Denver me përmbysje të çmendur ndaj LA Lakers, Nuggets dy fitore larg gjysmëfinales në Perëndim
Denver Nuggets ka fituar edhe ndeshjen e dytë çerekfinale në Konferencën Perëndimore, duke mposhtur me përmbysje të çmendur Los Angeles Lakers, me rezultat 101:99.
Pas përfundimit të ndeshjeve të para, ku në tetë ndeshje, të gjitha u fituan nga vendasit në play-off të NBA-së, edhe ndeshjet e dyta kanë nisur në të mirë të tyre, pasi tri skuadra në mbrëmjen që lamë pas fituan pranë tifozëve të tyre, por natyrisht ndeshja mes Nuggets e Lakers ishte kryesorja.
LA Lakers e nisi mirë çerekun e parë, duke e fituar me rezultat 28:24, ndërsa edhe më të mirë ishin në 12 minutat në vazhdim, pasi shkuan në pushim me epërsi solide prej 15 pikësh, apo rezultat 59:44.
D'Angelo Russell që shkëlqeu në 24 minutat e parë, në vazhdim pati rënie, me LeBron James dhe Anthony Davis që nuk patën ndihmën e bashkëlojtarëve për ta çuar skuadrën deri te fitorja pas fillimit shumë të mirë.
Denver Nuggets e fitoi çerekun e tretë me rezultat 25:20, me ndeshjen që u afrua në 10 pikë, ku përcaktues ishte 12 minutëshi i fundit.
Lakers zhgënjeu në këta minuta të fundit, ndërsa vendasit ishin të pandalshëm në sulm, duke fituar këtë çerek me rezultat 32:20, dhe në fund me përmbysje të çmendur triumfuan me dy pikë epërsi, 101:99.
Serbi Nikola Jokic ishte më i miri në këtë takim, duke dhënë kontribut prej 27 pikësh, 20 rebounds dhe 10 asistime apo siç njihet në basketboll, dyshifror i trefishtë. Ndihmë pati nga Jamal Murray e Porter Jr, që shënuan 20 dhe 22 pikë respektivisht.
Te Lakers paraqitje të mirë pati Anthony Davis me 32 pikë e 11 rebounds, ndërsa edhe LeBron James dha kontribut të jashtëzakonshëm prej 26 pikëve, tetë rebounds dhe 12 asistime. Russell shënoi 23 pikë, kryesisht në pjesën e parë, por performanca e këtyre tre yjeve nuk mjaftoi që skuadra nga Kalifornia të merrte fitoren e parë.
Për Denver Nuggets kjo është fitorja e dytë në çerekfinale të Konferencës Perëndimore dhe do t'i duhen edhe dy fitore të tjera për të arritur në gjysmëfinale.
Përmbledhja nga ndeshja e dytë
Në dy përballjet tjera, Cleveland Cavaliers e mposhti Orlando Magic 96:86 dhe New York Knicks fitoi 104:101 ndaj Philadelphia 76ers, me të dy skuadrat fituese që shkojnë 2:0 në serinë çerekfinale.