Inxhinieringu nga Kremlini në Lublanë: “Duam fituese VV-në dhe Listën Serbe” - NACIONALE

Inxhinieringu nga Kremlini në Lublanë: “Duam fituese VV-në dhe Listën Serbe”

8 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Një ditë pas zgjedhjeve, ish-kryeministri Albin Kurti si jakobin hakmarrës kërkoi ‘prerje kokash’, duke bërë me gisht exit-pollet kundërthënëse për Mitrovicën. Çuditërisht, Vetëvendosja na del cullak si partia e vetme në Kosovë që ka përfituar nga, po të flasim me gjuhën e Kurtit, “inxhinieringu i paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor”. Për të dytën herë brenda këtij viti, Instituti prorus nga Lublana, IFIMES, i ka bërë hyzmet VV-së me analiza spindoktoruese. Me Martin Berishajn si urëlidhës, analiza e bërë katër ditë para zgjedhjeve ka sugjestionuar fitore masive për partinë e Kurtit dhe Listën Serbe. Krejt kjo në rrethanat kur Rusia sapo e ka marrë kryesimin e Këshillit të Sigurimit në OKB. Në të vërtetë, IFIMES-i është nga ato institute ‘të pavarura’ të cilave u luhen penjtë në prapaskenë nga shërbimet ruse. 45-vjeçari, Artem Sergieviç Kurijev, oficer i Shërbimit të 5-të të Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, është njeriu kyç me të cilin drejtuesit e institutit slloven mbajnë kontakte. Fraza latinçe e Shekspirit “Et tu, Brute?” nga tani mund të rifrazohet “Edhe ti, Albin?”

Col MEHMETI

13 tetor 2025 – Katër ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, i ashtuquajturi Institut Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) ka hedhur fall për fituesit.

Njësoj si më 24 janar kur u favorizua partia e Albin Kurtit, edhe kësaj radhe ‘analiza’ nga Lublana ka sugjeruar se më mbarë i del hesapi Kosovës nëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe dalin fituese.

Në këto vija të përgjithshme shpaloset raporti më i ri i IFIMES-it – i cili doli në dritë të martën e javës së kaluar – me titull “Roli i Rusisë, ShBA-së dhe BE-së në riformësimin e peizazhit politik”.

Ky Institut – në të cilën ka ndikim të madh edhe Martin Berishaj si njëri nga njerëzit e rrethit të ngushtë të ish-kryeministrit Albin Kurti – i ka vlerësuar zgjedhjet lokale me “ndikim vendimtar” për stabilitetin politik, integrimin e bashkësive minoritare dhe pozitës ndërkombëtare të vendit.

“Rusia, alamet faktori…”


Si në shumicën e raporteve që nuk i nënshkruan me emra autorialë, IFIMES-i e nis analizën e vet me një paragraf të përmbledhur mbi qëndrimin e faktorit ndërkombëtar kundrejt Kosovës.

Sipas analizës, “Washingtoni ka përvetësuar një qëndrim më të rezervuar ndaj qeverisë së Albin Kurtit për sa u përket detyrimeve të rëndësishme”.

Në anën tjetër, gjithnjë sipas analizës, Brukseli “kërkon ta vazhdojë dialogun nëpërmjet mekanizmave kushtëzues dhe ndihmës financiare”.

Por, analiza e IFIMES-it e rrotullon diskun kur bëhet fjalë për rolin e Rusisë.

Sipas autorëve të paemër, Rusia nga tetori e merr kryesimin e Këshillit të Sigurimit “në të cilin agjenda pritet të përshfaqë bisedime mbi Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën”.


“Rusinë e keni kudo…”


Ndryshe nga përpjekjet ngulmuese të Perëndimit për t’ia mbyllur Moskës çdo deriçkë ndikimi në Ballkan, analistët e IFIMES-it kanë bindje tjetërfare.

Sipas tyre, “Në lidhje me Kosovën, Rusia mbetet një lojëtar i pashmangshëm ndërkombëtar për shkak të lidhjeve të saj të kahmotshme me Serbinë dhe kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës”.

Instituti me seli në Lublanë – i cili e kishte mysafir nderi ish-kryeministrin Albin Kurti – vlerëson se Rusia është e pranishme kudo, madje edhe tërthorazi.

I njohur për qëndrimet e veta proruse, IFIMES-i nuk ngurron të vë në dukje se Rusisë nuk i shpëton asgjë nga syri, se ajo në veri të Kosovës “i vëzhgon pikat e nxehta potenciale dhe i zëron pikëpamjet e saj ndaj veprimeve krye-në-vete të Prishtinës”.

