Raportohet se ministri Hekuran Murati është dënuar me përgjysmim page nga KPMShCK-ja - NACIONALE

Raportohet se ministri Hekuran Murati është dënuar me përgjysmim page nga KPMShCK-ja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hekuran Murati, ministër i Financave, tashmë ka ngulur këmbë që të mos i ekzekutojë pagat mësimdhënësve për këtë muaj. E gjithë si dënim për grevën e mbajtur në muajin shtator. Por, z.Murati vetë ka pranuar një dënim. Murati, gjithnjë sipas raportimit të gazetës Scanner, do të marrë më pak pagë, saktësisht 50% më pak, deri në respektimin e një vendimi të KPMShCK-së.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrjes i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK) ka marrë një vendim, nëpërmjet të cilit i ndalohet paga për 50% ministrit Murati. Kjo ka ardhur si pasojë që z.Murati nuk ka respektuar vendimin e KPMShCK-së për anulimin e konkursit për drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës.

Pra thënë ndryshe, z.Murati, që paguhet 1034 euro në muaj, do të marrë vetëm pak mbi 500 euro, pasi që nuk respektoi vendimin e një instance të pavarur.

Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës obligohet qe te beje ndalesën e 50% te pagës mujore per ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi, deri në zbatimin e Vendimit Nr.50 /2022 të datës 14.07.2022, gjegjësisht deri ne kthimin e ligjshmerise ne Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e KPMShCK-së, shkruan gazeta Scanner.

Në vendimin e këtij institucioni, të cilin e ka siguruar gazeta Scanner, shkruhet se Murati do të paguhet vetëm gjysmën e pagës deri kur ta zbatojë vendimin e KPMShCK për drejtorin e ATK-së.

Raportimi i Nacionales

Qeveria Kurti ka marrë një goditje të rendë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK). Ky i fundit ia ka shpallur të kundërligjshëm Qeverisë vendimin për emërimin e Kryeinspektorit të Punës edhe konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka vlerësuar së emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria ka qenë i kundërligjshëm. Gjithashtu, ky institucion ka vlerësuar se edhe konkursi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së nuk është shpallur sipas ligjeve në fuqi. Ashtu siç kishte raportuar gazeta Nacionale muajin e kaluar, këshilli ka vendosur se këto procese nuk janë zhvilluar në përputhje me ligjet në fuqi.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në këtë përfundim ka ardhur pas monitorimit të jashtëzakonshme që ka bërë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë së emërimit të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Në monitorimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë konkursit të Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, KPMShCK-ja ka rekomanduar se procesi është zhvilluar kundërligjshëm.

Sipas raportit të këshillit, edhe ky konkurs është dashur të bëhet në bazë të normave të Ligjit për Zyrtarët Publik.

Në këtë konkursin, i cili ishte shpallur në muajin prill, kishin aplikuar 13 kandidatë.

Ndëshkimi për grevistët

Z.Murati, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, ka qenë figura kryesore kundër grevës së SBAShK-ut.

Ai disa herë ka ripërsëritur se nuk do të ketë paga për mësimdhënësit grevistë, duke ushtruar trysni tek komunat për të marrë listat e atyre që grevojnë.

E me shumë gjasë paga zor se mund të ketë për mësimdhënësit, pasi që Mimoza Kusari-Lila, kryetare e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ripërsëriti qëndrimin se ligji ua lejon ndalimin e pagave për grevistët.

E në rast se nuk ndodhë një gjë e tillë, kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj thotë se do të merren veprime të tjera.

Madje, Jasharaj e vlerëson një gjë e tillë tingëllon si sulm ndaj tyre, pasi që shërbyesve civil, të cilët ishin në grevë bashkë me sistemin e arsimin, Ministria e Financave u ka ndarë mjetet financiare.

“Procesi mësimor ka filluar, por për momentin e keqja më e madhe është se qeveria nuk ka alokuar pagat për shtatorin për sistemin arsimor, përderisa ka alokuar pagat për shërbyesit civil, me të cilët ishim bashkë në grevë. Ne do të presim deri me 5 tetor, kur është edhe kufiri ligjor që duhet të bëhet bartja e pagave. Nësë kjo nuk bëhet, atëherë shihet qartë se është edhe një përpjekje e qeverisë për të krijuar situata të pakëndshme. Nësë ndodhë kjo ne e shohim si sulm ndaj nesh.Me këtë veprim joligjor qeveria sikur po thotë që paska pasur dëshirë që greva të vazhdojë”, tha Jasharaj për Nacionalen.

Lajme të ngjashme