Një javë past takimit të madh Kurti-Vuçiq, cilat ishin ngjarjet kryesore? - NACIONALE

Një javë past takimit të madh Kurti-Vuçiq, cilat ishin ngjarjet kryesore?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot është bërë një javë prej takimit të 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq. Cilat ishin ngjarjet kryesore prej atëherë?

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në konferencën për medie menjëherë pas takimit u shpreh se palët ishin pajtuar me Propozimin Evropian dhe për të cilin nuk do të diskutohej më. Do të diskutohej vetëm për planin e zbatimit.

Disa orë më pas

Pak orë më pas, Bashkimi Evropian do ta publikonte Propozimin Evropian me përmbajtjen e të cilit ishin pajtuar si Kurti ashtu edhe Vuçiqi.

E kjo përmbajtje ishte e ngjashme, për të mos thënë identike, me tekstet që ishin publikuar muaj më parë nga media të Kosovës e të Serbisë. Doli se përnjëmend nuk kishte njohje nga Serbia, doli se nuk kishte garanci për njohje nga shtetet mos-njohëse të BE-së, dhe se kishte Asociacion.

Disa minuta më pas

Kurti po ashtu e pranoi se në propozimin me të cilin ishte pajtuar ekzistonte Asociacioni, por vend kishte se ku ndodhej: fjalia e fundit e nenit të fundit. A do të thoshte kjo se Asociacioni nuk vlen? Natyrisht, nuk e tha një gjë të tillë.

Protestuesi i vetëm

Protestuesi i vetëm në takimin e 27 shkurtit duket se ishte një aktivist i klimës. Ai do të bërtiste para dy gazetarëve kosovarë se “po e shkatërronin planetin”. Nuk dihet se çka po bënin gazetarët që po e shkatërronin planetin, por dihet se ky nuk mund të merret si një ogur i mirë.

Disa orë më pas, Vuçiqi

Presidenti i Serbisë do të fliste para qytetarëve të tij për takimin që kishte pasur. Dhe kjo e ndezi një përplasje të re me kryeministrin Kurti.

Presidenti serb do të deklaronte se nuk do të pajtohej asnjëherë me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Serbia ka gatishmëri që të punojë për zbatimin e shumë gjërave nga propozimi, por ne e bëmë një kundërshtim të madh e të qartë. Këtë gjë ia thashë Macronit dhe Scholzit në Mynih, dhe krejt liderëve të mëdhenj. Është fjala se nuk dua dhe nuk mund të bisedohet për njohje reciproke dhe për pranim e hyrje të Kosovës në OKB.” - ishte shprehur Vuçiq.

Sipas Kurtit, me këtë deklaratë, Vuçiq do të shkelte Nenin IV të Propozimit Evropian.

Ia kthen Kurti

Me anë të një cicërime në Twitter, kryeministri i vendit ishte shprehur se deklarata e Vuçiq “përbënte shkelje të Nenit IV të Propozimit Evropian”. Ai po ashtu e denoncoi Serbinë që nuk po operonte në mirëbesim.

Njohja dhe Bislimi

Për Propozimin Evropian do të fliste edhe zv. kryeministri Besnik Bislimi. Në një paraqitje televizive për RTK-në ai do ta pranonte që mungesa e njohjes ishte “koncesion i madh” i Kosovës, por në anën tjetër do të tregonte se nuk e dinte as renditjen e neneve.

Në dy raste gjatë intervistës, ai i referohet nenit 6 si “paragrafi 5” dhe “neni 5”.

Por, në pjesën më bizare të intervistës, ai shprehet efektivisht që BE-ja e shihte ndryshe Nenin 7 ndërsa Kosova e shihte ndryshe.

“Ne e shohim (Asociacionin) në nenin 10 tek marrëveshjet e kaluara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara... me gjasë sipas një interpretimit të Bashkimit Evropian, ata Asociacionin e shohin edhe tek pika 7, pjesa e parë, te vetëmenaxhimi. Që tregon se për Bashkimin Evropian nuk po flitet për të drejta kolektive të komunitetit, komunikimit por për një lloj koordinimi për koordinimin e aktiviteteve të komunave me shumicë serbe.”

Njohja dhe Kurti

Edhe më i përçudshëm në arsyetimin e mungesës së njohjes do të tregohej shefi i tij, Albin Kurti.

Kryeministri do të deklaronte se ishim në gjendje të “mos-njohjes reciproke”, derisa krenohej se si ai nuk e njihte Serbinë. Megjithatë, Kurti nuk kishte treguar se çka donte të thoshte me këto deklarata dhe kujt i hynin në punë ato!

Amerika e shqetësuar me PDK-në dhe LDK-në

Dhe, zhvillimi më i madh duket se ka ardhur pikërisht sot. ShBA-ja me anë të zëdhënëses së ambasadës në Prishtinë ka shprehur shqetësime në lidhje me deklaratat e dy partive më të mëdha opozitare të shprehura përgjatë kësaj jave.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së,” – u shpreh një zëdhënëse e ambasadës amerikane në Prishtinë.

“Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-ve për propozimin,” – thuhet më tej në këtë reagim.

Lajme të ngjashme