Banaliteti i Kurtit në seancën e mesnatës dhe sulmet ndaj Ganimete Musliu - NACIONALE

Banaliteti i Kurtit në seancën e mesnatës dhe sulmet ndaj Ganimete Musliu

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Parmbrëmë, Albin Kurti ushtronte dhunë në Kuvendin e Kosovës. Nuk e dinte që ekzistonte Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale derisa fliste për nenin 7. Arbitrarisht, i cilësonte “ndryshime strategjike” krejt ndryshimet e tij radikale të qëndrimeve. Me arbitraritet të habitshëm foli edhe për “njohjen reciproke”, asociacionin e gjithçka. Dhe në fund, ia plasi gazit kur deputetja Ganimete Musliu me telefon paraqiti qëndrimet e tij të ndryshuara si për t’i dhënë shenjë njerëzve të nisnin me sulmet ndaj saj.

Por, siç edhe mund të pritej, Albin Kurti nuk u bë horë për padijen e tij monumentale që po i kushton rëndë Kosovës. U bë horë deputetja Musliu.

Të ndalemi pak te Karta Evropiane. Kurti pretendoi në fjalën e tij në Kuvend se ekzistonte vetëm një konventë e Këshillit të Evropës që rregullonte çështjen e vetëmenaxhimit lokal. Gaboi. Nuk e dinte. Më vonë kur kjo u vu në dukje nga Arben Gashi disa herë me radhë, ai duket se e kuptoi gabimin e tij dhe ngadalë e heshturazi u tërhoq. Por, kë e ka pasur në Bruksel për t’i tërhequr vërejtjen? Besnik Bislimin? Ky i fundit nuk e dinte mirë as renditjen e neneve në Propozimin Evropian. Siç nuk e kishte ditur muaj më parë pas nënshkrimit të udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve të energjisë se qysh do ta paguanin rrymën shqiptarët e katër komunave me shumicë serbe në veri.

Pse ju nuk keni dëgjuar për këtë padije monumentale të përfaqësuesve tuaj në dialog? Sepse, vëmendjen jua vjedhin përditë banalitete të ndryshme siç ishte dje urrejtja provinciale ndaj deputetes Musliu. E, derisa profilet e rreme të Albin Kurtit në Internet e vjedhin vëmendjen tuaj, kryepushtetari po sjell rezultatet e padijes së tij. Kosova e mori një propozim që e heq krejtësisht qëllimin kryesor të ekzistimit të negociatave: njohjen nga Serbia dhe përfundimin njëherë e mirë të problemit me të.

Të ndalemi edhe pak te dhuna e Kurtit. Ai pardje në Kuvend u shpreh se togfjalëshi “njohje reciproke” praktikisht ishte krijuar prej tij. “Unë nuk e njoh Serbinë,” – u shpreh ai, derisa po mbrohej për humbjen e njohjes. Ia përsëriti disa herë Abdixhikut se në propozim shkruhej “çështjet e statusit” e jo “çështja”, thua se po thoshte diçka të madhe. Përmendi letrën e Trumpit në vitin 2019, por nuk përmendi që ky togfjalësh kishte ekzistuar shumë kohë para Trumpit dhe para tij, madje edhe në Kosovë.

Në fakt, togfjalëshi “njohje reciproke” në marrëdhënie ndërkombëtare ekziston madje edhe përtej çështjes së njohjes së shteteve. Por, shihni se çka thotë Kurti për “çështjet e statusit”. Ai pretendon se zbuloi diçka të re në të. Se pra, kishte më shumë se një çështje statusi. Ishin dy çështje statusi. Dhe se një gjë e tillë na tregonte se problem ishte edhe njohja e Kosovës për Serbinë dhe jo vetëm e Serbisë për Kosovën. Por, a s’i përmbledh dot të dyja mos-njohjet njëjësi, çështja e statusit? Natyrisht që po. Dhe, te “çështjet e statusit” po flitet vetëm për një status apo jo? Edhe statusi në anglisht ka shumësin, pluralin. Banalitet i paskaj.

Dhe krejt krejt në fund të kësaj pike: pse u dha një argument i tillë? Çka thotë kjo për humbjen e qëllimit kryesor të Kosovës në negociata? Që edhe Serbia ka humbur me propozimin evropian njohjen e Kosovës? Zoti e lashtë shëndosh!

Ndërkohë, më vonë kur erdhi mbrëmja Kurti u shpreh edhe se nuk e kishte ndërruar asnjë qëndrim të vetëm. Thjesht kishte ndërruar strategji. Pra, strategji i bie se ishte edhe qëndrimi për Pakon e Ahtisaarit, edhe qëndrimi “Jo Negociata”, edhe qëndrimi për Bashkim Kombëtar, edhe qëndrimi për luftimin e korrupsionit, edhe qëndrimi për uljen e çmimeve të bukës e vajit. Tash, shtrohet pyetja: nëse gjithçka ishte strategji për Kurtin, atëherë për çka qëndronte e qëndron ai? A po i bie që për asgjë?

Për fund, të merremi pak me Ganimete Musliun. Kurti e përveçoi dy-tri herë si deputete derisa fliste nga foltorja e Kuvendit. Në fund shpërtheu në gaz, krejt të paçiltër, pasi ajo ia shpalosi me telefon disa fjalime të mëparshme. Kurtit i konvenon që njerëzit të merren me deputeten Musliu dhe me mënyrën se si shprehet ajo. I konvenojnë të gjitha banalitetet e mundshme që mund t’i bëjmë. Pikërisht në këtë pikë shtrihet mundësia e tij për të derdhur dhunë përmes gojës, për ta thënë me fanatizëm se 2+2 bëjnë pesë. I ka ecur mirë deri tash, por me propozimin evropian s’do t’i mjaftojnë as 100 Ganimete Musliu për të na e hequr sytë nga ajo që na sjell. Realiteti do të jetë tepër i madh për t’u mbuluar me banalitete.

Lajme të ngjashme