NZZ: Kosova dhe Serbia me negociata sekrete në Zvicër
Kosova dhe Serbia thuhet se kanë diskutuar në mënyrë sekrete në Zvicër.
Të paktën kështu shkruan portali zviceran NZZ, që sonte ka publikuar të gjeturat e një hulumtimi.
Në mes të nëntorit, gjithnjë sipas mediumit respektiv, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA) i Zvicrës priti përfaqësues të të dy vendeve.
“Një takim i tillë ka ndodhur një javë pas tërheqjes së serbëve nga institucionet kosovare”, konfirmon zëdhënësja e FDFA-së, Elisa Raggi. Për arsye konfidencialiteti, FDFA nuk dëshiron të thotë saktësisht se ku janë zhvilluar bisedimet".
Veç kësaj, bëhet e ditur se ky rast nuk ishte i fshehur. FDFA konfirmoi faktin se që prej vitit 2015, Zvicra ka mbështetur strukturat respektive të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
“Departamenti për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut ka organizuar takime të rregullta ku marrin pjesë përfaqësues të partive më me ndikim nga të dy vendet”, thuhet tutje.
Në anën tjetër, nga po i njëjti institucion deklarohen se diskutimet larg syrit të publikut po bëhen me qëllim që të krijohet besim mes palëve, pra të shkëmbejnë rregullisht pikëpamjet e tyre për çështjet eventuale.
“Kjo lejon kontakte të drejtpërdrejta diskrete, për shembull, për të parandaluar shpërthimin e dhunës”, thonë prej FDFA-s për NZZ.
Në njërën nga pjesët gjithashtu, pohohet se palët mund të japin ide të caktuara, të cilat më pas mund të kalohen në Bruksel në kuadër të dialogut zyrtar.
Veriu
Kujtojmë se situata në veri edhe më tutje nuk ka ndryshuar. Banorët serbë që veçse kanë vendosur barrikada, po shtojnë numrin e tyre.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti është në pritje të KFOR-it për t'i hequr ato.
Megjithatë, i këtij mendimi nuk ka qenë edhe emisari i posaçëm i BE-së për negociatat Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.
Diplomati sllovak, në një deklarim të para disa ditëve në vendin tonë, heqjen e barrikadave e ka kërkuar përmes dialogut dhe jo eskavatorëve.
“Jam diplomat. Për mua mënyra më e mirë për t’i larguar barrikadat është si rezultat i një marrëveshjeje politike, jo me ekskavatorë”.
Pengesë
Bllokimi i rrugëve në pjesën veriore ka vënë në vështirësi edhe vetë komunitetin serb. Është raportuar se nëpër barrikada nuk lejohen të kalojnë as pacientët.
Kjo ka nervozuar deputetin e LV-së, Artan Abrashin, i cili ka qortuar KFOR-in që nuk po vepron në largimin e tyre.
"KFOR kërkoi pak kohë për heqjen e barrikadave ndërkohë që u bënë disa ditë. Sot si pasojë e bllokimit të rrugëve nacionale një qytetare e komunitetit serb ka ndërruar jetë vetëm pse nuk pati mundësi të marrë tretman mjekësor. Liria lëvizjes dhe e drejta për të marrë shërbimet shëndetësore janë të patjetërsueshme", kishte shkruar Abrashi në profilin e tij në "Facebook".
Shqetësimin e njëjtë e ka shprehur edhe drejtori i instituti KIPRED, Lulzim Peci.
"Në pozitën më të vështirë në veri të Kosovës është popullata serbe, dhe atë nga kombinimi i kriminelëve me maska dhe barrikadave. Këta kriminel, jo vetëm që rrahin dhe maltretojnë individë të komunitetit serb, por edhe shkojnë aq larg sa që personave të sëmure ju pamundesojnë marrjen e ndihmës mjekësore. Rrahja e djeshme e te riut të komunitetit serb nga këta kriminelë, i cili nënën e vet që kishte pësuar sulm në zëmer dëshironte ta dërgoj në spitalin e Mitrovicës tregon nivelin e gjendjes së renduar të kësaj popullate të shkaktuar nga ngjarjet e fundit në veri të Kosovës".
Sipas tij, komunitetin serb atje nuk po e mbron askush.
"Në mbrojtjen e kësaj popullate prej ‘mbrojtjes’ së Vuçiqit është duke dështuar si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe prezenca ndërkombëtare në këtë pjesë të vendit. Ky rast duhet të jetë zile e alarmit se kjo gjendje nuk mund te vazhdoj, pike se pari për arsye humanitare dhe të sigurisë njerëzore. Shpresoj së gjatë ditëve në vijim do të largohen barrikadat dhe të filloj normalizimi i jetës për qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të vendit", kishte pohuar ndër tjerash Peci.

