Njerëzit e Kremlinit para balotazhit: “Vetëm Kurti sjell bereqet” - NACIONALE

Njerëzit e Kremlinit para balotazhit: “Vetëm Kurti sjell bereqet”

3 javë më parë

nga Col Mehmeti

Në sytë e inteligjencave perëndimore, rusi Artyom Sergeyevič Kureyev është kumbarë i fushatave masive të dezinformacionit në botë. Dyzetepesëvjeçari me flokë biond, si oficer i Shërbimit të 5-të të Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, është njeriu kyç me të cilin i ashtuquajturi Institut Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) mban lidhje. Ky organizim i dyshimtë, me seli në Lublanë, për të tretën herë me radhë sivjet ka bërë analiza spindoktoruese për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen. Dhjetë ditë para balotazhit në Kosovë, IFIMES-i pro-rus ka favorizuar Vetëvendosjen. Duke e spindoktoruar Kurtin si gjoja lider që e do Washingtoni, autorë të panjohur nga Lublana kanë shkuar deri atje sa kanë bërë edhe sugjestionime se kush duhet të fitojë në Kosovë. Sipas IFIMES-it, në ato komuna ku fitojnë kandidatët e VV-së do të ketë suksese, kurse në ato komuna ku nuk ka Vetëvendosje nuk do të ketë bereqet. Çfarë po ndodh?

Col MEHMETI

10 tetor 2025 – I ashtuquajturi Institut Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) ka bërë shërbimin e tretë këtë vit për Vetëvendosjen.

Rrum nëntë ditë para balotazhit, analiza nga Lublana e ka përnaltësuar partinë e Kurtit si të vetmen me gjasa për t’u konsoliduar në nivel lokal dhe atë të përgjithshëm.

Kjo skicë me qëllime tacite dezinformimi është bërë përmes analizës së fundit të IFIMES-it me titull “Zgjedhjet lokale në Kosovë 2025: Mes konsolidimit lokal dhe shndërrimit të mundshëm të sistemit politik përmes zgjedhjeve parlamentare”.

E botuar më 29 tetor, kjo analizë është praktikisht e vetmja jashtë Kosovës që ish-kryeministrin Albin Kurti e nxjerr si hero kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe strukturave paralele të pushtetit.

Flamuri i rrejshëm kundër korrupsionit

Njësoj si më 24 janar në vigjilje të zgjedhjeve të përgjithshme, dhe më 7 tetor në vigjilje të zgjedhjeve lokale, Instituti pro-rus nga Sllovenia ka bërë çmos që Vetëvendosjes t’i japë nota të larta bash në provimet ku, për BE-në, ka rënë keq.

Ballafaqimi i Kurtit me të ashtuquajturat elita tajkune e mafioze ka nxitur rezistencë te disa komunitete lokale, por, njëkohësisht, ka marrë mbështetje të gjerë politike nga qytetarët e lodhur nga klientalizmi dhe institucionet e kapura. Kjo qasje me ‘kompromis zero’ ndaj korrupsionit është bërë e veçanta e qeverisjes së tij dhe element shques për identitetin politik të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Instituti në të cilin ka ndikim të madh namkeqi, Martin Berishaj.

Sikur të ekzisonte një analizë serioze, atëherë fare lehtë do të kuptohej se lufta kundër korrupsionit është fusha ku partia në pushtet nuk ka asgjë për t’u mburrur.

Ndryshe nga analiza sllovene, Raporti i Progresit, i dritësuar më 4 nëntor, ka vënë në dukje se Kosova ka bërë “përparim të kufizuar” në luftën kundër korrupsionit.

Sipas Komisionit Evropian, “Kosova ende nuk ka një kuadër strategjik në fushën e luftës kundër korrupsionit”.

Pavarësisht deklarimit të përkushtimit politik për të zgjeruar masat kundër korrupsionit, nuk ka një qasje koherente për këtë”, thuhet në raportin e fundit.