Në kohën kur Brukseli ka shtrënguar maksimalisht kërkesat kundër çdo participimi rus në rajon, IFIMES-i me analizën e tij i portreton me ngjyra pozitive këto ndërhyrje.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve”, shkruajnë autorët e paemër, “Rusia ndihmon në formësimin e kontekstit të gjerë rajonal dhe merr pjesë në bisedimet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe themelimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”.

Për këtë arsye, autorët nuk ngurrojnë të vënë në dukje interesimin e Moskës për zgjedhjet lokale në Kosovë – tek të cilat të gjitha bastet i qesin për Kurtin si fitues të parapëlqyer.

“Andaj zgjedhjet lokale të 2025-s kanë edhe një përmasë ndërkombëtare, ku Moska po merr pjesë si aktore e rëndësishme nga jashtë”.


IFIMES-i i pëshpërit Kurtit: “Shqipëria po përzihet në Kosovë



IFIMES-i ndër vite nuk e ka fshehur simpatinë dhe antipatinë për politikanë e parti të caktuara në Kosovë, Shqipëri e rrethepërqarkun e banuar me shqiptarë.

Me Vetëvendosjen si partinë e favorizuar me një sërë analizash dhe PDK-në e Edi Ramën të kastiguar në dritë negative, analiza e fundit e Institutit prorus sakaq i zbulon ngjyrat e veta.

Lexo edhe: IFIMES-i me tri simpati: Kurtin në Kosovë, Kariqin në Serbi dhe Lukashenkon në Bellarusi

Sipas analistëve të saj, zhvillimet politike në vendet fqinje – vecmas në Serbi, Mal të Zi e Maqedoninë e Veriut – e prekin drejtpërdrejtazi gjendjen në Prishtinë.

Por, autorët sikur e kanë halë në sy vetëm një shtet karshi Kosovës: Shqipërinë.

“Ndërkohë, Shqipëria pashmangshëm e luan pjesën e vet, duke kërkuar që të marrë përsipër një formë ‘kujdestarllëku’ mbi Kosovën”.

Qesh-e-ngjesh, Kurtit ia zbulon pikat e dobëta


Meqë raportet e IFIMES-it shkruhen me qëllime spindoktorimi, e shpesh kanë natyrë të raporteve me të cilat shërbehen inteligjencat sekrete, edhe analiza e shkruar në dobi të Kurtit nuk ngurron të vërë në spikamë pikat e dobëta të Kosovës.

Është për t’u vënë në dukje se analiza e IFIMES-it e letërnxin një paragraf të tërë për tablonë e fukarallëkut në Kosovë.

Por, dhe këtu është një ‘por’ i madh, ajo nuk i ngarkon aspak me faj Vetëvendosjen dhe Kurtin për frustrimet socioekonomike.

“Një prej sprovave kryesore që pasojnë zgjedhjet lokale do të jetë adresimi i frustrimeve socioekonomike gjithnjë e në rritje te qytetarët. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë më 2024 ishte 10.8%, kurse migrimi – sidomos pas liberalizimit të vizave – vazhdon të rritet”.


IFIMES-i ia zbulon planin Kurtit…


Atë që regjimi i Kurtit tash e disa vjet nuk e ka përmendur për arsye parësisht elektorale – dhe kjo është patatja e nxehtë e themelimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (BKS) – IFIMES-i e nxjerr për fushe.

“Nëse zgjedhjet lokale mbahen në përkitshmëri me standardet ndërkombëtare, ato mund të shënojnë një fazë të re në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Çështja kryesore vazhdon të jetë themelimi i BKS-së dhe zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e ShBA-ve”, thuhet në analizë.

Rikthim i Listës Serbe


Analiza e botuar katër ditë para zgjedhjeve e ka paralajmëruar rikthimin e Listës Serbe si forcë udhëheqëse në dhjetë komuna (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë, Kllokot, Ranillug, Novobërd dhe Partesh).

Ndonëse Vetëvendosja me gjakimin për efekte zgjedhore kërcënoi me ‘përjashtim’ të Listës Serbe, e vërteta është tjetërfare.

Partia e Kurtit e pret rikthimin e saj në institucione si mënyra e vetme për ta thyer izolimin ndërkombëtar të vendit.

“Në thelb, Lista Serbe mbetet aktor qendror brenda peizazhit politik e institucional të Kosovës, dhe rezultatet e saj në zgjedhjet e 2025-s mund të kenë pasoja vendimtare në integrimin e bashkësisë serbe dhe zbatimin e zotimeve të mëhershme, përfshirë themelimin e BKS-së”.

