Intervistë | Bajrami: LV-ja premtoi punësim dhe drejtësi, solli varfëri dhe kaos - NACIONALE

Intervistë | Bajrami: LV-ja premtoi punësim dhe drejtësi, solli varfëri dhe kaos

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka vlerësuar se videoja e LV-së, përmes të cilës sulmohen qeveritë e kaluara, ishte e turpshme dhe qesharake.

Ajo ka thënë se në këtë mënyrë, partia në pushtet po mundohet t`i fshehë dështimet e saj.

Në këtë intervistë, dhënë gazetës Nacionale, ajo ka thënë se asnjëri prej njerëzve të paraqitur në video nuk është pengesë që kjo parti t`i kryejë punët për të cilat e ka marrë besimin e qytetarëve.

Sipas saj, kjo parti nuk ka përmbushur asnjë premtim të saj.

"Ata sot nuk janë në gjendje me dalë me i thanë një votuesi të tyre se ky është premtimi të cilin ne e kemi mbajtur. Po thonë se synimi jonë ka qenë punësim dhe drejtësi dhe po e vëreni se 25 mijë punëtorë i kanë lanë pa paga. Njerëzit janë duke pritur në ankth nëse do t'u dalin pagat deri nesër. Nëse këta 25 mijë punëtorë nuk i marrin pagat, ata duhet me pasë me dije se kanë me ua mësy gjykatave. Kanë me krijuar komplet një kaos në sistemin e drejtësisë.", ka thënë Bajrami.

Ajo ka deklaruar se partia në pushtet, e cila kishte premtuar drejtësi dhe punësim, ka sjell varfëri dhe kaos.

"Në vend të punësimit dhe drejtësisë, ne kemi varfëri dhe kaos. Nuk kemi realizimit të asnjë premtimi të vetëm. Andaj, siç duket, këta ende janë duke e jetuar opozitën dhe nuk po shoh se janë adaptuar me kompetencën që ua ka dhënë votuesi më 14 shkurt. Ende kanë ngelur në ato vite të opozitës, duke i atakuar të tjerët, por realiteti është se këta i kanë të gjitha", është shprehur Bajrami, në një intervistë për Nacionalen, e cila është realizuar më 4 tetor.

Bajrami ka treguar se Kosova nga lufta kishte dalë tërësisht e shkatërruar, duke shtuar se çdo gjë që ekziston sot, është ndërtuar gjatë dy dekadave të pasluftës.

"Qytetarët e dinë se kush ka punuar dhe kush ka udhëhequr në 20 vitet e kaluara. Ato janë cikle politike. Nuk është se është punuar çdo gjë, ne e dimë se në vitin 1999, kur kemi dalë nga lufta, kemi qenë shtet komplet i shkatërruar. Krejt çka është ndërtuar është bërë për këto 22 vite. Sigurisht se ka pasur gabime, tash institucionet janë, nëse ka pasur njerëz të korruptuar, le të urdhërojnë dhe le t`i arrestojnë. Nëse ka pasur keqqeverisje, i kanë të gjitha hallkat e pushtetit, le të urdhërojnë dhe le t`i burgosin. Mirëpo më së paku pritet prej tyre të bëjnë propaganda. Për besë, ishte për turp dhe ishte qesharake videoja e tyre, në kohën kur 25 mijë familje i kanë lënë para dyerve të bankave", është shprehur ajo.

Për 15 vjet kanë djegur vetura dhe i kanë dëmtuar institucionet

Deputetja e LDK-së ia ka rikujtuar LV-së protestat e dhunshme që ka bërë sa ishte në opozitë. Ajo ka thënë se aktivistët e kësaj partie për vite me radhë kanë djegur me dhjetëra vetura dhe i kanë dëmtuar rëndë institucionet shtetërore.

"Sa herë që këta dalin me video të tilla dhe nuk kanë asnjë video për ta promovuar, qoftë edhe një rezultat të vetëm për më shumë se një vit e gjysmë në qeverisje, kjo është tendencë për me e zhvendos vëmendjen. Mirëpo kësaj here e kanë turpëruar veten", është shprehur Bajrami.

Ish-ministrja e Financave dhe Arsimit ka përmendur raste konkrete, kur aktivistët e LV-së, pa ndonjë arsye, i kanë dëmtuar pronat publike.

