Koha + pushteti + opozita: A është Kurti, kryeministri më jetëgjatë i Kosovës? - NACIONALE

Koha + pushteti + opozita: A është Kurti, kryeministri më jetëgjatë i Kosovës?

1 javë më parë

nga Jetlir Buja

Nesër bëhen rrafsh një vit e gjysmë prej që e nisi punën Qeveria Kurti II. Për të formuluar një përshtypje sa më të sinqertë, duhet domosdoshmërisht të heqim përditshmërinë si element gjykimi dhe të zgjerojmë horizontin e të parit. Sa është e gjatë kjo periudhë e gjatë kohore?

Shumë prej jush kanë dëgjuar për Teorinë Speciale të Relativitetit nga Albert Einstein, që shpjegonte se si koha nuk ndiqte atë ritmin universal të tik-tokut të orës siç mendonin njerëzit, pra për teorinë që shpjegonte se koha ishte relative. Ta zëmë, në Hënë koha ecë goxha më shpejtë se në Tokë. E nëse heqim fizikën dhe fusim politikën në ekuacion, kryeministrit i ecë koha shumë më shpejtë se një qytetari të rëndomtë. Përgjegjësia rrit shpejtësinë e kohës. Dallime ka edhe mes një kryeministri më të përgjegjshëm dhe një kryeministri më pak të përgjegjshëm. Por, këtu do të merremi me dallimin mes një kryeministri me shumë pushtet, dhe atij me më pak pushtet. Çka po provoj të them?

Qeveria Kurti II e nisi punën më 23 mars 2021 pasi u votua në Kuvend nga 50,2 përqindëshi që doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit të atij viti. Kryeministri i kësaj Qeverie ishte Albin Kurti, një person që ushtron kontroll të plotë mbi secilin prej ministrave të tij (përveç njërit, me emrin Goran Rakiq), secilin prej deputetëve (përfshirë kryekuvendarin) dhe në Presidenten e vendit. Pushteti institucional i tij as nuk mund të ëndërrohej nga kryeministrat e mëparshëm. Dhe, i gjithë ky pushtet e shpejton kohën. Një vit e gjysmë e Qeverisë Kurti II nuk mund të barazohen me një vit e gjysmë të Qeverisë Haradinaj II. Kjo qeveri udhëhiqej nga një kryeministër si Ramush Haradinaj, që s’ishte i zoti t’i kontrollonte as ata pak deputetë të partisë së tij, e lëre më ministrat apo deputetët e partive tjera të koalicionit qeveritar.

Prandaj, nuk do shumë mend të kuptohet se Kurti mund të kryejë punë pamatshëm më shpejtë, se sa çdo kryeministër paraprak. Kjo atij i kursen energji të madhe, por edhe kohë të jashtëzakonshme.

Koha e kryeministrit Kurti në pushtet duhet mbledhur bashkë me pushtetin tepër të madh institucional e joinstitucional që ka shtënë në dorë, opozitën e dobët që s’mund ta pengojë në kurrgjë, dhe atë pak kusur të vitit 2020 (Qeverinë Kurti I). E gjithë kjo, e bën kryeministrin Kurti më jetëgjatë se çdo kryeministër tjetër.

Prandaj, kur flasim për një vit e gjysmë qeverisje nuk po flasim për një vit e gjysmë qeverisje. Për shkak të gjithë elementeve tjera, kemi të bëjmë me ndoshta shtatë ose tetë vite qeverisje nën kushtet e qeverive të mëhershme.

Për shumë e shumë punë urgjente, kryerja duhej të ishte çështje ditësh e javësh por kurrsesi muajsh. Megjithatë, mësuam se asnjë problem s’ishte urgjent. Asnjë punë doli se nuk duhej kryer me urgjencë. Doli se kryeministri nuk kishte kurrfarë vizioni e kurrfarë ideje madhore për ta materializuar duke përdorur gjithë pushtetin e madh. Dhe prandaj, mes pak të arriturave më të mëdha të Qeverisë së Kosovës – sipas kryeministrit të Kosovës – del edhe strehimi i disa afganëve në vendin tonë.

Pa dashur të mohojë punën e mirë të bërë nga ndonjë individ i rrallë brenda Qeverisë, përgjithësisht këtë periudhë do ta përshkruaj si një periudhë të një zhgënjimi kolosal.

Lajme të ngjashme