Vendimet e Këshillit Mbikëqyrës “nervozojnë” Qeverinë Kurti, pushteti synon t’ia heqë kompetencat e imunitetin - NACIONALE

Vendimet e Këshillit Mbikëqyrës “nervozojnë” Qeverinë Kurti, pushteti synon t’ia heqë kompetencat e imunitetin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës, gazeta Nacionale raportoi ekskluzivisht për një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK). Ata e kthyen prapa emërimin e kryeinspektorit të punës dhe anuluan konkursin për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së.

E këto dy vendime, duket ta kenë nevrikosur Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Ndryshimet ligjore

Duket se Qeveria Kurti është duke tentuar t’ia heqë kompetencat KPMShCK-së, pas vendimeve të fundit.

Sipas Dren Kukajt, anëtar i Partisë Socialdemokrate, Zyra e Kryeministrit ka përgatitur ndryshimin e ligjit aktual mbi këtë institucion dhe atë në vetëm dy pika.

Sipas tij, Qeveria Kurti po tenton t’ia heqë kompetencat për të vendosur lidhur me ankesat kundër vendimeve qeveritare për nëpunësit civilë. Ndërsa, e dyta, është largimi i imunitetit.

“E para, dëshirojnë t’ia largojnë këtij institucioni kompetencat për të vendosur lidhur me ankesat kundër vendimeve qeveritare për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Dhe e dyta, Qeveria propozon t’u hiqet imuniteti anëtarëve të këtij institucioni”, shkroi ai në profilin e tij në Facebook.

Sipas zyrtarit të PSD-së, nëpërmjet ndryshimeve ligjore, Qeveria Kurti po synon të cenojë rëndë pavarësinë e KPMShCK-së.

“Diferencimi që po u bëhet pozitave të larta tregon qëllimin prapa pushtetit. Ata i dëshirojnë këto pozita në shërbim të tyre e për këtë arsye të pakënaqurve u pamundësohet ankesa në këtë institucion. Në anën tjetër, anëtarët e Këshillit kohëve të fundit i kanë nxjerrë probleme Qeverisë duke ia kthyer në punë shumë persona që këta i kanë larguar. Për këtë arsye, pushteti po dëshiron t’i frikësojë duke ua hequr imunitetin”, shkroi tutje ai.

Çka vendosi sot KPMShCK?

Gjatë ditës, Nacionale raportoi ekskluzivisht për dy vendime të këtij organi.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka vlerësuar se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria ka qenë i kundërligjshëm. Gjithashtu, ky institucion ka vlerësuar se edhe konkursi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së nuk është shpallur sipas ligjeve në fuqi. Ashtu si kishte raportuar gazeta Nacionale muajin e kaluar, këshilli ka vendosur se këto procese nuk janë zhvilluar në përputhje me ligjet në fuqi.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në këtë përfundim ka ardhur pas monitorimit të jashtëzakonshëm që ka bërë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë së emërimit të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Në raportin që ka siguruar gazeta Nacionale, KPMShCK ka rekomanduar se procesi i zgjedhjes së Kryeinspektorit të punës ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Këshilli ka konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Sipas këshillit, qeveria ka qenë ndesh me dispozitat e këtij ligji.

Rekomandimi i këshillit obligon qeverinë që ta anulojë vendimin e saj.

Edhe në monitorimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë konkursit të Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, KPMShCK-ja ka rekomanduar se procesi është zhvilluar kundërligjshëm.

Sipas raportit të këshillit, edhe ky konkurs është dashur të bëhet në bazë të normave të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Në këtë konkurs, i cili ishte shpallur në muajin prill, kishin aplikuar 13 kandidatë.

Në fund të muajit të kaluar, më 25 maj, Qeveria e Kosovës kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës përmes një procesi të dyshimtë.

Lajme të ngjashme