Njohja e ndërsjellë, themelimi i Asociacionit: Çka tha Hovenieri në videon ku foli për disa pengesa? - NACIONALE

Njohja e ndërsjellë, themelimi i Asociacionit: Çka tha Hovenieri në videon ku foli për disa pengesa?

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka publikuar një video në rrjetin social “X”, ku e ka vlerësuar vitin 2023 dhe ka dhënë një pikëpamje mbi të ardhmen gjatë vitit 2024. Ambasadori amerikan e vlerësoi vitin 2023 si “vit me plot batica e zbatica”, ndërsa i qartësoi edhe pritshmëritë e ShBA-së karshi Kosovës e Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Çka tha Hovenieri?

Që në hyrje të videos së gjatë 3 minuta e 36 sekonda, Hovenieri deklaroi se gjatë vitit 2023 ka pasur momente të krizës, konfliktit e tragjedisë në Kosovë e anembanë planetit.

“Ky vit ishte plot me batica e zbatica. Kemi parë çaste të krizës, konfliktit dhe tragjedisë këtu në Kosovë, si dhe anëmbanë globit, duke përfshirë luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe rishtazi edhe konfliktin Izrael-Gazë” – deklaroi që në hyrje ambasadori amerikan.

Përkundër “çasteve të krizës”, Hovenieri nuk ngurroi të sqaronte se ShBA-ja është po aq e përkushtuar si edhe më parë për partneritetin me Kosovën.

“Dëshiroj të bëj një gjë të qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë po aq të përkushtuara si edhe më parë për partneritetin tonë me popullin e Kosovës. Së bashku me Qeverinë dhe popullin e Kosovës, i kemi shtyrë përpara tri qëllimet kryesore të ShBA-së për Kosovën. 1. Të shohim Kosovën duke marrë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike; 2. Sundim të ligjit më të mirë dhe qeverisje të përgjegjshme dhe efektive dhe 3. Zhvillim gjithëpërfshirës të kapitalit njerëzor dhe rritje të qëndrueshme ekonomike” – deklaroi sot ambasadori Hovenier.

Në videon e tij, që me shumë gjasë është e fundit për këtë vit, Hovenier i tregoi tri qëllimet kryesore të ShBA-së për Kosovën gjatë vitit që po shkon.

“Të shohim Kosovën duke e marrë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, sundim më të mirë të ligjit dhe qeverisje të përgjegjshme dhe efektive, dhe zhvillim gjithëpërfshirës të kapitalit njerëzor dhe rritje të qëndrueshme ekonomike”- ka thënë ndër të tjera Hovenieri.

Natyrisht, ambasadori Hovenier nuk harroi të fliste për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në fjalën e tij, ambasadori theksoi se përkundër disa pengesave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “plotësisht të përkushtuara” për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit që u arrit në Ohër.

“Në fund, dëshiroj t’i shpreh disa mendime për përpjekjet tona për ri-pozicionimin e marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes mbështetjes sonë për dialogun e mundësuar nga BE-ja. Në shkurt dhe mars të këtij viti, Kosova dhe Serbia ndërmorën hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me përmbylljen e marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit. Edhe pse ka pasur disa pengesa, ne jemi plotësisht të përkushtuar në zbatimin e saj. Ne besojmë se populli i Kosovës do të përfitojë jashtëzakonisht shumë nga zbatimi i plotë si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia të zotimeve të tyre, sipas kësaj marrëveshjeje” – ka shtuar Hovenieri.

Në fund, Hovenieri tregoi se çfarë pret nga Kosova dhe Serbia gjatë vitit 2024. Sigurisht, në kontekstin e Kosovës, ShBA-ja, theksoi Hovenieri, e pret lëvizjen përpara drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në vitin 2024, shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë, duke përfshirë Serbinë qe ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa të dy vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Zbartimi i marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit paraqet hap të madh drejt asaj të ardhmeje” – deklaroi Hovenieri.

Lajme të ngjashme