Vjosa Osmani shkon në Pragë, merr pjesë në Samitin e Macronit ku Kosova përfaqësohet me fusnotë
Një takim i rëndësishëm do të mbahet me 6 tetor në Pragë të Republikës së Çekisë. Atje do të mblidhen tok 43 liderë të kontinentit të Evropës, pasi presidenti francez Emmanuel Macron ka nisur një nismë të quajtur Komuniteti Politik Evropian (EPC). Kosovën, e cila paraqitet me fusnotë në agjendën e kësaj iniciative, do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, e cila pritet të udhëtoj për në Pragë, ku mbahet samiti inagurues.
Presidentja Osmani para të pranishmëve të do të flasë për Kosovën si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon, duke ritheksuar përkushtimin e palëkundur të institucioneve të vendit për integrimin euroatlantik.
“Para liderëve europianë, Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë. Gjatë takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të diskutojë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Tutje, në njoftim thuhet se Osmani do të ketë edhe takime bileterale.

Gazeta Nacionale e ka siguruar agjendën e takimit, ku shihet që edhe Kosova është ftuar në këtë nismë të Macronit.
Në agjendën e ditës hapëse, Kosova aty figuron me fusnotë, e cila thekson mosparagjykimin ndaj statusit final të shtetit kosovar, duke listuar Rezolutën 1244 dhe Opinionin këshilldhënës të GJND-së për pavarësinë e Kosovës. Kjo marrëveshje ishte arritur në vitin e largët 2012, e të cilën e kishte nënshkruar atëbotë Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e Kosovës.

Megjithatë, Bekim Kupina, në një përgjigje për Express, ka theksuar se Presidenca e Kosovës e ka konfirmimin se të gjitha shtetet në samit do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë.
“Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Pragë do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Ne e kemi konfirmimin me shkrim nga organizatorët se të gjitha shtetet në samit, do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, me emrat e liderëve, sipas formulës së përdorur edhe në takimet e tjera, në samitet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, theksoi Kupina.
Njëri nga njerëzit që do të mbajnë fjalime është edhe presidenti i Ukrainës, Zelensky, natyrisht, në formatin online.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të mbajë një nga fjalimet kryesore të sesionit hapës të EPC-së.
Ndërsa Kosova do të jetë pjesë e diskutimeve në temën për paqen dhe sigurinë, të cilën e udhëheqin Moldavia dhe Slovakia.
Në samitin që do të mbahet në Pragë, më 6 tetor, pritet të marrin pjesë 44 vende, përfshirë 27 liderë nga vendet anëtare të BE-së dhe 17 të tjerë nga vende të kontinentit evropian e që aktualisht nuk janë pjesë e BE-së, si: Britania, Turqia, Norvegjia e Ukraina, shkruan agjencia "Reuters".
Madje, sipas kësaj agjencie, diplomatët janë skeptikë për qëllimin e EPC-së, duke thënë se nuk është aspak i qartë dhe shumë dyshojnë se një nismë e tillë, me kaq shumë liderë përreth tryezës, zor se do të zgjasë.
Sipas gazetës amerikane Politico, ideja e një komuniteti pan-evropian, të cilin e propozoi fillimisht Macron në maj, ka siguruar një momentum, por në të njëjtën kohë ajo vazhdon të shkaktoj një habi e shumë pikëpyetje për nevojën e një organizate të re.
“Qëllimi kryesor i EPC-së është që t'i sigurojë Ukrainës – dhe vendeve të tjera – një komunitet dhe forum strategjik që i ankoron ato në botën evropiane, në “anën tonë” të ndarjes me Rusinë.”, shkruan Politico.
