Komandantë të njohur ukrainas do ta udhëheqin mbrojtjen e rajonit lindor të kërkuar nga Rusia
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka emëruar dy prej komandantëve më të njohur të vendit të tij për ta mbikëqyrur mbrojtjen e bastioneve lindore, kur Kievi po ballafaqohet me vështirësi për t’iu kundërvënë një sulmi rus ndaj një rajoni që është në qendër të bisedimeve të ngecura të paqes.
Duke e vizituar vijën e frontit me komandantin e ri, Zelensky tha se udhëheqësi i Trupës së Tretë Ushtrake, Andrri Biltskyi, dhe Denys Prokopenko, komandant i Trupës së Parë të Azovit, do t’i udhëheqin grupet e reja me qëllim të fuqizimit të mbrojtjes përreth Donetskut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Të dy këto figura përfaqësojnë një gjeneratë të re të komandantëve me përvojë në terren dhe tani për tani i udhëheqëin ato që shihen si disa prej forcave më të afta dhe më së miri të trajnuara të Ukrainës. Trupat e tyre tashmë janë të përfshira në mbrojtjen e asaj pjese të frontit, ndërsa komandantët janë vlerësuar lart për efikasitetin dhe planifikimin luftarak.
Analisti i ushtrisë ukrainase, Mykola Bielieskov, tha se emërimi i Biletskyi-t dhe Prokopenko-s – të dy kanë qenë në luftë që nga pushtimi i parë rus më 2014 – ka për qëllim që komandantit të ri të ushtrisë ukrainase, Mykhailo Drapatyi, t’i japë mundësi më të gjera për planifikim strategjik.
Paraardhësi i tij, Oleksandr Syrskyi, ishte kritikuar për mikromenaxhimin e sektorëve të vegjël të frontit.
“Me fjalë të tjera, kjo është lëvizja e duhur” – tha Bielieskovi.