LDK në prag të Kuvendit të Jashtëzakonshëm, Haziri thotë se rikthimi ndodh me marrëveshje të madhe politike - NACIONALE

LDK në prag të Kuvendit të Jashtëzakonshëm, Haziri thotë se rikthimi ndodh me marrëveshje të madhe politike

2 javë më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ndodhet në prag të mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ndërsa ka përfunduar verifikimi i pjesës më të madhe të nënshkrimeve. Pas përfundimit të këtij procesi, pritet të caktohet edhe data e mbajtjes së Kuvendit.

Zyrtarë të këtij subjekti politik kanë vazhduar edhe gjatë fundjavës me deklarata lidhur me këtë proces. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se "stabiliteti dhe normalizimi i Republikës kalojnë përmes zyrave të LDK-së".

Haziri, mes tjerash, foli edhe për rikthimin e kësaj partie, duke thënë se ai do të ndodhë "nga lart-poshtë", përmes një marrëveshjeje të madhe politike.

"LDK di dhe mundet të përballet me agjendën e Republikës, duke iu përgjigjur kërkesave të saj me debat të brendshëm, marrëveshje politike dhe demokraci të brendshme.

Periudha post-independente dhe post-rugoviste vetëm një gjë e ka konfirmuar: pa LDK-në nuk ka as zgjidhje, as zgjedhje.

Stabiliteti dhe normalizimi i Republikës kalojnë përmes zyrave të LDK-së. Ia kemi borxh anëtarësisë dhe të ardhmes së Republikës.

Koha më ka dhënë të drejtë se rikthimi i madh i LDK-së ndodh nga lart-poshtë, me një marrëveshje të madhe politike, pa e dëmtuar demokracinë e brendshme.

LDK ishte parti ringritëse në një kohë të vështirë, sepse kur të gjithë ishin rrëzuar e dorëzuar, LDK nisi ringritjen tonë si shoqëri e organizuar", ka shkruar ai.

Kujtojmë se gjatë kësaj jave, 150 anëtarë të kësaj partie dorëzuan nënshkrimet me kërkesë për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, ku kërkohet edhe shkarkimi i kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.

Ky i fundit u deklarua lidhur me këtë situatë para pak ditësh përmes një video-mesazhi.

"Nuk e kam kërkuar këtë betejë, por nuk do të tërhiqem. Asnjë pozitë nuk është më e madhe se besimi i njerëzve dhe asnjëri prej nesh nuk është më i madh se LDK-ja", tha Abdixhiku.

Ndërkaq, zyrtari i kësaj partie, Shkëmb Manaj, ka deklaruar se verifikimi i nënshkrimeve është drejt përfundimit dhe se, pas kësaj, do të caktohet data e mbajtjes së Kuvendit.

"Komisioni e ka kryer pjesën më të madhe të verifikimeve. Kanë mbetur vetëm disa delegatë që ende nuk janë lajmëruar. Sapo të përfundojë edhe kjo pjesë, do të caktohet data e Kuvendit.

Është vendim i kryetarit të LDK-së, në bazë të përfundimit të procesit. Verifikimi është drejt fundit", është shprehur Manaj për Express.

Lajme të ngjashme