Në të vërtetë, edhe raportet e Departamentit amerikan të Shtetit për vitet 2021, 2022 dhe 2023 – kohë që përkon me qeverisjen e Kurtit – e kanë përdorur dendurisht cilësimin “korrupsion serioz qeveritar.”

Rusë e pro-rusë: “Kurti e ndaloi zbrazjen e Kosovës”. Ha ha ha

Duke e bërë syrin qorr e veshin shurdh ndaj këtyre ngecieve të rënda, autorët e paemër nga IFIMES-i i kanë dhënë liri vetes që ta nxjerrin përfundimin se “suksesi” i VV-së në qendrat urbane ka riafirmuar “imazhin e Kurtit si lider reformator dhe simbol konsistence politike” (sic!)

Duke marrë veresije copëza propagande nga vetë regjimi i Kurtit, IFIMES-i nxjerr edhe pohime me nota komike se gjoja Kurti ia doli mbanë të “frenonte” zbrazjen demografike të vendit.

Ky makijazh alla-rus, që vjen përmes kanalesh sllovene, është në kundërti të plotë me realitetin e zbrazjes demografike, shpopullimit dhe largimit masiv nga vendi. Vetëm në vitin e parë të qeverisjes së Kurtit, 42,728 njerëz i thanë lamtumirë Kosovës, e cila ka mbetur vetëm me 1,588,566 banorë.

Rusë e pro-rusë “Opozita në Kosovë i ka fajet”

Se Instituti pro-rus nga Lublana përpiqet të krijojë me çdo kusht përshtypje të rreme nga Kosova, kjo shembullzohet edhe nga paragrafi në vijim.

IFIMES-i, pa një, pa dy, i bën fajtore partitë opozitare (LDK, PDK e AAK) “për personalizim të fushatës së tyre, tekqë ato e fokusuan thuajse krejt retorikën në sulme ndaj Albin Kurtit në vend se të shpalosnin programe konkrete dhe politika zhvillimore për komunitetet lokale”.

Një vëzhgim i paanshëm do të zbulonte se pikërisht partia në pushtet, ajo për të cilën spindoktoron IFIMESi-i, e ka fokusuar krejt fushatën e saj në sulme të plota ndaj partive kundërshtare dhe mediave.

Kjo kulmoi edhe në rrethin e dytë të votimeve kur ish-kryeministri Albin Kurti i përdori të gjitha resurset shtetërore për të favorizuar kandidatin e tij për Mitrovicën.

Ndryshe nga Instituti pro-rus që e nxjerr Vetëvendosjen si të pabehane në lojën politike, raporti i ri i Komisionit Evropian ka vënë re se në fushatën e sivjetme për zgjedhjet e përgjithshme “ka pasur raste të retorikës së vrazhdë, shpërdorimit të resurseve politike, dhe trysnisë sociopolitike në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë”.

Rusë e pro-rusë: “Kosova i ka mirë punët, VV-ja u anëtarësua te socialdemokratët evropianë”

Por, spindoktorimi për llogari të Vetëvendosjes nuk u mjaftua me kaq.

Autorët e paemër të kësaj analize kanë shkruar se “akterët ndërkombëtarë fuqishëm e favorizuan kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke krijuar ndjesinë e stabilitetit dhe legjitimitetit ndërkombëtar për qeverisjen e tij”.

Si shembull për këtë, IFIMES-i e ofron pranimin e Lëvizjes Vetëvendosje si anëtarë e asociuar te Partia e Socialistëve Evropianë (sic!).

Në fakt, legjitimiteti ndërkombëtar është pjesa më e dobët e qeverisjes së Albin Kurtit (2021-2025) – kjo, pas çdo gjase, shpjegon drojën e tij konstante për të hapëruar tutje në krijimin e një qeverie të re duke urëzuar bashkëpunim me spektrin politik në vend.

