"Është shumës, është shumës": Fjalët e Kurtit që dëshmojnë se nuk ka ide se si e humbi njohjen nga Serbia - NACIONALE

"Është shumës, është shumës": Fjalët e Kurtit që dëshmojnë se nuk ka ide se si e humbi njohjen nga Serbia

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pse nuk u përfshi “njohja reciproke” në propozimin evropian? Fjalët e Kurtit në lidhje me një gjë të tillë të thëna në Kuvendin e Kosovës duhet të lënë gojëhapur secilin person që i ka përcjellur zhvillimet politike në vend në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit.

Njohja nga Serbia ishte menduar gjatë si qëllimi kryesor i negociatave me Serbinë që kishin nisur në marsin e vitit 2011.

Por, në muajt e fundit njohja humbi nga ligjërimi i marrëveshjes së Kosovës me Serbinë. Kjo njohje madje nuk u përfshi fare në Propozimin Evropian.Për një çështje të tillë, Kurti u pyet nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Dhe kjo duket se e qiti nga takti Kurtin.

Kurti pretendonte se Abdixhiku e kishte keqlexuar çështjen fillimisht, e më pas nisi të fliste për njohjen reciproke në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë.

“Para katër vjetëve, ish-presidenti Trump i ka dërguar letër ish-presidentit Thaçi, ku e ka përdorur togfjalëshin “njohje reciproke”. Para dy vjetëve, këtë e ka bërë presidenti aktual Biden, njohje reciproke. Shtrohet pyetja pse ata nuk kanë thënë njohja e Kosovës nga Serbia por njohje reciproke?” - u shpreh z. Kurti në fjalën e tij.

Në fakt, togfjalëshi “njohje reciproke” është përdorur edhe para letrës së Trumpit në vitin 2019. Atë e kishte përdorur Thaçi vite para letrës së Trumpit para katër viteve.

Por, Kurti nuk u ndal me kaq.

Ai vazhdoi tutje duke thënë se kërkesa për njohje reciproke dëshmonte se kishim gjendjen e “mos-njohjes reciproke”. Dhe, në pikën kulmore të fjalimit të tij mbi këtë pjesë të përçudshme, ai shprehet se nuk e njeh Serbinë duke i lënë edhe merita vetes për mos-njohjen reciproke.

“Dhe këtu nëse e vëreni, në fjalinë e katërt të preambulës thuhet “including the status questionS”. Çështjet, jo çështja siç tha deputeti Abdixhiku. Çështjet. Pse? Sepse qysh në takimin e parë kur kam qenë në Bruksel me presidentin Vuçiq te Zyra e Borrellit në mes të qershorit të vitit 2021 unë kam thënë “Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë,” – tha Kurti.

Pra, Kurti e kishte vënë në pikëpyetje sipas Kurtit edhe “statusin e Serbisë”. Por, sado të përçudshme të jenë këto pretendime, ka edhe pikëpyetje të reja.

Pse në propozimin evropian nuk shkruhet, ta zëmë, çështja e “statuseve” në shumës? Dhe, a s’do të nënkuptohej me “çështje të statusit” në njëjës edhe statusi i Kosovës edhe ai i Serbisë?

Megjithatë, Kurti nuk tregoi se për çfarë arsyesh po e bënte një mbrojtje të tillë kur po fliste për mungesën e njohjes nga Serbia.

Më poshtë e keni gjithë pjesën e folur për këtë çështje nga z. Kurti:

“Tjetra, është keqleximi sa i përket çështjes së statusit. Unë e dëgjova deputetin Adbxihiku, ai tha që është hapur çështja e statusit. Ose që është neutrale. Po, së pari, më lejoni t’ua tregoj kontekstin dhe çfarë saktësisht përshkruan se duhet të lexoni me përpikëri. Para katër vjetëve, ish-presidenti Trump i ka dërguar letër ish-presidentit Thaçi, ku e ka përdorur togfjalëshin “njohje reciproke”. Para dy vjetëve, këtë e ka bërë presidenti aktual Biden, njohje reciproke. Shtrohet pyetja pse ata nuk kanë thënë njohja e Kosovës nga Serbia por njohje reciproke? Sepse, në thelb, nuk mund ta njohësh një shtet që nuk të njeh... pa u nënshtruar në riokupim. Rrjedhimisht, të dy presidentët neve na kanë treguar që aktualisht e kemi gjendjen e mos-njohejs reciproke. Dhe nga mosnjohja reciproke, ne duhet të kalojmë në njohje reciproke. Përndryshe, ata do të shkruanin duke thënë “Serbia ta njohë Kosovën” dhe kaq. Dhe këtu nëse e vëreni, në fjalinë e katërt të preambulës thuhet “including the status questionS”. Çështjet, jo çështja siç tha deputeti Abdixhiku. Çështjet. Pse? Sepse qysh në takimin e parë kur kam qenë në Bruksel me presidentin Vuçiq te Zyra e Borrellit në mes të qershorit të vitit 2021 unë kam thënë “Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë”. Qysh në fillim. Ai tha, Serbia nuk e njeh Kosovën. Unë thashë, Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë. Në përputhje me dy letrat e dy presidentave amerikanë. Mosnjohje reciproke. Tash, këtu keni “status questions”. A e dini pse? Faktorët ndërkombëtarë e dinë shumë mirë që nuk është në pyetje pavarësia e Kosovës, po në thelb, kushtetuta defektuoze është ajo e Serbisë. Nëse ka noj shtet në Ballkanin Perëndimor që e ka statusin e pacaktuar është pikërisht Serbia. Unë atë Kushtetutë s’e pranoj dot. Sepse, në fjalinë e dytë të Preambulës Kushtetuta e Serbisë thotë që Kosova është pjesë integrale e Serbisë. Unë nuk mund ta pranoj atë. Pra, nga mosnjohja reciproke do të kalojmë në njohje reciproke. Ata e kanë dëgjuar Serbinë duke thënë që nuk e njeh Kosovën por e kanë dëgjuar edhe Kosovën duke thënë që s’e njeh Serbinë. Prandaj e keni “status questions”. Plural. Shumës deputeti Abdixhiku. Mos thuaj çështja. Çështjet. Pyetjet. Është shumës. Nuk është status questions.”

Ose, mund ta ndiqni më poshtë nga minuta: 48:40 - 52:15

Lajme të ngjashme