IFIMES-i: Stabilitet ka vetëm me VV-në dhe Listën Serbe


Pjesa përmbyllëse është, në të vërtetë, vetë thelbi i analizës së IFIMES-it në shërbim të VV-së.

Në paragrafin e fundmë të quajtur “Roli pivotal i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe në formësimin e peizazhit politik në Kosovë”, analistët nga Lublana kanë vlerësuar se rezultatet do të jenë test për stabilitet politik dhe pozicionim strategjik.

Sipas Institutit prorus, ky stabilitet vjen vetëm nga dy parti: VV dhe LS.

“Lëvizja Vetëvendosje, forca kryesore politike shqiptare, dhe Lista Serbe, përfaqësuesja parësore e bashkësisë serbe, kanë rol pivotal në formësimin e së ardhmes politike të Kosovës. Epilogu i zgjedhjeve do ta përcaktojë jo vetëm shpërndarjen e fuqisë lokale, por edhe do të demonstrojë kapacitetin e Kosovës për t’i integruar bashkësitë pakicë, duke siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe fuqizuar stabilitetin institucional”.

Sipas analistëve të IFIMES-it, pjesëmarrja e Listës Serbe në institucionet lokale është faktor kyç në mbajtjen e paqes dhe parandalimin e polarizimeve etnike, kurse “suksesi i VV-së riafirmon legjimitetin e qeverisë së Albin Kurtit dhe fuqizon pozitën e Kosovës në dialog me partnerët ndërkombëtarë dhe me Beogradin”.


IFIMES urren liderët properëndimorë – e do vetëm Lukashenkon e Kurtin

I ashtuquajturi Institut Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) është një nga kryesorit që përcjell ngjarjet në Kosovë dhe rajon.

Me qëllime për të ndikuar në zgjedhje, ky Institut sivjet provoi t’i vinte kleçkën edhe reputacionit të Shqipërisë sidomos para zgjedhjeve dhe fillimit të sezonit turistik.

E afishuar vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, analiza pa emra autorësh e kishte shkrehur më të rëndën akuzë për Ramën – sipas Institutit slloven, Partia Socialiste e Ramës “ia ka dalë të krijojë një regjim hibrid që ndërthur elemente të sundimit të Sllobodan Millosheviqit dhe Enver Hoxhës”.

Përndryshe, IFIMES-i sivjet i ka çaraveshur kredencialet e veta me ‘analiza’ favorizuese për liderë të caktuar që kanë probleme të vazhdueshme me Evropën dhe Perëndimin.

Presidenti bellarus, Aleksandr Lukashenko dhe ish-kryeministri Albin Kurti janë të vetmit udhëheqës politikë në Evropë që janë mikluar nga IFIMES-i.

Për shembull, diktatorit bellarus, i cili nga 17-gushti i 2020-s është deklaruar si person non grata në BE, i janë rrahur shpatullat për “rezultate të mahnishme ekonomike”.

Këtë portret pozitiv për Lukashenkon Instituti slloven e ka bërë tre ditë para zgjedhjeve të sivjetme presidenciale në Bellarusi, ku autokrati 70-vjeçar fitoi 87.6 për qind të votave në zgjedhje të konsideruara si të kurdisura—në BE e kanë cilësuar këtë fitore si jolegjitime dhe fyerje ndaj demokracisë, duke kërcënuar me sanksione të reja

Një shërbim të tillë IFIMES e kishte rezervuar edhe për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen afër 2 javë para zgjedhjeve të sivjetme parlamentare.

Në analizën e bërë më 24 janar të këtij viti, Instituti nga Lublana e pati shpallur si favorite partinë e Albin Kurtit në zgjedhje e cila “nuk mund të tejkalohet nga LDK apo PDK”.

Madje, Martin Berishaj ose ndonjëri nga kolegët e tij kishin dhënë parashikimin fantastik se VV-ja do të ndukte nja 59 për qind të votave.

Kronikat e NACIONALE-s: E vërteta e IFIMES-it


Me disa nga shtjellimet gazetareske të bëra këtë vit, NACIONALE ka rindërtuar historinë e errët sesi IFIMES-i e bëri Vetëvendosjen e Albin Kurtit të përkëdhelurën e vet.

Nga viti 2016, ky Institut e bëri mysafir nderi ish-kryeministrin e Kosovës, duke i dhënë hapësirë njësoj si figurave të tjera që vlerësohen se kanë qëndrime antiperëndimore.

Dy herë me radhë, dhe atë në prag të zgjedhjeve më 2019 dhe 2025, ky Institut e ka ngritur në qiell Lëvizjen Vetëvendosje në kurriz të partive kundërshtare.

