Osmani mendon më ndryshe se Kurti për Turqinë: Erdogan mund ta bindë Serbinë ta njohë Kosovën - NACIONALE

Osmani mendon më ndryshe se Kurti për Turqinë: Erdogan mund ta bindë Serbinë ta njohë Kosovën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë relativisht të shkurtër për TRT World, e që është transmetuesi publik turk në gjuhën angleze. Në intervistën 13-minutëshe, Osmani ka folur për disa çështje përfshirë marrëdhënien mes Kosovës e Turqisë, ndikimet e luftës ukrainase e dialogun mes Kosovës dhe Turqisë.

Natyrisht, Osmani, si shefe e shtetit, ka folur edhe për takimet gjatë samitit të parë e inaugurues të Komunitetit Politik Evropian (ECP), një nismë e presidentit të Francës, Emanuel Macron.

Ajo e cilësoi si një nismë të duhur Komunitetin Politik Evropian që u mbajt në Pragë, e ku Osmani deklaroi të ketë takuar 25 krerë të shteteve.

Ndërsa, për Turqinë, më konkretisht për presidentit Erdogan, Osmani vlerësoi se ai mund të bindë Vuçiqin të njoh Kosovën.

“Të shkëlqyera”

Komandatja supreme i ka vlerësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, të cilës Osmani i referohej si Türkiye.

Madje, në pyetjet se cila janë raportet mes saj dhe presidentit turk Vjosa Osmani, ka theksuar se ka raporte të shkëlqyera me Erdoganin.

(Marrëdhënia me Erdoganin) Do të thoja se janë të shkëlqyera. Të dyja, edhe marrëdhënia mes Kosovës dhe Turqisë, dhe marrëdhënia ime dhe bashkëpunimi im me Presidentin Erdogan janë në nivelin më të lartë. Dhe dëshiroj të falëndëroj Turqinë dhe Presidentin për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë vendit tonë”, tha Osmani.

Osmani foli edhe për nevojën e thëllimit tutje të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë, duke përmendur tregtinë, kulturën e arsimin si fusha ku mund të ketë bashkëpunim edhe më të afërt.

Ne jemi duke shikuar për mënyrat se si mund të rrisim këtë bashkëpunim. Natyrisht, ka shumë potencial që ende nuk është arritur në shumë fusha, nga tregtia në rritjen e investimeve ndërmjet dy vendeve dhe po ashtu më shumë bashkëpunim në kulturë, në arsim dhe kështu me radhë. Ne jemi duke shikuar për një mikpritje të presidentit Erdogan në një vizitë në Kosovë, shpresojmë sa më shpejt që të jetë e mundur.", theksoi Osmani.

Por, Osmani gjatë intervistës përmendi edhe mundësinë që Erdogan të bidnë Vuçiqin për të njohur Kosovën.

Unë besoj që presidenti i Turqisë Recep Taip Erdogan mund të ketë një rol të rëndësishëm në bindjen e Vuçiqit që rruga e vetme për stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor është që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Sepse kjo është zgjidhja që bjen një paqe të qëndrueshme”, ka thënë Osmani ndër tjerash.

Megjithatë, Osmani përmendi faktin se aktualisht dialogu mes Kosovës e Serbisë lehtësohet nga Brukseli, dhe u ankua se presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk zbaton marrëveshjet e arritur. Madje, në këtë pikë, Osmani vlerësoi se Erdogan mund të luajë një rol.

Besoj që këtu Presidenti Erdogan mund të luajë një rol të rëndësishëm për të bindur Serbinë që t’i mbajë premtimet”, shtoi Osmani.

Refuzimi i Kurtit

Para një muaj, nga Podujeva, ku kryeministri Albin Kurti po qëndronte për vizitë, i ishte përgjigjur presidentit të Turiqsë, Rexhep Erdogan, në lidhje me gatishmërinë e këtij të fundit për të ndërmjetësuar mes Kosovës dhe Serbisë.

Me një gjuhë të matur, Kurti e ka refuzuar “ndihmën” turke, duke thënë se dialogu zhvillohet në Bruksel.

Shefi i ekzekutivit, nëpërmjet një gjuhe të kujdesshme diplomatike, deklaroi tutje se ndihma e miqve është e mirëseardhur, duke vlerësuar se Turqia është një aleate e Kosovës.

Ata i kanë agjendat e tyre dhe ne Turqinë e kemi shtet mik dhe aleat. Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – ku Kosova nuk është aty temë por palë – bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nesër do të vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini dhe Parisi që do ta shoqërojnë ndërmjetësin Lajçak, por natyrisht që ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur”, deklaronte Kurti nga Llapi.

Ndryshe, gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, por jo edhe në Kosovë, Erdogan kishte përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për letërnjoftimet, duke theksuar se është i gatshëm të ndërmjetësonte mes dy vendeve.

Jemi shumë të kënaqur që është arritur një marrëveshje për çështjen e kalimit me letërnjoftim të kufirit. Urojmë që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt për çështje të tjera problematike, posaçërisht për çështjen e targave. Ne gjithmonë kemi mbështetur dhe e përkrahim edhe tani sinqerisht zgjidhjen e problemeve përmes dialogut. Kurdo që kërkohet ndihma jonë, ne japim kontributin e nevojshëm me të gjitha burimet tona, me një mirëkuptim konstruktiv dhe të paanshëm.”, theksonte Erdogan ndër të tjera, transmeton Nacionale.

Lajme të ngjashme