"Prej tyre më nuk pritet me tregu se kush ka qenë dhe kush ka udhëhequr në 22 vitet e kaluara. Në 22 vite të kaluara dhe 15 vite, sa ka bërë LV-ja opozitë, ne e dimë çka ka bërë. Unë kam qenë ministre e Tregtisë dhe Industrisë, kur protestuesit nga protesta e organizuar e LV-së kanë ardhur dhe kanë thyer më shumë se 10 vetura në oborrin e Ministrisë së Tregtisë dhe ju e dini ku është. Të Lagjja e Spitalit gjendet ministria dhe nuk ka qenë në shesh", është shprehur ajo, duke shtuar se këto veprime të LV-së janë bërë kur qeveria po ndërmerrte reforma të rëndësishme ekonomike.

"Pra, janë thyer komplet xhamat e ministrisë në kohën kur ne bënim përpjekje maksimale për me i tërheq investimet e huaja, në kohën kur ne ishim top-reformatorë në ambientin e biznesit, këta kanë ditë me i thy, me i kallë institucionet me molotov. Kanë ardhur, i kanë thy xhamat e ministrisë dhe i kanë thy kerret. Domethënë, edhe këta kanë kontribuuar në këto 22 vite", ka thënë ajo.

Ndër të tjera, deputetja e LDK-së është shprehur skeptike se kjo qeveri mund ta çojë mandatin deri në fund.

Ajo e ka pranuar pafuqinë e opozitës për ta rrëzuar këtë qeveri, duke thënë se kryeministri Albin Kurti mund ta rrëzojë veten.

"Varet komplet prej tyre. Nuk varet prej opozitës, sepse opozita nuk i ka numrat. Rrëzimi i qeverisë varet prej tyre. Këta, me këto veprime, mund ta rrëzojnë veten shumë shpejt", ka thënë ajo.

Veprimet ndaj grevistëve, të palogjikshme

Deputetja e LDK-së ka thënë se veprimet e Qeverisë Kurti në raport me grevistët kanë qenë dhe janë të palogjikshme.

Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë që ta bëjë ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

"Është vështirë me e gjet logjikën e veprimit të kësaj qeverie, por po shpresoj dhe po i bëj thirrje qeverisë që me e ba ekzekutimin e pagave sot ose nesër, kurdo që është e mundshme edhe teknikisht. Kjo duhet të ndodhë edhe për arsyen se punëtorët e arsimit, të cilët ata i kanë ndëshkuar, nuk janë fare punëtorë të Ministrisë së Financave. Ata kanë kontrata me komunat e Kosovës, komunat janë punëdhënësit e tyre", është shprehur ajo.

Sipas Bajramit, qasje e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit ndaj grevistëve nuk ka qenë e duhura.

Nga ajo çfarë ne kemi parë, nuk ka qenë qasja e duhur, për shkak se ju keni parë edhe nga deklarimet e z. Jasharaj se i janë bërë 80 kërkesa Qeverisë për takime dhe kanë ndodhur vetëm dy takime. Kur i ke 300 e 18 mijë nxënës për një muaj rresht jashtë bankave shkollore, ti nuk zhvillon dy takime, ti fillon një takim dhe nuk përfundon derisa ta gjesh zgjidhjen”, është shprehur ajo.

Ajo i ka komentuar edhe masat që Qeveria i ka marrë për t'u përballur me inflacionin.

Bajrami ka bërë me dije se efektet e veprimeve qeveritare nuk mund të maten.

Ne kemi një pako e cila po shpërndahet, efektet e të cilës nuk do të mund t`i matë askush dhe nuk kanë me e zgjidh problemin e askujt. Inflacionin është një problem që po na shoqëron për një kohë të gjatë”, ka thënë ajo.

Sa i përket Projektligjit për Paga, Bajrami e ka shprehur drojën e saj se ky dokument mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Ekspertë ligjor dhe të tjerë kanë deklaruar dhe ajo që kemi parë është se ligji i prek pagat e diku rreth 80 për qind të gjykatësve dhe prokurorëve. Domethënë, krejt gjykatësit dhe prokurorët në gjykata themelore preken dhe dukshëm u zvogëlohet paga të cilën ata e kanë sot”, ka deklaruar ajo.

Lajme të ngjashme