Megjithëse disa masa ishin hequr si shenjë e vullnetit të mirë nga Brukseli, sanksionet perëndimore mbeten sot e gjithë ditën në fuqi.

Vetë raporti i fundit përmendi se “heqja e mëtejme e masave do të ndodhë kur të arrihet një bartje e rregullt e qeverisjes vendore në veri dhe të vazhdojë heqja e përshkallëzimit”.

Rusë e pro-rusë “Amerika juve ju do” – Amerika “Kurtin nuk e duam”


Duke i çkontekstualizuar ndihmat e jashtme për ushtrinë, Instituti pro-rus ka bërë përpjekje përmes kësaj analize spindoktoruese që ta krijojë idenë sikur Washingtoni e konsideruaka Kurtin lider serioz.

Angazhimi i Washingtonit thekson rëndësinë strategjike të Kosovës për stabilitetin rajonal dhe arkitekturën më të gjerë të sigurisë në Ballkan, përderisa përforcon imazhin e Kurtit si lider i zoti për të drejtpeshuar integrimin evropian me interesat transatlantike”.

Por, në horizont nuk duket asnjë fije shprese se Washingtoni e honeps Kurtin.

Nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar kur ambasadori Jeffrey Hovenier e përfundoi mandatin e tij, ambasada amerikane në Prishtinë ende nuk e ka një titullar të ri.

Gjatë gjithë vitit, diplomacia amerikane e la përfaqësinë e saj në Prishtinë në kapacitetin e vetëm një të ngarkuare me punë, siç vazhdon të mbetet Anu Prattipati.

Vetë Richard Grenell, që në administratën e re amerikane mban postin e të Dërguarit të Posaçëm presidencial për Misione të Veçanta, në shkurt të këtij viti theksoi troç se qeveria e Kurtit nuk gëzon besim ndër amerikanë.

Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit, e as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Të njëjtën e ka bërë BE dhe NATO. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, kishte emfazuar qëndrimin e tij për sa i përket Kurtit.

Raportet konfliktuale deri në ftohje e kanë shënuar gjithë historinë pesëvjeçare të Kurtit në qeveri.

I vetmi udhëtim i Kurtit në ShBA që mori njëfarë vëmendje qe ai i bërë në korrik të vitit 2022.

Në takimin e bërë me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, projektori i vëmendjes më fort pati rënë të Osmani sesa te Kurti.

Thuajse e padobishme, madje gati private, ishte cilësuar vizita e dytë e Kurtit në ShBA, në gusht të vitit të kaluar, kur ai mori pjesë në Konventën Kombëtare të demokratëve në Çikago.

Në agjendën e tij nuk pati asnjë takim të rëndësishëm me ndonjë zyrtar në Washington, paçka se njoftimet nga Zyra e Kryeministrit promovonin takime të niveleve të ulëta me politikanë nga Vanuatu, Samoa, Andorra e Grenada.

“Kjo është vizita më e gjatë që një kryeministër ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkura”, kishte thënë me doza mburrje Kurti.

Rusë e pro-rusë: “Veç komunat e VV-së në selamet, ju të tjerët në kijamet”

Analiza e IFIMES-it i bën edhe ndere të tjera Kurtit.

Ashtu siç kërcënoi kreu i Vetëvendosjes së nuk do të ndante buxhet për komunat e tjera në rast se nuk fitojnë kandidatët e Vetëvendosjes, edhe IFIMES-i e shtynte përpara këtë kërcënim.

Sipas Institutit të lidhur me Kremlinin, komunat e udhëhequra nga Vetëvendosja “e kanë përshpejtuar zhvillimin”, kurse në ato komuna të udhëhequra nga partitë opozitare dhe kandidatët e pavarur “ka të ngjarë të ketë bllokime institucionale, sidomos në lidhje me qasjen në financimin qendror dhe zbatimin e projekteve të mbështetura nga BE-ja”.

Njësoj siç kishin bërë sivjet me projeksione fantaziste, autorët e IFIMES-it edhe për balotazh kanë hedhur fallin e tyre.

