Kurti 'refuzon' ndihmën e Erdoganit: FLM, dialogu zhvillohet në Bruksel
Nga Podujeva, ku po qëndronte për vizitë, kryeministri Albin Kurti, i ka kthyer përgjigje presidentin të Turqisë, Rexhep Erdogan, në lidhje me gatishmërin e tij për të ndërmjetësuar në dialogun mes Kosovës e Serbisë. Me një gjuhë të matur, Kurti e ka refuzuar “ndihmën” turke, duke thënë se dialogu zhvillohet në Bruksel.
Z.Kurti, me një gjuhë diplomatike, ka deklaruar tutje se ndihma e miqve është e mirëseardhur, duke theksuar se Turqia është një aleate e Kosovës.
“Ata i kanë agjendat e tyre dhe ne Turqinë e kemi shtet mik dhe aleat. Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – ku Kosova nuk është aty temë por palë – bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nesër do të vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini dhe Parisi që do ta shoqërojnë ndërmjetësin Lajçak, por natyrisht që ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur”, deklaroi Kurti nga Llapi, shkruan Nacionale.
E mos ardhjen e Erdoganit në Kosovë, Kurti tha se vizita e presidentit të Turqisë lidhet më shumë me Bosnjën.
“Përshtypja ime është që kjo vizitë ka pasur të bëjë më shumë me Bosnjën, sepse e konsiderojnë si një vend shumë më të rrezikuar se Kosova. Sepse Serbia dhe Kroacia kanë ndikime të fuqishme në Bosnjë dhe vizita në Ballkan kësaj radhe e presidentit turk lidhet me Bosnjën”, shtoi Kurti.
Çfarë tha z.Erdogan?
Presidenti turk ka disa ditë që po qëndron në Ballkanin Perëndimor, në një vizitë që përfshiu Bosnjën, Serbinë, e Kroacinë.
Gajtë vizitës në Serbi, e ku u takua me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme që në mënyrë konstruktive dhe të paanshme, të ndërmjetësojë mes Kosovës e Serbisë kurdo që i kërkohet Turqisë.
Në deklaratën e tij, Erdogan e përshëndeti marrëveshjen për letërnjoftimet mes dy vendeve, duke uruar të arrihen marrëveshje edhe në çështjet e tjera problematike mes Serbisë e Kosovës.
“Jemi shumë të kënaqur që është arritur një marrëveshje për çështjen e kalimit me letërnjoftim të kufirit. Urojmë që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt për çështje të tjera problematike, posaçërisht për çështjen e targave. Ne gjithmonë kemi mbështetur dhe e përkrahim edhe tani sinqerisht zgjidhjen e problemeve përmes dialogut. Kurdo që kërkohet ndihma jonë, ne japim kontributin e nevojshëm me të gjitha burimet tona, me një mirëkuptim konstruktiv dhe të paanshëm.”, theksoi Erdogan ndër të tjera, transmeton Nacionale.
Mos vizita e Erdoganit në Kosovë është komentuar nga disa analistë, përfshirë z.Milazim Krasniqin, profesor universitar i gazetarisë.
Krasniqi ka shkruar se shmangia e Kosovës në vizitën e Erdogan është një hendikep për shtetin kosovar.
“Presidenti Erdogan ka vizituar Shqipërinë e Kosovën në të kaluarën, por ndryshimet e mëdha gjeopolitike që po ndodhin, veçmas pas agresionit rus në Ukrainë, kanë nevojë për forcimin e partneritetit strategjik atlantik të vendeve tona. Kjo vlen shumë më tepër për Kosovën, se sa për Shqipërinë, sepse Kosova ka hyrë në një fazë bukur kritike në marrëdhëniet me Serbinë, kur presionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë në rritje.”, shkroi Krasniqi.
Madje, ai ka pasur edhe disa pyetje në lidhje me marrëdhënien e Kosovës me Turqinë.
“Por, pyetja që shtrohet është kjo: a e ka diplomacia dhe politika jonë të qartë rëndësinë e Turqisë a nuk e ka, a punon për ta ruajtur e forcuar partneriettin strategjik me Turqinë, apo i ka lënë raportet të rrjedhin më ramje të lirë- teposhtë, si një luftë donkishoteske e kësaj qeverie kundër trashëgimisë së ish presidentit Hashim Thaçi, i cili ato raporte i pati ngritur në një nivel bukur të lartë. Kam frikë se në pikën e ramjes së lirë të raporteve jemi.”, pyeti z.Krasniqi.
Kujtojmë që Kurti nuk ka vizituar ende Turqinë, ndonëse ka më shumë se një vit e gjysmë që është në pushtet.