Në anën tjetër, IFIMES-i i ka portretizuar me brushë negative ish-presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, dy partitë e dala nga lufta, PDK dhe AAK, si dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë viteve të fundit, si pasojë e raportimeve skandaloze, plot anëtarë kroatë të bordit të Institutit kishin dhënë dorëheqje, mes të cilëve edhe Stipe Mesić, Budimir Lončar dhe Jadranka Kosor.

Në listën e të dorëhequrve është edhe ish-bashkëpunëtori e analisti politik boshnjak, Muhamed Borogovac.

Ky i fundit ka fshikulluar me akuza të rënda në adresë të Institutit të drejtuar nga kurdi Bakhtyar Aljaf dhe boshnjaku Zijad Bećirović—sipas Borogovacit, plot agjentë serbë janë infiltruar në IFIMES.

Këto akuza nuk kanë mbetur fjalë në erë, meqë në mediat gjermane Instituti slloven, më saktë anëtari i tij, Anis Bajrektarević, është përmendur se mban lidhje të ngushta me shërbimet e fshehta ruse

Instituti ku ka gisht Kremlini

Në fakt, kredibiliteti i Intitutit Ndërkombëtar të Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) jorrallëherë është vënë në pikëpyetje.

I themeluar më 2002, ky institut me qendër në Lublanë pretendon se kryen analiza politike, ekonomike e sociale, dhe se ka status konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ESOSOC) që prej 2018-s.

Ana financiare e tij rezulton shpesh e dyshimtë, anipse zyrtarisht IFIMES-i pretendon se financohet nga anëtarësia, nga shërbimet trajnuese që i organizon, fushatat fondmbledhëse apo donacionet dhe grantet prej burimeve të brendshme.

Kur mediat sllovene në shkurt të 2023-s patën ngritur këmbanat e alarmit për skandalin për shpërlarje parash, ku qe përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, edhe emri i IFIMES-it ishte zënë në gojë.

Kështu në relacionin korruptiv mes GEN-it të Beogradit dhe Berishajt qëndronte edhe IFIMES-i që drejtohet prej kurdit Bakhtyar Aljaf dhe Zijad Bećirovićit, i njohur për bindjet e tij të majta.

Lexo edhe
: Instituti pro-rus nxjerr favorit Kurtin

Më e poshtra histori e Kurtit – Lidhja e tij me IFIMES-i

Në Slloveni e Kroaci prej kohësh analizat e IFIMES-it merren me rezervë; madje ato shpesh dalin në nivel spekulimesh të pastra.

Edhe anketat e kryera nga ky institut janë cilësuar si joserioze e gjithmonë favorizuese ndaj porositësve. Madje, në Kroaci IFIMES-i ishte vlerësuar si prodhues analizash që kanë më tepër karakter spiunazhi sesa analizash.

Lidhja me Kureyevin dhe Moskën

Ana e errët e IFIMES-it është vënë në spikamë edhe nga e përjavshmja gjermane ‘Die Zeit’, e cila në maj të vitit të kaluar kishte bërë një analizë të titulluar Propaganda aus Moskau (Propaganda nga Moska).

Në këtë analizë, gazetarët gjermanë trajtonin me shqetësim punën e operimit të agjentëve rusë në Austri.

Në qendër të fokusit ishte edhe profesori boshnjak Anis Bajrektarević, i cili ka lidhje të shumta kudo në Evropë.

Si përfaqësues i IFIMES-it, më saktë si drejtues i Departamentit për Studime Strategjike, Bajrektarevići kishte shfrytëzuar Akademinë Diplomatike të Vjenës për të ftuar profesorë, studiues e polikanë të ndryshëm të cilët flasin në përputhje me narrativat ruse.

Sipas ‘Die Zeit’, profesori boshnjak kishte kontakt në Moskë me Artem Kureyevin.

Sipas shërbimeve perëndimore të sigurisë, ai njihet si informator i shërbimeve ruse, madje ai kishte një rrjet propagande me të cilin rekrutonte luftëtarë për ushtrinë mercenare të Wagnerit.

Si agjent i Shërbimit të Sigurimit Federal të Rusisë, Kureyevi është profili kryesor i inteligjenës ruse që i bashkërendon fushatat e dezinformacionit në Evropë dhe Afrikë.

Sipas shërbimeve perëndimore, ky agjent rus zbaton veprime e politika të Qeverisë së Federatës Ruse që kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e Bashkimit Evropian apo të vendeve të treta duke organizuar ose drejtuar përdorimin e informacioneve të manipuluara.

Emri i tij figuron që nga viti 2016 në listat e sanksioneve nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Monako dhe Ukraina. /Nacionale/

Lajme të ngjashme