Duke e përmbledhur garën në pesë komunat më të mëdha të vendit, analiza në fjalë nuk ngurroi të shtynte përpara besimin e vet se “Lëvizja Vetëvendosje pritet që ta ruajë epërsinë e saj në shumicën e komunave ku garon në rrethin e dytë” – në fakt, epilogu i balotazhit doli krejt i kundërt me parashikimin e Institutit pro-rus.

Kurti si Lukashenko, të vetmit që ledhatohen nga sllovenët pro-rusë


Në përmbyllje të hyzmetit spindoktorues për llogari të Kurtit, analiza vazhdon me sugjestionime që vetëm fitorja e Vetëvendosjes në nivel lokal do t’i sjellë vendit bereqet.

Nëse në rrethin e dytë konfirmohet fitorja e Albin Kurtit, qeveria e tij pritet të vazhdojë me zhbërjen e rrjeteve të korruptuara, fuqizim të sovranitetit shtetëror dhe ngjeshje të kohezionit social, përderisa e shton staturën ndërkombëtare të Kosovës nëpërmjet bashkëpunimit me socialdemokratët evropianë dhe partnerët strategjikë si Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe Turqia”.

Kësisoj, Kurti mbetet në mesin e atyre liderëve antiperëndimorë për të cilët IFIMES-i vazhdimisht ka investuar për t’ua krijuar një imazh në dritë sa më pozitive.

Për shembull, ky Institut është i vetmi që ia rrah shpatullat diktatorit bellarus, Aleksandr Lukashenko për “rezultate të mahnitshme ekonomike”, anipse ai është person non grata për BE-në që nga 17 gushti i vitit 2020.

Një shërbim të tillë IFIMES e kishte rezervuar edhe për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen afër 2 javë para zgjedhjeve të sivjetme parlamentare.

Në analizën e bërë më 24 janar të këtij viti, Instituti nga Lublana e pati shpallur si favorite partinë e Albin Kurtit në zgjedhje e cila “nuk mund të tejkalohet nga LDK apo PDK”.

Madje, Martin Berishaj ose ndonjëri nga kolegët e tij kishin dhënë parashikimin fantastik se VV-ja do të ndukte nja 59 për qind të votave.

Kronikat e NACIONALE-s: E vërteta e IFIMES-it


Me disa nga shtjellimet gazetareske të bëra këtë vit, NACIONALE ka rindërtuar historinë e errët sesi IFIMES-i e bëri Vetëvendosjen e Albin Kurtit të përkëdhelurën e vet.

Nga viti 2016, ky Institut e bëri mysafir nderi ish-kryeministrin e Kosovës, duke i dhënë hapësirë njësoj si figurave të tjera që vlerësohen se kanë qëndrime antiperëndimore.

Dy herë me radhë, dhe atë në prag të zgjedhjeve më 2019 dhe 2025, ky Institut e ka ngritur në qiell Lëvizjen Vetëvendosje në kurriz të partive kundërshtare.

Në anën tjetër, IFIMES-i i ka portretizuar me brushë negative ish-presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, dy partitë e dala nga lufta, PDK dhe AAK, si dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë viteve të fundit, si pasojë e raportimeve skandaloze, plot anëtarë kroatë të bordit të Institutit kishin dhënë dorëheqje, mes të cilëve edhe Stipe Mesić, Budimir Lončar dhe Jadranka Kosor.

Në listën e të dorëhequrve është edhe ish-bashkëpunëtori e analisti politik boshnjak, Muhamed Borogovac.

Ky i fundit ka fshikulluar me akuza të rënda në adresë të Institutit të drejtuar nga kurdi Bakhtyar Aljaf dhe boshnjaku Zijad Bećirović—sipas Borogovacit, plot agjentë serbë janë infiltruar në IFIMES.

