“Nuk e dija që dje do të shkojmë në komunë, na u tha në veturë aty për aty”: Peci shpjegon ngarjen e djeshme - NACIONALE

“Nuk e dija që dje do të shkojmë në komunë, na u tha në veturë aty për aty”: Peci shpjegon ngarjen e djeshme

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, i cili dje qëndroi gjashtë orë në ndërtesën zyrtare komunale, në një bisedë me Nacionalen ka shpjeguar se si erdhi puna deri te hyrja në objektin komunal dhe nisja e punës. Peci na thotë që nuk e ka ditur që po niset për në ndërtesë, por se ishte nisur për një takim me katër kryetarët e komunave veriore dhe ministrin e administrimit të pushtetit lokal. Vetëm pasi kishte marrë rrugë, dhe atë në veturë, një zyrtar i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i kishte treguar se do të shkoni në ndërtesa. Kryetari Peci ishte zënë krejtësisht i pa informuar. Megjithatë, ai veproi ashtu siç ishte planifikuar nga Ministria.

Nacionale:“Kush dhe kur u morr një vendim i tillë për t’u nisur drejt objekteve zyrtare komunale?”,

Ilir Peci:Dje, besoj se qeveria e morri këtë vendim. Ne e kemi planifikue që prej të hënës, por ashtu na erdh në moment, u vendos me shkue. Ta them të vërtetën nuk e kemi planifikue për dje”.

Nacionale: “Pra, ju nuk keni qenë të informuar pardje që dje do të dilni në objekte?”

Ilir Peci: “Jo, për besë s’kemi qenë të informuar, mirëpo dje aty për aty?”

Nacionale: “E kush ju ka informu?”

Ilir Peci:Dje ka qenë një zyrtar te unë e MAPL-së, gjatë tërë ditës me mua

Nacionale: “Pra, në mëngjes ju është kumtu që do të duhet të dilni në objektet komunale?”

Ilir Peci:Po, edhe atë vetëm pasi morrën rrugë, sepse ne e dje e kemi pas të parapame me bë një takim katër kryetarët e komunave të veriut me Ministrin e Pushtetit Lokal, zotin Krasniqi. Mirëpo, vetëm pasi jemi hyp në vetura të policisë, atëherë gjithçka ata zyrtarët e ministrisë na kanë njoftu do të shkojmë në objektet të komunave, dhe ne ashtu vepruam”.

Nacionale: "A do të dilni në zyre të hënën?"

Ilir Peci: "Po, po, patjetër. Ashtu e kemi të planifikueme. Por, tash varet se sa është siguria. Por shpresoj se siguria do të jetë. Dje ka qenë problem, por tash do të jetë e qetë (...) As sot s’jemi pushim, jemi tuj punue me do drejtori".

Dje pati përplasje dhe tensione të mëdha në tri komunat veriore ku, pavarësisht këshillave dhe kërkesës së QUINT'it, tre kryetarët e rinj shqiptarë të atyre komunave hynë në objektet zyrtare komunale me shoqërim të madh të policisë dhe njësive elitare speciale.

Një hyrje e tillë në objektet komunale u dënua ashpër nga QUINT'i e në veçanti nga vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, që nxorri deklaratë edhe nga Departamenti i Shtetit. Blinken, një ngarje të tillë e quajti "masë të dhunshme" e cila "duhet të ndalohet menjëherë" derisa shtoi edhe se kjo gjë "do të ketë pasoja në marrëdhëniet e ShBA'së me Kosovën". Një dënim kaq i ashpër nga ShBA nuk kishte ngjarë më parë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vetëm mëngjesin e sotëm u deklarua për çka tha se ato objekte janë pronë e Republikës së Kosovës, dhe se si të tilla "nuk janë marrë e as nuk do të merren kurrë".

"Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë", shkroi Kurti në reagimin e tij.

Lajme të ngjashme