Një Qeveri, dy standarde: Gërvalla e respekton vendimin e Këshillit, Hekuran Murati jo - NACIONALE

Një Qeveri, dy standarde: Gërvalla e respekton vendimin e Këshillit, Hekuran Murati jo

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, janë në një qeveri dhe kryeministër e kanë Albin Kurtin, por përdorin standarde të ndryshme për zbatimin e ligjshmërisë. Derisa e para ka vendosur t`i respektojë vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i dyti ka refuzuar një gjë të tillë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transferëve, Hekuran Murati, e ka gojën plot ligj, kur është në pyetje çështja e mospagesave për mësimdhënësit, të cilët kanë qenë në grevë gjatë muajit shtator.

Ai këmbëngul se nuk do të ketë paga për ata që nuk kanë punuar, duke thënë se kështu parashihet me ligjin për grevat.

Sidoqoftë, ministri Hekuran Murati nuk e respekton ligjin, kur i kërkohet që të bëjë një gjë të tillë.

Kanë kaluar dy muaj që nga koha kur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) e ka shpallur të kundërligjshëm vendimin e Ministrisë së Financave për konkursin për drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, por Murati nuk e respekton këtë vendim.

Madje, atij nuk i ka mjaftuar as vendimi i gjykatës për ta respektuar vendimin KPMShCK-së, i cili është i detyrueshëm për të.

Më 22 shator, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me anë të një aktvendimi, e ka refuzuar propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transefereve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Këshilli, i cili është marrë më 14 korrik të këtij viti.

Gjatë një monitorimi të jashtëzakonshëm në Ministrinë Financave dhe Transfereve, lidhur me shqyrtimin e ligjshmërisë se konkursit për pozitën e punës Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Këshilli kishte konstatuar se konkursi ishte shpallur në kundërshtim me nenit 40, paragrafin 2 të Ligjit për Zyrtarë Publikë.

Sipas këshillit, konkursi nuk ishte shpallur nga organi kompetent, gjegjësisht Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Pavarësisht këtyre vendimeve, që e obligojnë ministrin Murati për ka kthyer ligjshmërinë në dikasterin që e udhëheq, ai vazhdon të thirret në respektimin e ligjit, kur është fjala për mospagesën e mësimdhënësve që kanë grevuar gjatë muajit të kaluar.

Sipas ligjit. Çkado që thotë ligji dhe ligji thotë se kush punon, duhet të paguhet dhe patjetër që duhet ta respektojmë këtë obligim ligjor”, tha dje Murti.

Dënimi i Muratit për mosrespektim të ligjit

Për shkak të mosrespektimit të vendimit, KPMShCK-së e ka dënuar ministrin Murati me 50 për qind të ndaljes së pagës.

Javën e kaluar, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marrë vendim, duke e obliguar Thesarin që Ministrit Murati t'ia ndalin 50 për qind pagën mujore deri ta zbatojë vendimin dhe ta rikthejë ligjshmërinë në shërbim civil.

Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës obligohet që ta bëjë ndalesën e 50% të pagës mujore për ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, deri në zbatimin e Vendimit Nr.50 /2022 të datës 14.07.2022, gjegjësisht deri në kthimin e ligjshmërisë në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e KPMShCK-së

Sipas Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, institucionet e Kosovës obligohen që t`i zbatojnë vendimet e tij.

Neni 21 i këtij ligji i obligon institucionet që vendimet duhet të bëhet brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të vendimit të Këshillit.

1. Vendimi i Këshillit është vendim administrativ i formës së prerë dhe zbatohet nga zyrtari i nivelit të lartë drejtues ose personi përgjegjës i institucionit që e ka marrë vendimin e parë ndaj palës. 2. Zbatimi i vendimit duhet të bëhet brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të vendimit të Këshillit. 3. Moszbatimi i vendimit të Këshillit nga personi përgjegjës i institucionit, paraqet shkelje të rëndë të detyrave të punës”, thuhet në nenin 21 të ligjit për Këshillin.

Ndërsa në nenin 22 parashihet inicimi i konfliktit administrativ. “1. Kundër vendimit të Këshillit, pala e pakënaqur, e cila pretendon se vendimi i Këshillit nuk është i ligjshëm, mund të iniciojë konflikt administrativ në gjykatën kompetente, brenda afatit të përcaktuar me dispozitat e ligjit për konfliktin administrativ. 2. Inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit të Këshillit”, thuhet në këtë nen.

Kryediplomatja Gërvalla pajtohet me zbatimin e vendimit të Këshillit

Ndryshe nga Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila udhëhiqet nga Dinika Gërvalla, ka vendosur ta respektojë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës në lidhje me konkursin për 32 zyrtarët diplomatikë.

Kjo ministri ka njoftuar se e ka anuluar këtë konkurs, ashtu siç kishte kërkuar këshilli.

Në zbatim të vendimit nr.52/2022 të datës 20.09.2022 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, anulohet konkursi i datës 01.07.2022 me nr.prot 2436 për 32 (tridhjetë e dy) zyrtarë të misionit diplomatik, shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës ka rrëzuar edhe disa vendime të MPJD-së.

Njëri nga ta është rasti i diplomati Viskont Jakupi, i cili ishte kthyer arbitrarisht nga misioni diplomatik në Mbretërinë e Bashkuar.

Fillimisht, ai rastin e kishte fituar duke u ankuar në këshill.

Me pas, ministria e ka apeluar vendimin e këshillit në gjykatë. Kjo e fundit, më 2 shtator, ka vendosur që ministria obligohet ta kthejë në punë diplomatin Jakupi dhe të ia paguajë të gjitha pagat nga data 11 nëntor 2021 e deri në ditën e përmbarimit. Ndërkohë, edhe dhjetëra ambasadorë e diplomatë të tjerë i kanë dorëzuar ankesat e tyre në gjykatë për shkarkime joligjore nga MPJD-ja.

Lajme të ngjashme