Shkeljet ligjore në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë shndërruar në normë - NACIONALE

Shkeljet ligjore në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë shndërruar në normë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendimet e jashtëligjshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ndaj shërbimit të jashtëm kanë nxitur reagime të shumë nga stafi i ministrisë dhe partitë opozitare.

Të parët kanë organizuar edhe protestë para objektit të ministrisë, duke kërkuar ndërprerjen e diferencimeve brenda ministrisë, ndërsa të dytët kanë paralajmëruar dëmet që mund t`i sillen Kosovës me këtë qasje.

Rregullorja 1/2022 mbi riorganizimin dhe sistematizimin e MPJD-së po konsiderohet në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.

Shoqata Sindikale ka protestuar të enjte, duke kërkuar të kthehet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, të shfuqizohet menjëherë nga Qeveria rregullorja 1/2022 mbi riorganizimin dhe sistematizimin e MPJD-së dhe të ndalen sulmi kundër aktivistëve dhe aktivitetit sindikal.

Shqetësimeve të stafit u është bashkangjitur edhe opozita. Përfaqësuesit e partive opozitare kanë vlerësuar se vendimet e jashtëligjshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës po rëndojnë shërbimin e jashtëm, dhe po pengojnë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekqi, ka thënë se shkarkimet dhe emërimet e paligjshme për pjesëtarë të shërbimit diplomatik nga ana e MPJD-së përveç që janë të kundërligjshme kanë edhe implikime të mëdha financiare.

“Ne shprehim pakënaqësitë tona në lidhje me shkarkimet dhe emërimet e paligjshme në shërbimin e jashtëm nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe disa zhvillime tjera në kuadër të kompetencave të kësaj ministrie që janë rezultat i një politike shumë pasive të politikës së jashtme karshi fushatës mjaft aktive të Serbisë për çnjohje të shtetësisë dhe mos anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka theksuar ajo.

Ajo ka treguar se një rast i tillë ka ndodhur te konkursi për 32 zyrtarët në misione diplomatike.

Sipas Mjekiqit, MPJD ka bërë shkelje ligjore për mënyrën se si e ka shpallur këtë konkurs.

“I tillë ishte edhe rasti me shpalljen e konkursit për 32 zyrtarë në misione diplomatike, të cilin konkurs siç jeni në dijeni, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës para tre ditëve e ka shpallur të jashtëligjshëm dhe ka kërkuar nga MPJD që të njëjtin ta anuloj. Në mënyrën se si e ka shpallur këtë konkurs, MPJD ka bërë shkelje të ligjit për zyrtarët publikë që natyrisht përcakton të drejtat dhe kompetencat në raport me nëpunësit profesional të shërbimit të jashtëm që konsiderohen si nëpunës me status të veçantë", është shprehur jo.

Veprimet e kryediplomtës Donika Gërvalla i ka dënuar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Ai ka thënë se në këtë ministri po persekutohet stafit diplomatik. “Në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka pasur mjaftueshëm hapsirë për përmirësime dhe ngritje të kapaciteteve. Fatkeqësisht, në vend të përmirësimit, po shohim rrënim, linçime dhe persekutim të personelit. Njerëzit duhet trajtuar me respekt dhe dinjitet”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.

Stafi diplomatik i shqetësuar

Me veprimet e fundit në këtë ministri askush nga stafi diplomatik nuk ndihet i sigurt.

Ambasadori Albert Prenkaj ka kritikuar drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për veprime antiligjore në këtë dikaster.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, se vendimet e jashtëligjshme të MPJD-së po dëmtohet rëndë shërbimin e jashtëm dhe politika e jashtme e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, në këtë ministri është instaluar një sistem i mosbesimit dhe fryma e diferencimit në baza administrativo-politike. “Kësaj radhe jemi detyruar të dalim në protestë sepse janë prekur fundamentet kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës: liria, rendi dhe ligji, demokracia, të drejtat e njeriut. Është instaluar një, të quaj, sistem i mosbesimit dhe fryma e diferencimit në baza administrativo-politike. Kjo e dëmton thellësisht profesionalizmin, ambientin e sigurt dhe të përshtatshëm të punës. Kjo ndërhyrje e jashtëligjshme në politikën kadrovike, duke i përvetësuar edhe përgjegjësitë e gjyqësorit në mënyrë arbitrare, dëmton thellësisht politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka bërë me dije se këto veprime po bëhen nga njerëz jo profesional.

“Reforma si nocion dhe veprim është proces kompleks dhe i ndjeshëm. Reformimi fillon me nxjerrjen e ligjit të ri në Kuvend dhe jo përmes akteve nënligjore (rregullores për sistematizim). Rregullorja nuk mund të shfuqizoi ligjin, as ligji-ligjin, e as rregullorja-rregulloren, siç ka pretenduar një Komision i udhëhequr nga disa amator pa përvojë në këtë drejtim dhe menagjmenti diletant. Për të qenë mëkati edhe më i madh është se menaxhmenti dhe niveli politik e ka pranuar dhe pretendon t’a implementoi verbërisht në shpërputhje me ligjet në fuqi. Ky reformim është veprim i vet-përmbysur”, ka thënë Prenkaj.

Këshilli dhe gjykata ia rrezojnë vendimet Gërvallës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla që nga ardhja në këtë post nuk është ndalur se shkarkuari ambasadorë e diplomatë nga shërbimi i jashtëm i Kosovës.

Pas largimit të rreth 30 diplomatëve në grupe të ndryshme, MPJD ka shpallur një konkurs për rekrutimin e 32 punonjësve të rinj, por këtë javë ky konkurs iu shpall i kundërligjshëm nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës .

Sipas këshillit, konkursi është bërë në kundërshtim me ligjet ne fuqi.

Këshilli ka rekomanduar MPJD-në që t’i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për anulimin e këtij konkursi.

Po ashtu, gjatë kësaj jave, një aktvendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka detyruar Ministrinë e Punëve të Jashtme që t’i paguajë mbi 20 mijë euro dëme një diplomati të shkarkuar në mënyrë arbitrare nga një mision diplomatik dhe për më tepër edhe ta kthejë në punë.

Diplomati Viskont Jakupi ishte kthyer arbitrarisht nga misioni diplomatik në Mbretërinë e Bashkuar. Ai nuk ishte pajtuar me vendimin dhe kishte vazhduar betejën ligjore me akterët vendim-marrës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ai del se ka fituar në të gjitha shkallët ku është ankimuar për vendimin për kthim në vend të punës.

Gjykata Themelore i ka dorëzuar atij një vendim të datës 2 shtator, e në të cilin aprovohet ankesa e tij dhe në të cilin urdhërohet Ministria e udhëhequr nga Donika Gërvalla Schwarz që t’i paguajë të gjitha pagat nga data 11 nëntor 2021 e deri në ditën e përmbarimit. Po ashtu, kërkohet nga Ministria që ta kthejë në vend të punës Jakupin.

Ndërkohë, dhjetëra ambasadorë e diplomatë tjerë kanë dorëzuar ankesat e tyre në gjykatë për shkarkim joligjor nga MPJD-ja.

Lajme të ngjashme