Anëtarët po ‘guxojnë’ t’i dalin kundër partisë – Çka po ndodhë në VV?
Rrallëherë, për të mos thënë kurrë, e kemi parë dikë nga Lëvizja Vetëvendosje ta kundërshtojë haptas partinë, deri në këto kohët e fundit. Një prej figurave, që dikur ishte kyçe, e madje i ishte besuar edhe posti i zëvendëskryeministrit në Qeverinë Kurti I, Haki Abazi, sot në një konferencë për media kritikoi VV-në. A po ndryshon diçka në këtë parti?
Përçarjet brenda VV-së kanë dalë në pah, partia siç duket nuk ka mundësi që ta fsheh një gjë të tillë.
Figura të ndryshme të këtij subjekti politik, haptas nëpër rrjete sociale, debate, media, konferenca po shprehin pakënaqësitë e tyre.
A është kjo demokraci?
Në një situatë normale, siç thotë për Nacionalen njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, kjo do të ishte demokraci dhe VV-ja mund ta interpretojë të tillë, por këtu, duhet theksuar mënyrën se si funksionon ky subjekt politik.
“VV këtë mund ta interpretojë këtë si demokraci, në një situatë normale do të duhet të ishte e tillë, ata zërat brenda partisë janë të dobishëm dhe nuk ka asgjë të keqe që të ndodhë kjo. Por duke pasë parasysh, mënyrën se si është organizuar, si funksionon, si ka funksionuar në të kaluarën VV-ja”, tha ai.
Mushkolaj vlerëson se shqetësimet e eksponentëve të ndryshëm të partisë, nuk po gjejnë vend në forumet e këtij subjekti.
“Po duket që arsyeja e parë është se shqetësimë të tilla nuk po gjejnë vend në forumet e partisë. Kjo po bën që pastaj eksponentë, në këtë rast edhe z.Abazi, sikur të tjerë më herët, shfrytëzojnë hapësira të tjera, qoftë media, qoftë në parlament, për t’i shpreh pakënqësitë e veta. Duket që zëri i tyre nuk po dëgjohet brenda partisë dhe vërejtjet e tyre nuk po merren parasysh, edhe siç Vetëvendosja vepron edhe karshi akterëve të tjerve, se kush nuk është me të është kundër saj, ky parim, po e vendos në thonjza, po shfrytëzohet nga këta anëtarë që po i shprehin pakënaqësitë haptas”, tha ai për Nacionalen.
Në fund, Mushkolaj theksoi se këtë “e sheh më shumë si simptomë të mungesës së hapësirës brenda partisë, se sa demokraci brendapartiake”.
Lidhur me këtë temë, për Nacionalen foli edhe Bardh Ahmeti, aktivist i Partisë Socialdemokrate, dikur anëtar i VV-së.
Ai thotë se në VV ka grupe të ndryshme të njerëzve, dhe sipas tij, edhe pse të gjithë qëndrojnë në një “ombrellë”, ka pasur përplasje të mëdha.
“Përbrenda Vetëvendosjes shohim të mëshiruar islamist e ateist, të majtë e të djathtë, liberal, konservator, jugo-nostalgjik, erdoganista e leninista; të gjithë qëndronin në një ombrellë, ani pse të gjithë, me njëri-tjetrin, kishin përplasje të mëdha. Kurti qëndronte në krye si mjeshtër i riciklimeve të figurave, në të njëjtën kohë edhe amortizues i përplasjeve me premtime të bukura sapo t'i vinte pushteti në dorë”, tha ai.
Sipas Ahmetit, tash kur VV-ja po qeverisë vendin, është kuptuar se jo të gjitha grupeve mund t’u plotësohen kërkesat, derisa përmend rasrtin e Haki Abazit, Doarsa Kica-Xhelilit dhe deputetëve që nuk e votuan Kodin Civil që lejon martesën mes gjinive të njëjta.
“Tash, kur janë në pushtet, u kuptua që jo të gjitha grupeve mund t'i plotësohen dëshirat. Jo krejt kërkesat arrihen. Natyrisht që grupet, të cilave kërkesat nuk iu përfillen, irritohen e largohen nga aty. E kemi rastin e Haki Abazit që haptazi shprehu pakënaqësinë në parti e me Mimoza Kusari Lilën. E kemi Doarsa Kica-Xhelilin që doli nga aty shkaku i ligjeve të dëmshme që kalonin në Kuvend. Kemi një numër deputetësh që nuk e votojnë Kodin Civil sepse nuk përkon me besimet e tyre që Kurti, më shumë se askush tjetër, i ka legjitimuar në hapësirën publike”, tha ai.
Rasti i fundit: Haki Abazi
Nacionale vazhdimisht ka raportuar për pakënaqësitë brenda VV-së, duke përfshirë këtu edhe deputetët myslimanë, që “bojkotuan” zgjedhjet e partisë, përveç që s’e votuan Kodin Civil.
Rasti i fundit ku u shpreh haptas kundërshtimi për partinë, është ai i Haki Abazit.
Ky i fundit, mëngjesin e së premtes mblodhi mediat në një konferencë për media të mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku më së shumti, u duk i mllefosur me shefen e grupit parlamentar, Mimoza Kusari – Lila.
Sipas ish-zëvendëskryeministrit, Mimoza Kusari-Lila s’e meriton këtë pozitë.
“Një deputet të udhëheqë një grup parlamentar kaq të madh, është problematike sepse dinamikat brenda Lëvizjes e bëjnë poashtu komplekse përfaqësimin e grupit parlamentar”, tha Abazi për Mimoza Kusari Lilën.
Ai tërthorazi, pati një ankesë edhe për ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, me të cilën la të nënkuptohet se nuk ka komunikuar shumë edhe si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme.
“Për besë, ju mund të flisni me ministren e Punëve të Jashtme më shpesh se unë që jam kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme”, tha ai tutje.
Këto ankesa, Abazi konfirmoi se i ka adresuar në instancat më të larta të mundshme, pra te kryeministri Albin Kurti.
“Natyrisht unë këto çështje i kam ngritur te kryeministri dhe kryetari i Vetëvendosjes – Albin Kurti”, përfundoi Abazi.



