"Marrëveshja e rrugës": Borrell i ndryshoi emrin propozimit të BE-së (franko-gjerman) - NACIONALE

"Marrëveshja e rrugës": Borrell i ndryshoi emrin propozimit të BE-së (franko-gjerman)

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Takimi mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti ka rezultuar në pajtim për planin evropian, sipas Josep Borrell, shefi i lartë i politikës së jashtme për BE-në, i cili e bëri njoftimin sonte gjatë një konference për shtyp.

"Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që jo më shumë diskutime janë të nevojshme për propozimin evropian, i cili ka titullin normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë" - tha ai.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se plani, i njohur deri me tash si franko-gjerman apo evropian, emri zyrtar i tij është Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Pra, për të përmbledhur, propozimi evropian, emri zyrtar i të cilit është ‘Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës’ është pranuar dhe si e tillë do të publikohet në faqen zyrtare të BE-së.” - tha Borrell.

Shefi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e ka konsideruar takimin një zhvillim të madh bazuar në faktin se nga verën e kaluar ata ishin përfshirë vetëm në menaxhimin e krizave.

“Fokusi i takimit ka qenë që të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një zhvillim i madh sepse nga vera e kaluar jemi përfshirë në menaxhime krizash, me fokus vetëm në kriza, nga kriza në kriza, duke tentuar që t’i kontrollojmë krizat në terren. Ne tani po kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme. Ky propozim, i Bashkimit Evropian, është i miratuar nga Këshilli i Evropës dhe që nga atëherë ne jemi angazhuar në një diplomaci intensive.”- tha Borrell.

Lajme të ngjashme