"The Wall Street Journal": Izraeli po i afrohet operacionit në Rafah
Ushtria izraelite është duke u përgatitur për evakuimin e civilëve palestinezë nga qyteti më jugor i Gazës, Rafah, para ofensivës së saj të planifikuar atje kundër Hamasit, sipas një raportimi të gazetës amerikane, “The Wall Street Journal”.
Duke cituar zyrtarë izraelitë e egjiptianë, e përditshmja e njohur amerikane raportoi se në planin e Izraelit parashikohet që dy – tri javët e para të operacionit do t’i kushtohen evakuimit të civilëve, në bashkëpunim me ShBA-në, Egjiptin dhe disa shtete të tjera arabe.
Thuhet se në evakuim do të përfshihet vendosja e civilëve në qytetin Khan Younis, mes vendbanimeve të tjera në Gaza, ku Izraeli do të ndërtojë strehimore me tenda, ushqim e objekte shëndetësore, përcjell gazeta "The Times of Israel".
Pas kësaj, zyrtarët thanë se ushtria izraelite do t’i fusë gradualisht trupat në Rafah dhe do të shënjestrojë zona ku beson se janë duke u fshehur udhëheqësit dhe operativët e Hamasit.
Izraeli ka thënë se qyteti Rafah mbetet bastioni i fundit i Hamasit, ku ndodhen katër batalione të paprekura të këtij grupi. Autoritetet izraelite gjithashtu besojnë se shumë prej pengjeve që ende ndodhen në duart e militantëve palestinezë po mbahen në Rafah.
Zyrtarët egjiptianë thanë se luftimet në Rafah pritet që të zgjasin të paktën gjashtë javë, edhe pse koha e operacionit mbetet e paqartë.
Një zyrtar izraelit i sigurisë që u citua në raportimin e gazetës amerikane tha se ushtria izraelite “do të ketë një plan shumë të shtrënguar operacional, sepse atje është [gjendje] shumë komplekse”.
“Është një reagim humanitar që do të ndodhë në të njëjtën kohë” – shtoi zyrtari izraelit.
Raportimi për përgatitjet e Izraelit erdhi pasi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Matthew Miller, tha: “Ne nuk duam që t’i shohim palestinezët të evakuuar nga qyteti Rafah, nëse kjo nuk është për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.”
Administrata e presidentit Biden të ShBA-së vazhdimisht e ka shprehur kundërshtimin e saj për një operacion masiv të ushtrisë izraelite në Rafah, edhe pse gjuha e Departamentit të Shtetit u duk e re.
“Ne nuk mendojmë se ka ndonjë mënyrë efikase për të evakuuar 1,4 milion palestinezë. Nuk ka mënyrë për të kryer një operacion në Rafah që nuk do të çonte te lëndimi i tepruar i civilëve dhe pengimi i rëndë i shpërndarjes së asistencës humanitare” – tha më tej zëdhënësi Miller.
Izraeli argumenton se nuk mund ta mposhtë Hamasin pa një ofensivë të gjerë në Rafah për t’i çmontuar batalionet e mbetura të këtij grupi atje. Autoritetet izraelite kanë thënë se do ta nisin operacionin vetëm pas evakuimit të civilëve, duke garantuar se ata do të jenë në gjendje që të pranojnë ndihma humanitare pas rivendosjes në zona të tjera.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli