Ideologjia e VV-së: Pas myslimanëve, Kurtit i kërkohet përjashtimi i rugovistëve e të djathtëve - NACIONALE

Ideologjia e VV-së: Pas myslimanëve, Kurtit i kërkohet përjashtimi i rugovistëve e të djathtëve

1 javë më parë

nga Arta Avdiu

Procesi Zgjedhor brenda Lëvizjes Vetëvedosje është drejt fundit, por përçarjet e krijuara janë të mëdha. Në garën për kryetar të qendrave, shumë aktivistëve iu është mohuar e drejta për të kandiduar. Në partinë progresive të Albin Kurtit, duket se nuk ka vend për ata që s’besojnë në martesat e seksit të njëjtë.

Në platformën që e prezantoi gjatë javës, Kurti e vuri theksin tek kohezioni ideologjik, duke treguar se partia e tij është socialdemokrate.

"Natyrisht, ne jemi një parti socialdemokrate. Si të tillë nuk mund të jemi ideologjikisht gjithëpërfshirës", tha Kurti.

Gjatë javëve të fundit, afërsisht 20 aktivistë, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës, janë eliminuar nga gara e brendshme, e të gjithë nga të “përjashtuarit” ishin njerëz me bindje kundër martesave të seksit të njëjtë.

Por, deri më tani vetëm për aktivistët me bindje konservatore fetare, dhe paradoksalisht akoma jo edhe të atyre me bindje të djathta ideologjike.

Njohësit e rrethanave politike thonë se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë levizje gjithëpërfshirëse vetëm si front opozitar, dhe thekojnë se tani duhet ta ruaj karakterin e saj socialdemokrat.

Por, deri më tani, Kurti nuk ka marrë asnjë hap për të “spastruar” partinë nga krahu i djathtistëve, e rugovistëve, të cilët i ka këmbëkryq të ulur në parti e qeveri.

Ideologjia është projekt

Profesori universitar, Sead Zimeri, në një përgjigje për gazeten Nacionale tha kryeministri Kurti bëri mirë që theksoi identitetin socialdemokrat të partisë së tij.

Zimeri e vlerësoi fjalimin e Kurtit si “të bukur dhe përmbajtësosr”.

“Mendoj se kryeministri mbajti një fjalim shumë të bukur dhe përmbajtësor dhe ofroi një platformë krejtësisht realiste dhe njëkohësisht gjithëpërfshirëse. Dua të theksoj edhe një vërejtje kyçe të kryeministrit për përfshirjen ideologjike në VV. Ai foli për gjithëpërfshirje, madje solidaritet dhe jo vetëm tolerancë mes qytetarëve, por ka ende një vijë ndarëse mes solidaritetit si koncept moral dhe ideologjisë si koncept politik.”, theksoi z.Zimeri.

Tutje, filozofi Zimeri tha se nëse njerëzit që mëtojnë të anëtarësohen në VV duhet të përbrendësojnë vlerat themelore të partisë, duke arsyetuar përjashtimet e atyre që bijnë ndesh me këto qëndrime.

“Por aderimi ideologjik është diçka tjetër, është përfshirja me bindje politike, dhe nëse nuk i ndani ato bindje me VV-në, atëherë nuk është e arsyeshme të bëheni pjesë e saj. Dhe besoj se “kryeministri bëri shumë mirë që theksoi identitetin socialdemokrat të Lëvizjes dhe e bëri të qartë se jo çdokush që nuk beson në parimet e socialdemokracisë mund të bëhet anëtar apo edhe lider në këtë lëvizje”, tha Zimeri.

Zimeri thotë se Kurti duhet t’i largojë nga pozitat partiake të gjithë ata që kanë profile të kundërta ideologjike.

“Projekti ideologjik, pra social-demokratik, mund të çohet përpara vetëm nëse drejtohet nga njerëz të të njëjtit profil ideologjik. Prandaj, unë besoj se kryeministri duhet të largojë nga pozicionet vendimmarrëse të gjithë ata që kanë profile të kundërta ideologjike. Nuk ka kuptim që një lëvizje social-demokratike të përfshijë njerëz me profil politik neoliberal ose të djathtë”, përfundoi Zimeri.

Njejtë mendon edhe gazetari Xhevdet Pozhari, i cili për gazeten Nacionale tha se kushdo që nuk pajtohet me politikat e Lëvizjes duhet të largohet nga partia.

“Është e zakonshme që anëtarët e një partie të kenë ide të ngjashme për politikën dhe partitë mund të promovojnë qëllime specifike ideologjike ose politike. Në këtë kuptim, Z. Kurti nuk ka thënë asgjë më shumë sesa që dihet në teori. Në rastin e VV-së, nëse kushdo qoftë nuk ndjehet komod në petkun e social-demokratit, mund ta gjejë vetën në një organizim tjetër që përshtatet me bindjet dhe ideologjitë e tij”, tha Pozhari.

Pozhari tha se në zgjedhjet e fundit LV u bë lëvizje gjithëpërfshirëse, sepse përfaqësonte një front të përbashkët opozitar, por se kjo nuk ka pse të vazhdojë më.

“Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, shkaku i frymës së krijuar pro-ndryshimit, u formua një front i përbashkët dhe sigurisht që aty mund të gjesh njerëz të të gjitha kategorive. Të tillët më së miri mund ta vlerësojnë nëse më shumë kanë të përbashkëta me VV-në, apo dallimet janë të patejkalueshme. Por, nuk mund të thonë se kryeministri Kurti nuk ka qenë i qartë me ta. Nëse i bashkohesh në grupi politik, domosdoshmërish duhet t'i bindesh shumicës dhe në raste të caktuara të bësh kompromise me bindjet personale. Në të kundërtën, vazhdon rrugëtimin në përputhje me bindjet individuale.

Nacionale në vazhdimësi ka raportuar për “skizmën ideologjikë” në VV, dhe aktorët që po qëndrojnë prapa eliminimeve të kandidatëve nga gara e brendshme partiake.

Lajme të ngjashme