Nuk ndalet qeveria, shpall kundërligjshëm edhe konkursin për zyrtarë në misione diplomatike - NACIONALE

Nuk ndalet qeveria, shpall kundërligjshëm edhe konkursin për zyrtarë në misione diplomatike

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Qeveria e Kosovën po vazhdon ta shkelë Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kësaj, radhe është Ministria e Jashtme e cila nëpërmjet një konkursi të shpallur për zyrtarë nëpër misione diplomatike, ka vepruar kundërligjshëm. Kjo pasi konkursin bazuar në ligj, do të duhej ta shpallte Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në kuadër të MPB-së. Gazeta Nacionale sjell detaje.

Vetëm edhe pak ditë iu kanë mbetur kohë të gjithë personave, që synojnë të aplikojnë për zyrtarë në misione diplomatike të Kosovës jashtë vendit. Konkursi që e ka shpallur Ministria e Jashtme dhe e Diasporës mbyllet më datë 30 korrik. Megjithatë, ky konkurs i shpallur nga ministria e Donika Gërvallës për 32 pozita të zyrtarëve në misione diplomatike, po del se është në kundërshtim me ligjin.

Kjo pasi, konkursi sipas Ligjit, duhet të shpallet nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në kuadër të Ministrisë së Brendshme. Sepse me Ligjin për Zyrtarët Publikë, zyrtarët e shërbimeve diplomatike llogariten si nënpunës civilë me status të veçantë. Në këtë rast, barra automatikisht për shpalljen e konkursit, po del se i kalon MPB-së.

Një gjë e tillë specifikohet saktësisht në nenin 4 të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Nëpunësit profesionalë të shërbimit diplomatik dhe shërbimi korrektues janë nëpunës civilë me status të veçantë, të cilët rregullohen me këtë ligj dhe me ligj të veçantë”, thuhet në ligj.

Se këta zyrtarë të misioneve diplomatike llogariten si nënpunës civilë, e ka konfirmuar edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK). Në një përgjigje për gazetën Nacionale, ky Këshill ka bërë të ditur se kanë mandat ta trajtojnë konkursin në fjalë.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se sipas dispozitave të aplikuara të Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik, të punësuarit në Shërbimin e Jashtëm Diplomatik e kanë statusin e veçantë të nëpunësve civil, rrjedhimisht edhe pozitat e shpallura në konkursin e potencuar nga ju hyjnë në kuadër të kësaj kategorie të zyrtarëve publik, andaj Këshilli ka kompetencë dhe mandat ligjor të trajtoj rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Këshillit për Nacionalen.

Gazeta ka shprehur interesim të kuptojë se çfarë do të ndodhë me këtë konkurs, nëse do të anulohet apo jo, por Këshilli ka thënë se këtë përgjigje mund ta japin pak më vonë.

“Ndërlidhur me shqetësimin apo pyetjet e tjera të ngritura nga ana juaj, Këshilli do të ju mbaj të informuar me hapat e mëtejshëm dhe natyrën e trajtimit të çështjes në fjalë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Pikërisht për këtë shkelje, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka anuluar konkursin edhe për Kryeinspektor dhe të për drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës.

Si ia rrëzoi Këshilli qeverisë dy vendime

Qeveria Kurti kishte marrë një goditje të rëndë para dy jave nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK). Ky i fundit ia kishte shpallur të kundërligjshëm Qeverisë vendimin për emërimin e Kryeinspektorit të Punës edhe konkursin për zgjdhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka vlerësuar së emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria ka qenë i kundërligjshëm. Gjithashtu, ky institucion ka vlerësuar se edhe konkursi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së nuk është shpallur sipas ligjeve në fuqi. Ashtu siç kishte raportuar gazeta Nacionale muajin e kaluar, këshilli ka vendosur se këto procese nuk janë zhvilluar në përputhje me ligjet në fuqi.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në këtë përfundim ka ardhur pas monitorimit të jashtëzakonshme që ka bërë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë së emërimit të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Sipas këshillit, qeveria ka qenë ndesh me dispozitat e këtij ligji.

Rekomandimi i këshillit obligon Qeverinë që ta anulojë vendimin e saj.

Edhe në monitorimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë konkursit të Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, KPMShCK-ja ka rekomanduar se procesi është zhvilluar kundërligjshëm.

Sipas raportit të këshillit, edhe ky konkurs është dashur të bëhet në bazë të normave të

Në këtë konkursin, i cili ishte shpallur në muajin prill, kishin aplikuar 13 kandidatë.

Hakmarrja e qeverisë ndaj Këshillit

E vendimet e fundit nga Këshilli Civil, po del se nuk i ka pritur mjaft mirë qeveria. Madje, këta të fundit po punojnë në ndryshimin e ligjit duke ia hequr disa kompetenca.

Nëpërmjet plotësim-ndryshimit të Ligjit për KPMSHCK, qeveria po synon t’i heqë të drejtën e hedhjes poshtë të vendimeve të saj.

Në dokumentin e siguruar nga gazeta Nacionale, Zyra e Kryeministrit tashmë e ka të qartë se çfarë dëshiron të arrijë nëpërmjet ndryshimit të ligjit.

Në dokumentin që është dërguar tek grupi punues për këtë projektligj, theksohet qartë heqja e kompetencave për KPMSHCK-në.

Në nenin 2 të këtij projektligji, ripërkufizohen kompetencat e KPMSHCK-së, duke theksuar se ky institucion nuk ka kompetencë të vendosë për ankesat kundër Qeverisë, siç ka bërë deri tash.

“Pavarësisht paragrafit 1 nënpragrafit 1.1 të këtij ligji, KPMSHK nuk ka kompetencë të vendosë për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Kundër këtyre vendimeve, pala ka të drejtë të hapë konflikt administrativ në gjykatën kompetente në pajtim me ligjin përkatës për konfliktet administrative”, thuhet në pikën 2 të këtij ligji.

Standardi i dyfishtë i Qeverisë

Krejt ndryshe Qeveria kishte vepruar me zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues.

Në këtë rast, Qeveria ka zbatuar dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë, dhe Ministria e Punëve të Brendshme, më 16 maj, ka shpallur konkurs publik.

Edhe qeveritë e mëhershme kishin vepruar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, por KPMShCK-ja i kishte detyruar të tërhiqen.

As ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nuk e kishte respektuar Ligjin për Zyrtarët Publikë, kur kishte liruar nga puna Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajn.

Ky i fundit ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke pretenduar se kryeministri e ka shkarkuar në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe e kishte fituar rastin.

Lajme të ngjashme