimi Evropian (BE).
Megjithëse nuk dihet se çka bëri Surroi që t’i hiqte etiketimet e rënda nga Kurti, dihet se çka po bën që ta forcojë kandidaturën e tij për të arritur në pozitën që i ka vënë syrin.
Ai së fundi u takua me një vartës të Rexhep Taip Erdoganit, zv. ministrin e Punëve të Jashtme, Faruk Kajmakxhi (Kaymakci).
Surroi kishte qenë një ndër kritikët më të mëdhenj të presidentit turk Erdogan në Kosovë, veçanërisht regjistrin negativ sa i përket abuzimit me të drejta të njeriut, liri të shprehjes dhe burgosjen e shumë gazetarëve pas tentim puçit të 15 korrikut 2016.
Thankful to @frkkymkc for a wonderful opportunity to discuss our region as a peace project of integration, development and European certitude in times of geopolitical intensity. https://t.co/y33OU4IiHV
— VetonSurroi (@VSurroi) July 29, 2022
Në takimin e tij me Kajmakxhiun ai duket se edhe mori ‘kajmakun’ e kërkuar.
“Dëgjova vizionin e Veton Surroit, kandidatit të Kosovës për Sekretar të Përgjithshëm të RCC-së. Theksova mbështetjen e Turqisë për një RCC që promovon bashkëpunimin në Evropën Juglindore dhe rëndësinë e proceseve të BE-së për Evropën Juglindore”, u shpreh pas takimit Zv. Ministri turk në Twitter, në një postim që u rishpërnda nga z. Surroi.
‘Kali’ i Albinit?

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) është bashkëthemeluar nga BE-ja dhe synon të ofrojë një kornizë bashkëpunimi mes vendeve të Evropës Juglindore.
Ky këshill ishte lansuar zyrtarisht në një takim të Ministrave të Punëve të Jashtme në Sofie, më 27 shkurt të vitit 2007, pra dhjetë ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (por, asnjë lidhje mes të dyjave).
Sipas vetëpërshkrimit të dhënë nga RCC-ja, vizioni i saj është si vijon:
“RCC ndihmon prosperitetin dhe zhvillimin përmes veprimit rajonal në Evropën Juglindore, ndërkohë që avancon Integrimin Euro-Atlantik dhe Evropian. Ne shohim rajonin tonë si vend prosperues të dialogut, lirisë dhe mobilitetit, të pasur në trashëgimi kulturore, ku çdo person ndihet i sigurt dhe i mbrojtur nga sundimi i ligjit.”
Aktualisht, Sekretare Gjenerale e RCC-së është Majlinda Bregu, që ishte kandiduar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, dhe bash këtu na hyn në lojë Albin Kurti.
Znj. Bregu, në cilësinë e Sekretares Gjenerale mori pjesë në Forumin e Prespës në Ohër gjatë muajit qershor, e ku u diskutua Ballkani i Hapur, iniciativa që po kundërshtohet nga Kosova dhe në të cilën janë bashkuar Serbia, Maqedonia e Shqipëria.
“Roma s’është ndërtuar për një ditë, dhe ndërtimi i një tregu të vetëm (mes nesh) është më i lehtë të thuhet se të bëhet... Asnjë prej nesh në këtë rajon nuk e kemi luksin e të humburit të asnjë dite (për ta bërë tregun e përbashkët), veçanërisht tash kur integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor ka stagnuar që disa vite”, ishte shprehur ajo.
Tregu i përbashkët është një nga mësymjet e Ballkanit të Hapur, nismë që po kundërshtohet ashpër nga Qeveria Kurti e mbështetet fuqishëm nga Qeveria Rama.
Por, edhe z. Surroi kishte mbështetur idenë që Kosova të paktën të merrte pjesë si vëzhguese në këtë nismë rajonale. Megjithatë, tash që Surroi është propozuar për pozitën e Sekretarit Gjeneral të RCC-së, kjo mund të ketë qenë taktikë e Kurtit për të rritur mbështetjen rajonale dhe evropiane për z. Surroi.

Ardhja e mundshme e Surroit në këtë pozitë, mund ta ndryshojë eventualisht qasjen e Këshillit sa i përket Ballkanit të Hapur për Ballkanin Perëndimor. Ky do të ishte edhe synimi i arritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për kandidimin që ia bëri Surroit që dikur e quante “Vetoni i puplave”.
Mbetet të shihet nëse z. Surroi do të marrë mbështetjen e nevojshme për të fituar garën.
.jpg)
