Qeveria prashit në ujë, s’ka NATO pa të gjitha njohjet - NACIONALE

Qeveria prashit në ujë, s’ka NATO pa të gjitha njohjet

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Por, kjo iniciativë nuk do të sjell diçka konkrete në praktikë.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë bërë me dije se rrugëtimi i Kosovës drejt kësaj organizate nuk varet vetëm nga vullneti i Kosovës.

Ata kanë bërë me dije se pa njohjen nga Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia, Kosova nuk mund ta bëjë asnjë hap në rrugëtimin e saj në drejt NATO-s.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, ka thënë se veprimi i Qeverisë për të formuar këtë grup mund të ndikojë në mbledhjen e dokumentacionit.

“Pajtohem se është një veprim shumë i qëlluar, është një përgatitje, është një organizim politik, por edhe përgatitje në aspektin e dokumentacionit, në aspektin ligjor, që të përgatiten të gjitha veprimet, hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen e afërt për një anëtarësim të mundshëm në NATO. Në përgjithësi, unë mendoj se është një veprim i duhur, dhe mandej varet nga çështje tjera se si do të rrjedhë procesi”, ka thënë Arifi për gazetën Nacionale.

Sipas tij, në këtë rrugëtim Kosova i ka dy pengesa.

“Këtu qëndron i gjithë problemi. Sepse në këtë rrafsh i kemi dy pengesa shumë të mëdha. E para është ligjore dhe e dyta është politike. E para është ligjore, sepse NATO në Kosovë është vetëm me autorizimin e Kombeve të Bashkuara, respektivisht në kuadër të rezolutës 1244. Prandaj, edhe NATO është neutrale ndaj statusit të Kosovës dhe kjo e komplikon gjithë çështjen. Vetëm nëse NATO deklarohet se nuk e njeh këtë rezolutë, atëherë mund të këtë hapa të mëtutjeshëm. E dyta, është çështje politike. Sepse pa njohjen e katër vendeve anëtare të NATO-s, si Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia, nuk mund të lëvizim tutje. Këto janë dy çështje që ne duhet të shikojmë se si mund të zgjidhen, por pa ndihmën e vendeve të NATO-s nuk mund të zgjidhet asnjëra”, ka thënë Arifi.

Ditë më parë, edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk përcaktohet vetëm nga agresioni rus në Ukrainë. Sipas tij, ky proces varet nga dinamika e dialogut me Serbinë në Bruksel.

“Çështja e anëtarësimit tonë në NATO, këtë duhet ta kuptojë çdokush, përcaktohet prej dinamikave dhe faktorëve të tjerë të brendshëm që kanë të bëjnë me raportet tona në dialogun me Serbinë. Anëtarësimi ynë në NATO është çështje e sigurisë rajonale këtu, jo çështje e sigurisë globale pasi ndikimi rus është shumë i dobët në këtë pjesë të botës dhe nuk mundet të projektojë forcë sepse është krejt e rrethuar me NATO”, kishte hënë Hasani për “Kosovapress”, duke shtuar se anëtarësimit i Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk do të varet shumë nga zhvillimet ndërkombëtare.

“Anëtarësimi ynë në NATO është një prej mjeteve të fundit të presionit ndaj Serbisë për njohje të Kosovës dhe stabilizim të marrëdhënieve me Kosovën. Nuk është diçka kjo krizë dhe kjo luftë që ne mund të përfitojmë me anëtarësim në NATO dhe as me anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare. Ato janë pjesë e dinamikave të tjera që lidhen me rajonin dhe fqinjësinë tonë të afërt dhe jo Rusinë”, është shprehur ai.

Përbërja e grupit punues

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, ku është marrë vendim për themelimin e këtij grupi punues, ka thënë se objektivi kryesor i këtij grupi është avancimi i procesit të integrimit në NATO, fuqizimi i pranisë së Kosovës në organizata dhe mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë, si dhe bashkëpunimi me aleatët strategjikë ndërkombëtarë.

Kurse, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është çështje urgjente.

“Kosova dhe shtetet tjera demokratike pro-perëndimore në rajon po ballafaqohen çdo ditë e më shumë me veprime destabilizuese, të provokuara nga Rusia përmes vartësve të saj. Duke marrë parasysh kontekstin aktual të agresionit të paprecedentë rus ndaj Ukrainës, dhe synimeve për destabilizim dhe minim të të gjitha progreseve euroatlantike e kërcënimit për paqen globale, anëtarësimi i Kosovës në NATO është urgjent si rrallëherë më parë për solidifikimin e arkitekturës së sigurisë në rajon dhe Evropë”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të jetë kryesuese e këtij grupi. Ndërsa, anëtarë do të jenë Ministra e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, një Përfaqësues nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, një përfaqësuesi i Republikës së Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo nuk është hera e parë që Kosova provon ta fillojë rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO.

Në vitin 2012, Kosova kishte tentuar të vendosë marrëdhëniet e para zyrtare me NATO-n, duke aplikuar për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, por për shkak të mosnjohjes nga katër vendet anëtare, kishte dështuar.

Po ashtu, në vitin 2016, Kosova ka pasur një kërkesë zyrtare për të forcuar lidhjet me NATO-n, duke aplikuar për 'bashkëveprim të zgjeruar', por sërish ishte Spanja ajo që kishte dalë kundër kësaj kërkese.

Kandidatët e mundshëm duhet të përcjellin vlera demokratike si dhe të ofrojnë mbështetje për sigurinë mbarë euro-atlantike në mënyrë që të merren në konsideratë.

Shtetet e ftuara marrin një plan-veprim për anëtarësimin, i cili përcakton hap pas hapi rrugëtimin drejt anëtarësimit.

Më pas, 30 anëtarët duhet të bien dakord në mënyrë unanime për pranuar kërkesën për anëtarësim të një shteti në këtë organizatë. Marrëdhënia Kosovë-NATO daton nga 24 mars i vitit 1999 me fillimin e Operacionit të Forcave Aleate të NATO-s, një fushatë ajrore 78 ditore kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) për të ndalur katastrofën humanitare që po ndodhte në Kosovë.

Që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, integrimi në NATO ka qenë një nga prioritetet kryesore të qeverive të Kosovës. Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka ndonjë formë të marrëdhënies kontraktuale me NATO-n./Nacionale/

Lajme të ngjashme