Nëntë ditë jetoi “në Kafaz të Artë” i bashkëngujuari me Hetemin, intervista e dhimbshme dhe komike e zv/ministrit Vokrri
Në politikë, thuhet, mungesa e mendjes së shëndoshë nuk është pengesë. Përkundrazi, mund të jetë edhe aset.
26 minutë intervistë të Zëvendës Ministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, në RTK janë 26 minuta për t’u zhgrehur në vaj ose në qeshje – krejt varet nga prirja e një dëgjuesi të mirëinformuar.
Për t’u zhgrehur në vaj me palogjkësinë e tij, ose në të qeshur, po ashtu me palogjikësinë e tij.
Të lexojmë çka tha në intervistën që gërshetohet mes të dhimbshmes për mendjen e shëndoshë dhe një humori patetik.
U pyet se si i kaloi “nëntë ditët” e tij brenda Komunës së Leposaviqit, ku tashmë më shumë se 3 muaj është shëndruar në Bastille të llojit të vet për Kryetarin Lulzim Hetemi.
“I ngjasonte jetës në një Kafaz të Artë”, i tha Vokrri intervistueses së tij, me një fytyrë të magjepsur, sikur donte të përçonte dimensionin përallor dhe nostalgjik të frazës së shqiptuar nga ai.
E vetmja gjë që u mungonte, tregon Vokrri, ishte wifi-ja. Problem, thotë ishte, të lidheshdin me internet dhe u duhej të shfrytëzonin rrjetin e KFOR-it.
Por, Vokrri, duke shpjeguar këtë aventurë të tij “qëndrestarie kombëtare” tregon se KFOR-in e ka analizuar shumë. Si Zëvendës Ministër, ai tregoi se ia kishte caktuar vetes edhe një detyrë të lartë ndërkombëtare – atë të venerimit të forcës paqeruajtëse dhe disponimit të tyre. E më theksueshmi, se si do të reagonin ata “në rast të ndonjë eskalimi individual”.
Komike? E dhimbshme? Të dyja.
“Doja të shija edhe disponimin e KFOR-it, me bë njëfarë vlerësimi se sa mund të llogaritet në ta nëse ndodh ndonjë eskalim eventual, në vendosmërinë e ushtarëve të KFOR-it për të reaguar”, tha Vokrri.
Me KFOR-in, Vokrri, ishte mëse skeptik. Madje edhe tërë (mos)daljen dhe ngujimin e Lulzim Hetein në “burgun komunal” e arsyetoi në raport me ta. S’dihet a e lënë më të hyjë brenda nëse Lulzim Hetemi del nga objekti, u shpreh ministri komik.
“Sikur KFOR-i të japë garanci se nuk e pengon që të kthehet në zyrën e tij, çështjet e tjera të sigurisë janë të rregulluara, madje nuk ka nevojë as për shoqërim. Në bazë të asaj që kam parë, aty shoh dozë rreziku”, është shprehur Vokrri në Info Magazine në Klan Kosova.
Vokrri, për të vazhduar edhe më tej tragjikomedinë, u lëshua edhe një leksion ndaj ndërkombëtarëve për t’ua dhënë një kuptim semantiko-juridik mbi atë se çfarë është legaliteti dhe çka legjitimiteti; sepse “nuk po janë seriozë”, tha ai.
“Legjitimiteti është koncept relativ, dhe aty është argumentimi i partnerëve ndërkombëtarë, se sa kanë qenë legitime këto zgjedhje”, u shpreh Vokrri.
Legjitimiteti, siç nuk e di Vokrri, përveç konformitet ndaj ligjeve dhe rregullave, është edhe cilësia e të qënit e arsyeshme dhe e pranueshme, dhë që buron nga vullneti demokratik i popullatës zgjedhëse – gjë që Lulzim Hetemi nuk e ka, ngase ka marrë vetëm 100 vota. Legjitimiteti i Hetemit është kontradiktë në terma.
Por, Vokrri ua tërheq vërejtjen ndërkombëtare. U thotë “të bëhen me serioz...kur duan të bashkëpunojnë me Republikën e Kosovës”.
Për atë që vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e thotë vetë se kryetarët e rinj janë veçse “kryetarë me ‘k’ të vogël” dhe “udhëheqës me ‘u’ të vogël”, Vokrri është krejtësisht i një mendje tjetër. Lë të kuptojë se Kurti në rend të parë, e më pastaj ndërkombëar, e kanë tërësisht gabim.
“Nuk mund të thuhet se një kryetar komune është thjesht një zyrtar administrativ; zyrtarët administrativë zgjidhen me konkurse dhe jo me zgjedhje politike. Ata janë persona shumë politikë dhe njëkohësisht shumë të rëndësishëm që nuk mund të tallen me pozitën e tyre”.
Vokrri, flet sikur kryeministër i vendit, kur e thotë pa ekuivokë një gjë në kuptimin më kategorik. “Dorëheqje nuk do të ketë”, tha ai, për kryetarët.
Për t’u bërë edhe më qesharak, Vokrri vijon të tregojë se “isha në Leposaviq ditëve të fundit” ku, “njerëzit ndalen, na flasin” dhe “na kërkojnë punë”.
“Isha në atë pjesë dje. Dhe kam shëtitur lirshëm rrugëve të Leposaviqit. Dhe, isha i shoqëruar me dikë nga kabiniteti qeveritar, që qytetarët atje e njihnin. Dhe qytetarët afroheshin. Kërkonin punë. Kjo ishte e tëra. Ai ju tha: ju po kërkoni punë, por a e dini që kryetarin e keni shqiptar këtu; dhe qytetari që kërkonte punë tha s’ka rëndësi; me rëndësi është që të punohet. Të përparojmë. Nuk është veç ky rast, por ka edhe tjerë”, tha ai.
Pas kësaj, ai zihet në rrenë nga vetë gazetarja, edhe atë, sikletisht. Si?
“Sikur ai të largohej nga objekti i Komunës atëherë do të kishte një prapakthim në shumë dimensione. Jo vetëm në Leposaviq. Me siguri do të futeshin prap strukturat paralele të Serbisë edhe do ta merrnin ashtu në mënyrë të paligjshme legjitimitetin institucional”, tha Vokrri.
Këtu gazetarja e ndërpreu, i tha se në fakt, në Zubin Potok dhe Zveçan, dy kryetarët janë larguar dhe Policia e Kosovës vazhdon të jetë aty, dhe nuk janë marrë objektet nga strukturat paralele.
I zënë në rrenë, Vokrri, zihet edhe në ngërrç.
“Shikoni, tash, mundemi me u fut në disa pyetje që janë të ndjeshme nëse tregohen për publikun. Por, ta keni parasysh që Kosova kurrë s’ka pasur prani kaq të madhe të ligjit dhe të forcave që ofrojnë siguri dhe ligjshmëri në atë pjesë. Çdo lëshim pe do të nënkuptonte praprakthim dhe hapësirë që Lista Serbe dhe bandat kriminaëe ta rikthejnë gjendjen e mëparshme”, tha Vokrri.