A u 'sqarua gjithçka' në takim? KFOR-i s'i thotë kryeministër Kurtit, Zyra e Kurtit 'ia huqë' emrin komandantit - NACIONALE

A u 'sqarua gjithçka' në takim? KFOR-i s'i thotë kryeministër Kurtit, Zyra e Kurtit 'ia huqë' emrin komandantit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më në fund kryeministri Albin Kurti e ka zhvilluar takimin e rëndësishëm me komandantin e KFOR-it në vendin tonë. Ai kërkonte ‘sqarim për gjithçka’ derisa shprehej kritik ndaj misionit paqeruajtës të NATO-s. Çka ndodhi në këtë takim dhe cili është konteksti? Nëse është për t'i besuar simbolikave, vetëm sqarim nuk ka pasur. Zyra e Kryeministrit ia ka huqur emrin komandantit të KFOR-it, ndërsa KFOR-i s'e ka përmendur pozicionin si kryeministër të Kurtit.

Kryeministri i Kosovës kishte njoftuar opinionin në ditët e para të barrikadave se i kishte dhënë KFOR-it “pak kohë” për t’i hequr ato. “Le të quhet kjo zbutje,” – shprehej ai para gazetarëve. Por, gjërat shkuan duke u përkeqësuar.

KFOR-i nuk po hiqte barrikadat serbe që kishin bllokuar rrugët në veri të vendit. Ndërkohë, nervoza e vartësve të Kurtit vetëm sa po rritej.

I.

Kurti para Krishtlindjeve do të mbante një konferencë të re për medie ku do të fliste për këtë çështje. Ai do të kërkonte takim me komandantin e KFOR-it, dhe ku besonte se “do të sqarojmë gjithçka.”

Por, as KFOR-i nuk ka pasur aq shumë kujdes në deklarata gjatë kësaj periudhe kohore. Përveç që nuk ka larguar barrikadat, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë kishte nxitur kritika me të paktën dy deklarata.

Serbia i kishte çuar kërkesë që t’i kthente ushtarët e saj në Kosovë. E KFOR-i me anë të një deklarate ishte shprehur se “po e analizonte atë kërkesë”.

II.

Dhe më pas, në mënyrë të papritur pikërisht komandanti i cili ishte sot në takim me Kurtin do të shprehte qëndrime që ishin cilësuar si të papranueshme: “KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut,”

A s’ishin marrë vesh që zgjidhja të bëhej prej tyre?

E përveç kësaj, kishte pasur edhe një tjetër deklaratë mjaft të çuditshme nga komandanti Ristuccia: “Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të mos ndikojnë në procesin e dialogut”.

III.

Kryeministri i Kosovës priti sot komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccian. Por, a u realizua besimi i Kurtit se “do të sqarohej gjithçka” në këtë takim?

Sipas asaj që shkruan Zyra e Kryeministrit, në takim ishte përveç Kurtit ishte edhe Zëvendës-kryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Punëve të Brenshme, Xhelal Sveçla. Ndërkohë, të vetmet fjali që kanë vlerë ishin ato që përshkruajnë një konstatim:

“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.”

Nuk dihet për çfarë arsyesh, fillimisht Zyra e Kryeministrit në njoftimin e saj ia huqi plotësisht emrin komandantit të KFOR-it (gjë që e përmirësoi më vonë). Por, dihet se fjalë ka pasur edhe KFOR-i. Aty publiku u njoftua thjesht dhe vetëm që Ristuccia ishte takuar me Kurtin (pa i thënë kryeministër) “për të diskutuar situatën e sigurisë në Kosovë”.

Lajme të ngjashme