Qeveria Thaçi, kriminale: Fjalët që i tha Vuçiq për takimin në Bruksel - NACIONALE

Qeveria Thaçi, kriminale: Fjalët që i tha Vuçiq për takimin në Bruksel

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë mbrëmjes së kaluar, presidenti serb Aleksandër Vuçiq foli për dy orë para popullit serb në lidhje me takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Çka tha Vuçiqi?

Në bazë të fjalëve të kryediplomatit evropian, Josep Borrell, takimi i 27 shkurtit kishte shkuar mirë. Palët ishin pajtuar që të mos e negocionin më propozimin evropian (planin franko-gjerman) duke u pajtuar me përmbajtjen e tij. Por, megjithatë mospajtimet duket se janë më të thella.

Presidenti serb Vuçiq edhe pas daljes nga takimi në Bruksel, u shpreh se Kurti nuk e kishte pranuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Të njëjtën gjë e përsëriti sërish, por duke shtuar edhe disa detaje në adresimin për RTS.

Nëse është për t’i besuar fjalëve të tij, Kurti e kishte cilësuar Qeverinë Thaçi si “Qeveri kriminale” në Bruksel.

Qeveri kriminale, Thaçi

Vuçiq i tha këto fjalë për pikën kryesore që duket se ka ndarë palët.

“Unë nuk kam pritje që Kurti ta themelojë Asociacionin... Ky është thelbi i asaj që mungon prej vitit 2013. Kur të themelohet, atëherë mund të ulemi e të flasim për të gjitha çështjet, edhe ato më të vështirat. Kurti shprehet se nuk do ta zbatojë atë që ka nënshkruar dikush tjetër, se ka qenë një qeveri kriminale në atë kohë,” – tha z. Vuçiq në adresimin e djeshëm.

Kurti, po ashtu foli dje në lidhje me këtë çështje, duke thënë se pikat më problematike të marrëveshjes ishin ato që u trashëguan nga “qeveritë e mëhershme”.

Çka do të ndodh më 18 mars?

Takimi i 18 marsit pritet të jetë edhe më i rëndësishëm se ai i 27 shkurtit, ani pse do të mbahet në Shkup dhe jo në Bruksel.

Presidenti i Serbisë u shpreh se në takimin e 18 marsit do të jetë i pranishëm edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell. Megjithatë, ai u shpreh se ky nuk ishte një afat.

“Këshilli i Evropës mban seancë më 24 mars... aty do të thonë se çfarë po bëjmë ne... Do të ketë presion, natyrisht, dhe askush s’do të lejojë që negociatat të vazhdojnë pafund, edhe pse deri tash kanë vazhduar pafund,” – vazhdoi ai.

Çfarë pasojash ka nëse refuzon?

Por, Vuçiqi gjatë fjalës së tij bëri disa herë luhatje të ndryshme të disponimit. Në një pikë të adresimit të tij, ai foli edhe për pasojat që mund ta prisnin Serbinë nëse e refuzonte propozimin.

“Pasojat e refuzimit të propozimit janë ndalimi i integrimeve evropiane, veçse kjo nënkupton edhe fundin e investimeve... më thanë tërheqje direkte të investimeve,” – u shpreh Vuçiq, duke përmendur pastaj edhe elemente ekonomike.

Po ashtu, ai u shpreh se një pasojë tjetër do të ishte që Serbia mund të izolohej nga bota.

Jo njohje

Vuçiq ishte kategorik kur foli për njohjen reciproke.

“Serbia ka gatishmëri që të punojë për zbatimin e shumë gjërave nga propozimi, por ne e bëmë një kundërshtim të madh e të qartë. Këtë gjë ia thashë Macronit dhe Scholzit në Mynih, dhe krejt liderëve të mëdhenj. Është fjala se nuk dua dhe nuk mund të bisedohet për njohje reciproke dhe për pranim e hyrje të Kosovës në OKB. Më thanë që nuk ka negociata për këtë gjë. E përsëris, nuk do të marrë pjesë në zbatimin e disa gjërave... I thashë Macronit, Scholzit, Lajçakut. Ndërsa unë jam president i Republikës, nuk do të nënshkruaj as njohjen formale e as joformale të Kosovës, as anëtarësim në OKB,” – vazhdoi ai.

Pra, Vuçiq po thotë para popullit serb që nuk do të nënshkruante marrëveshje që do të çonte në njohje de jure apo njohje de fakto.

A jemi më afër marrëveshjes, se sa që ishim më parë? Nga ajo që thonë Kurti e Vuçiqi, del se po.

Lajme të ngjashme