"Po presim KFOR-in": Është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare - NACIONALE

"Po presim KFOR-in": Është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka lëshuar një komunikatë në të cilën ka njoftuar që është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Çka u diskutua në këtë mbledhje?

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti mbajti takimin lidhur me situatën e krijuar në komunat veriore me shumicë serbe dhe incidentet e fundit “të shkaktuara nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuara dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë”.

Në këtë mbledhje u tha se kërcënimi po vinte pas koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe grupeve kriminale.

“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it.” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu, u fol edhe për KFOR-in me komandantin e të cilës Kurti pati një takim gjatë ditës së sotme.

Megjithatë, aty është thënë se sa i përket barrikadave do të vazhdohet të priten veprimet e KFOR-it.

Pikërisht këtë qëndrim kryeministri i Kosovës e kishte shprehur që prej ditëve të para të barrikadave serbe, ndërkohë që kishte pasur edhe nervozë nga vartësit e tij për mos-veprimet e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Por, ata duket se kanë adresuar edhe një deklaratë të bërë nga ana e komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccias që para disa ditësh kishte kërkuar dialog për zgjidhje të situatës.

Qeveria thotë se në këtë mbledhje është konfirmuar qëndrimi se nuk mund të dialogohte me banda kriminale.

Kujtojmë se në anën tjetër, mediet serbe kanë raportuar për rritje të kapaciteteve të ushtrisë serbe në kufirin administrativ me Kosovën. Ministri i Punëve të Brendshme, Vuçeviq ka udhëtuar drejt Rashkës për të takuar oficerë të ushtrisë serbe e madje edhe vetë komandantin e tyre, Millan Mojsilloviqin. Ky i fundit mbrëmë u nis në orët e vona të natës për në Rashkë, ku tha se i ishin dhënë detyra nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai nuk kishte dhënë detaje të reja.

Në takimin që mbajti sot me komandantin e KFOR-it, Kryeministria lëshoi një njoftim në të cilin thoshte se ishte arritur në një konstatim të përbashkët që të mos kishte më barrikada. Nuk dihet se si do të përkthehet në terren një konstatim i tillë.

Në anën tjetër, në postimin e KFOR-it për këtë takim nuk kishte pasur ndonjë deklaratë të ndarë apo ndonjë informatë për takimin.

Lajme të ngjashme