Këto akuza nuk kanë mbetur fjalë në erë, meqë në mediat gjermane Instituti slloven, më saktë anëtari i tij, Anis Bajrektarević, është përmendur se mban lidhje të ngushta me shërbimet e fshehta ruse.

Instituti ku ka gisht Kremlini

Në fakt, kredibiliteti i Intitutit Ndërkombëtar të Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) jorrallëherë është vënë në pikëpyetje.

I themeluar më 2002, ky institut me qendër në Lublanë pretendon se kryen analiza politike, ekonomike e sociale, dhe se ka status konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ESOSOC) që prej 2018-s.

Ana financiare e tij rezulton shpesh e dyshimtë, anipse zyrtarisht IFIMES-i pretendon se financohet nga anëtarësia, nga shërbimet trajnuese që i organizon, fushatat fondmbledhëse apo donacionet dhe grantet prej burimeve të brendshme.

Kur mediat sllovene në shkurt të 2023-s patën ngritur këmbanat e alarmit për skandalin për shpërlarje parash, ku qe përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, edhe emri i IFIMES-it ishte zënë në gojë.

Kështu në relacionin korruptiv mes GEN-it të Beogradit dhe Berishajt qëndronte edhe IFIMES-i që drejtohet prej kurdit Bakhtyar Aljaf dhe Zijad Bećirovićit, i njohur për bindjet e tij të majta.

Lexo edhe
: Instituti pro-rus nxjerr favorit Kurtin

Më e poshtra histori e Kurtit – Lidhja e tij me IFIMES-i

IFIMES-i me tri simpati: Kurtin në Kosovë, Kariqin në Serbi dhe Lukashenkon në Bellarusi

Në Slloveni e Kroaci prej kohësh analizat e IFIMES-it merren me rezervë; madje ato shpesh dalin në nivel spekulimesh të pastra.

Edhe anketat e kryera nga ky institut janë cilësuar si joserioze e gjithmonë favorizuese ndaj porositësve. Madje, në Kroaci IFIMES-i ishte vlerësuar si prodhues analizash që kanë më tepër karakter spiunazhi sesa analizash.

Lidhja me Kureyevin dhe Moskën

Ana e errët e IFIMES-it është vënë në spikamë edhe nga e përjavshmja gjermane ‘Die Zeit’, e cila në maj të vitit të kaluar kishte bërë një analizë të titulluar Propaganda aus Moskau (Propaganda nga Moska).

Në këtë analizë, gazetarët gjermanë trajtonin me shqetësim punën e operimit të agjentëve rusë në Austri.

Në qendër të fokusit ishte edhe profesori boshnjak Anis Bajrektarević, i cili ka lidhje të shumta kudo në Evropë.

Si përfaqësues i IFIMES-it, më saktë si drejtues i Departamentit për Studime Strategjike, Bajrektarevići kishte shfrytëzuar Akademinë Diplomatike të Vjenës për të ftuar profesorë, studiues e polikanë të ndryshëm të cilët flasin në përputhje me narrativat ruse.

Sipas Die Zeit, profesori boshnjak kishte kontakt në Moskë me Artem Kureyevin.

Sipas shërbimeve perëndimore të sigurisë, ai njihet si informator i shërbimeve ruse, madje ai kishte një rrjet propagande me të cilin rekrutonte luftëtarë për ushtrinë mercenare të Ëagnerit.

Si agjent i Shërbimit të Sigurimit Federal të Rusisë, Kureyevi është profili kryesor i inteligjenës ruse që i bashkërendon fushatat e dezinformacionit në Evropë dhe Afrikë.

Sipas shërbimeve perëndimore, ky agjent rus zbaton veprime e politika të Qeverisë së Federatës Ruse që kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e Bashkimit Evropian apo të vendeve të treta duke organizuar ose drejtuar përdorimin e informacioneve të manipuluara.

Emri i tij figuron që nga viti 2016 në listat e sanksioneve nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Monako dhe Ukraina. /Nacionale/

Lajme të ngjashme