Nuk ua pagoi orët shtesë punëtorëve, Inspektorati i Punës gjobiti me 2 mijë e 500 euro QKMF-n në Drenas
Inspektorati i Punës në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ka dënuar me gjobë në vlerë prej 2500 eurove Urgjencën në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Hafir Shala” në Drenas. Pse ndodhi kjo?
Në vendimin e inspektoratit thuhet se punëdhënësi ka angazhuar punonjësit me gjatë se orari i punës, ku është dënuar me 1 mijë euro gjobë dhe i njëjti nuk ka kompensuar punonjësit për punën në fundjavë dhe festa sipas lartësisë së paraparë duke u dënuar me 1 mijë e 500 euro.
Gjithsej, QKMF Urgjenca në Drenas u dënua me vetëm 2 mijë e 500 euro.
Inspektorati tek arsyetimi ka treguar se kanë marrë dokumentacione nga pala ankuese të cilat i kanë shqyrtuar në çdo mënyrë dhe më pas bazuar në deklaratën e punëdhënësit dhe pas shqyrtimit të evidencave mujore të vijueshmërisë të punonjësve, është konstatuar se punonjësit i kanë tejkaluar orët shtesë të lejuar, dhe sipas tyre kanë punuar 174 orë më shumë.
Gjithashtu në vendim është bërë e ditur se bazuar në deklaratën e punëdhënësit, për punën e fundjavës punonjësit janë kompensuar me vlerë 20% për 16 orë dhe 30% për 8 orë pune për të gjitha ekipet që kanë punuar gjatë vikendeve, dhe se për një gjë të tillë veprimi i punëdhënësit është në kundërshtim me Ligjin e Punës 03/L212 Neni 55.
Nga ana tjetër, drejtori i QKMF-së Drenas, Ismet Bogiqi e ka mohur mos-ekzekutimin e pagesave, duke thënë se pagesat janë kryer, por sipas tij janë kryer në një mënyrë tjetër.
Bogiqi në një prononcim për Gazetën Nacionale ka thënë se çdo herë i kanë bërë pagesat për çdo punë shtesë dhe për çdo aktivitet të punonjësve të tij.
“Ai inspektorati e ka shkru, i kemi raportet janë pagu ato krejt, mirëpo janë paguar në një formë tjetër në interpretim të Ligjit të Punës janë pagu pagesat. Pagesat janë bë në një formë tjetër, veç e ka interpretu Ligjin e Punës, çdo herë janë bërë pagesat për çdo aktivitet e për çdo punë që kanë kry për festa e jashtë orarit, e krejt.” – ka thënë ai.
Bogiqi ka deklaruar se janë duke përgatitur një ankesë për inspektoratin dhe se do të kërkojnë interpretim ligjor për këtë dënim.
Ne kemi kërkuar vazhdimisht ta kuptojmë se në çfarë “forme tjetër” janë kryer pagesat, por drejtori nuk ka treguar.
“Ne e bëjmë një ankesë qetash inspektoratit sepse ata kanë shkru që nuk e largojnë ata ekzekutimin dhe kena me lypë interpretim ligjor. Normal që kanë me u anku sepse e kanë shkru që nuk janë bërë ankesat. Pagesat i kemi pasë, por në një variante tjetër i kem pasë. Aty se kena cekë që ju paguhet vikend 50%, qaty është ngatërru puna, askund tjetër se krejt i kena pagu edhe festat edhe krejt, po duhet me u konsultu me bo një ankesë edhe me kërku interpretim ligjor, sepse asnjë qendër nuk i pagunë njëjtë. Edhe ne inspektorat kam qenë dhe kena bisedu me ta dhe i ju kem tregu se kena me i rregullu këto për një kohë të shkurt.” – ka deklaruar ai.
Drejtori i QKMF-së në Drenas ka thënë se problemi më i madh qëndron tek ndërrimet dhe tek punëtoret që disa e përmbushin normën e disa jo.
“Ne jemi shëndetësi dhe punojmë me ndërrime, 365 ditë i ka viti dhe një pjesë nuk e plotësojnë normën, ndërsa pjesa tjetër po. Qaty i kem telashet për shkak të ndërrimeve, sepse ne i kemi katër ndërrime tek emergjenca dhe qaty i kem telashet vetëm, janë pagu krejt po vetëm një formë tjetër.” – ka deklaruar Bogiqi.
Punëtorët e Urgjencës në Drenas ishin ata të cilët kishin dërguar ankesë tek Inspektorati i Punës për këto parregullsi në QKMF-në e tyre. Ata u detyruar që të bëjnë këtë veprim pasi që disa herë kishin dërguar kërkesë tek drejtori për kompensime, dhe pasi që ankesat e tyre nuk kishin marrë asnjë drejtim, ata ishin detyruar t’i drejtohen Inspektoratit të Punës.






